IT Organizate

IPKO me drejtor të ri

Feb 24 2011
0 Shpërndarje
IPKO me drejtor të ri

Prej datës 1 shkurt të këtij viti, Branko Babic nuk është më drejtor ekzekutiv i IPKO-s. Vendin e tij, sipas një vendimi nga bordi menaxhues i Telekom Slovenije, e ka zënë Robert Erzin. Para se të merrte detyrën e drejtorit ekzekutiv në IPKO, Erzin ka mbajtur poste të rëndësishme ekzekutive në Telekom Slovenije për më shumë se 17 vjet, madje së fundmi ka qenë këshilltar i kryetarit të bordit menaxhues dhe njëkohësisht kryesues i bordit të drejtorëve në Primo Communications në Shqipëri.

“Marrja e postit të drejtorit ekzekutiv të kompanisë IPKO është një sfidë e madhe për mua. Si kompani udhëheqëse në industrinë e telekomunikimit në Kosovë, IPKO ka një të ardhme shumë të ndritur. Kjo kompani punëson njerëz të rinj dhe shumë të talentuar dhe unë besoj që së bashku do të arrijmë rekorde të reja”, ka deklaruar Robert Erzin pas emërimit të tij në pozitën e drejtorit ekzekutiv në IPKO. Karriera profesionale e Robert

 

Erzin me telekomin slloven ka filluar që prej vitit 1994, ku fillimisht ka punuar si drejtues i zhvillimit të rrjetit dhe transmisionit, për të vazhduar më pas si drejtor i marketingut, hulumtimit të tregut, politikës së çmimeve dhe zhvillimit të shërbimeve për më shumë se katër vjet. Më pas, Erzin ka marrë detyrën e drejtorit të zhvillimit të shërbimeve, për të kaluar tre vjet më vonë në rolin e drejtorit të politikave të çmimeve dhe rregullatorit dhe pas kësaj në atë të drejtorit të departamentit të kontrollit, rrjetit dhe infrastrukturës. Erzin ka përfunduar fakultetin e ekonomisë dhe programin e biznesit në IMD si dhe fakultetin dhe magjistraturën e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike në Universitetin e Lubjanës. Ai flet rrjedhshëm katër gjuhë të huaja. Drejtori i deritanishëm i kompanisë, Branko Babic, ka braktisur postin e drejtorit ekzekutiv dhe anëtarit të bordit të drejtorëve në IPKO, ndërsa sipas zyrtarëve të IPKO-s thuhet se ai do ta vazhdojë karrierën e tij profesionale në poste të tjera ekzekutive jashtë kompanisë IPKO.

Lajmet e fundit>