Karriere

IT-ja ka efektin e vet të Sports Illustrated

Apr 21 2011
0 Shpërndarje
IT-ja ka efektin e vet të Sports Illustrated

Ndoshta ju ka rastisur të dëgjoni për thënien famëkeqe të Sports Illustrated, sipas të cilës njerëzit që dalin në ballinën e kësaj reviste mund të kenë fat jo të mirë, dështime ose ndrydhje të karrierës. Gjatë 30 viteve të jetës sime profesionale kam hasur në diçka të ngjashme në IT si efekti i revistës Sports Illustrated. Kam parë se si shumë kolegë të mi janë bërë të famshëm, kanë arritur publicitet të madh dhe pastaj kanë dështuar si pasojë e pritjeve të shkaktuara nga fama e tyre. Gjërat që ngrihen ngadalë me sa duket bien ngadalë, kurse gjërat që ngrihen shpejt mund edhe të bien shpejt. Por megjithatë fama në përgjithësi nuk është një gjë që i motivon njerëzit për të arritur diçka. Një atlet olimpik zakonisht inspirohet për shkak të shpirtit të tij konkurrues.

Një zbulues zakonisht inspirohet nga besimi se ekziston një mënyrë më e mirë. Fama që është pasojë e një arritjeje mund të ndikojë në sjelljet e së ardhmes. Ajo mund të bëhet një shprehi dhe të motivojë dikë për arritje që e bëjnë të famshëm. Unë kam menduar rreth suksesit që më ka sjellë fama. Kur isha 18 vjeç dhe fillova studimet në Stanford, e kuptova se bursa ime do të mbulonte vetëm vitin e parë të shkollimit. Pastaj vizitova librarinë e Stanford Law, lexova kodin e tatimeve të ShBA-ve dhe më vonë shkrova softuerin për Kaypro, Osborne 1 dhe kompjuterët CP/M që kalkulonin tatimet. Shitja e softuerit gjeneroi mjaft të ardhura për të themeluar një kompani të vogël. Kur u lançua PC-ja, ne ishim të parët që ofruam softuer të tillë për bizneset e vogla që dëshironin të kalkulonin obligimet e tyre tatimore.

Një vit më vonë, unë kalova në shtëpinë e Frederick Terman, ish-dekan dhe profesor në Stanford, njeriu i cili inkurajoi William Hewlett dhe David Packard që të ndërtonin oshilatorët audio dhe të formonin një kompani të re të quajtur Hewlett-Packard (HPQ). Tregimi i një djaloshi 19-vjeçar i cili udhëhiqte një kompani softuerike dhe jetonte në bodrumin e njërit prej ish-themeluesve të HP ishte shumë i rëndësishëm në atë kohë. Teksa i afrohesha diplomimit, kompania vazhdonte të rritej, por ndërkohë që teknologjia evoluonte, kompania nuk ishte në gjendje të përshtatej me platformat e reja, ndërfaqet e reja grafike të përdoruesit dhe rrjetet në zhvillim. Unë e shita kompaninë dhe ajo përfundimisht u mbyll. Ndërkohë, unë isha duke mësuar si të ndërtoja sisteme klinike dhe isha duke zhvilluar një bazë të gjerë njohurish për spitalet dhe policinë, procedurat dhe protokollet, një regjistrues mjekësor online, një sistem për kontrollin e kualitetit dhe disa sisteme për edukimin mjekësor.

Unë arrita famë kur Qarku i Los Angeles-it më votoi si punonjësin e muajit dhe ishte hera e parë që çmimi i jepej një doktori. Pastaj fillova të bëja praktikën në Beth Israel Hospital derisa kryeja punë akademike në MIT, duke shkruar një tezë rreth përdorimit të Web-it për të siguruar regjistrat mjekësorë. Më 1997, përdorimi i Web-it konsiderohej si rrezik, i pabesueshëm dhe i pasigurt, por udhëheqësi i atëhershëm i Beth Israel and Deaconess dëshironte një zgjidhje të shpejtë, prandaj lindi edhe “CareWeb”. Dhe unë u bëra CIO. Në vitin 1999, Dr. Tom Delbancos dhe të tjerëve u lindi ideja që pacientët duhet të jenë në gjendje të shohin të dhënat e tyre në mënyrë elektronike. Ne u shpërblyem si skuadra më e mirë që krijoi regjistrat e parë personalë shëndetësorë. Dhe lista e arritjeve vazhdon – krijimi i rrjetit tonë, zhvillimi i sistemit të hershëm për menaxhimin dhe këmbimin e informacioneve shëndetësore, harmonizimi i standardeve, krijimi i një cloud privat për regjistrat shëndetësorë dhe marrja e certifikimit spitalor në një proces kuptimplotë përdorimi.

Përfundimi interesant i tërë kësaj është se në çdo rast, fama ishte e përkohshme dhe shumë shpejt ndiqej nga regresi i të kuptuarit- performanca e shkëlqyer ose inovacioni tashmë ishin bërë të zakonshme, mesatare dhe përditshmëri. Është pothuajse e pamundur që të mbeteni gjithmonë në ballë të garës, përfundimisht dikush më i fuqishëm, më i shpejtë dhe më i shkathët do t’ju zëvendësojë. Në rastin tim, unë ndalova së menduari për reputacionin dhe famën time rreth vitit 1998, duke kuptuar se çdo episod fame ndiqej nga një rënie në anonimitet- ose në të ashtuquajturin efekti i Sports Illustrated. Ato që gjithmonë mbijetojnë janë organizatat e mira dhe skuadrat që vazhdimisht rizblulojnë veten e tyre dhe ndryshojnë garën në të cilën garojnë. Nëse fokusoheni në krijimin e organizatave të mira, të cilat vazhdimisht arrijnë episode diskrete fame, por vazhdimisht e kuptojnë se këto episode ulje-ngritjeje duken si seri të vazhdueshme të kapjes së majave, atëherë ju mund ta mundni regresin e kuptimit.

Kjo dukshmëri do të tërheqë njerëzit e mençur dhe punonjësit më të mirë, të cilët dëshirojnë të punojnë për një vend në trajektoren e ngritjes. Nëse do të mund të transformoja ngritjen e famës dhe regresin e të kuptuarit në një trend që duket si një fuqi organizative, unë do të deklaroj se kam fituar.

John D. Halamka është CIO në CareGroup Healthcare System, CIO dhe dekan për teknologjinë edukative në Harvard Medical School, kryetar i New England Health Electronic Data Interchange Network, kryetar i Healthcare Information Technology Standards Panel si dhe doktor. Ju mund ta kontaktoni atë në [email protected]

Lajmet e fundit>