Harduer

iPad 3 vjen me 7 mars

Feb 29 2012
0 Shpërndarje
iPad 3 vjen me 7 mars

Ashtu siç pritej, Apple ka shpërndarë ftesat për media për një ngjarje që do të organizojnë me datën 7 mars, e që pritet të jetë lançimi i iPad-it të ri. Ftesat janë pranuar nga bllogist dhe reporterë të ndryshëm.

Lajmi konfirmon spekulimet e mëhershme që produkti i ri i iPad të Apple, që sipas të gjitha gjasave do të etiketohet si iPad 3 do të lançohet në pjesën e parë të marsit, e që tashmë është konfirmuar si 7 mars. Kjo është e njëjta ditë e javës që Apple e pëdori për të lançuar tabletin origjinal në vitin 2010 dhe tabletin iPad 2 vitin e kaluar.

“Kemi diçka që vërtetë duhet ta shihni. Dhe ta prekni,” shkruante në ftesën që vazhdon traditën e mbajtjes së ftesave me tekst të koduar si ky më lart. Pjesa e pasme e ftesës tregon një ekran të iPad me një gisht që shënjon mbi aplikacionin Calendar që ka datën 7 mars. Nëse duhet të ketë ndonjë aluzion për pajisjen e re, kjo lë të kuptohet që iPad-i i ri s’do të ketë buton shtypës fizik siç kanë pasur pararendësit.

Apple do të organizoj ngjarjen në Yerba Buena Center për arte në San Francisco, një vendngjarje që është përdorur rregullisht për njoftime për shtypin nga kompania dhe aty ku ish-CEO i kompanisë, Steve Jobs kishte paraqitur iPad 2 me 2 mars të vitit të kaluar.

Shumica e ekspertëve besojnë që iPad 3 do të ketë një ekran me rezolucion të lartë, një procesorë më të shpejtë që do të jetë ndoshta procesori i parë katër bërthamësh i Apple, dhe me më shumë memorie të brendshme. Megjithatë ekspertët janë ndarë në atë nëse tableti i ri do të përkrah rrjete më të shpejta të të dhënave – LTE, që në SHBA ofrohen nga Verizon dhe AT&T.

Lajmet e fundit>