Siguri

iOS apo Android: Cili sistem është më i sigurt

Feb 6 2014
0 Shpërndarje
iOS apo Android: Cili sistem është më i sigurt

ios-androidBiznesi ka arritur sot në një pikë kur çdo tremujor aktivizohen miliona pajisje iOS apo Android për kompani, prandaj është e rëndësishme që CIO-t dhe jo vetëm, të dinë se sa rrezik sjellin realisht këto pajisje në kompaninë e tyre, apo cila prej sistemeve operative mobile është më e sigurt së tjetra.

Nëse do t’iu referoheshim vetëm trendeve që vijnë nga malware-t, atëherë Androidi do të ishte pa diskutim humbësi i madh. Sipas të dhënave të një prej departamenteve të Sigurisë Kombëtare në SHBA si dhe njërit prej departamenteve amerikanë të Drejtësisë, gjatë një studimi të kryer vitin e kaluar rezultoi se vetëm 0.7% e malware-ve për mobile shenjëstronin iOS-in krahasuar me 79% që ishin destinuar për Androidin.

Por, të përcaktosh sigurinë e një sistemi operativ nuk mund të nisesh vetëm nga këto të dhëna. Përveç spyware-ve dhe malware-ve, kompanitë duhet të interesohen edhe për sulmet që shenjëstrojnë në veçanti biznesin e tyre apo kompani të ngjashme.

Shumë njerëz mendojnë se iOS është më i sigurt se gjithë të tjerët, por kjo nuk është gjithmonë apo plotësisht e vërtetë. Sigurisht, në iOS ka shumë veçori të forta lidhur me sigurinë, por nga ana tjetër, jo të gjitha janë të aktivizuara për t’u përdorur. Pra, nevojitet dijenia e përdoruesit apo departamentit të IT-së. S’mund t’u thuash punonjësve të kompanisë të fillojnë të përdorin një iPhone dhe të rrish i qetë se asgjë nuk do të ndodhë.

Nëse do të bënit një krahasim të iOS-it me Androidin, duhet të keni parasysh harduerin Android të cilit po i referoheni. Disa janë më të sigurt se të tjerët. Për shembull, Samsung ka punuar fort dhe ka dhënë shumë për Androidin për sa i përket sigurisë. Pra, mund të vendosni të suportoni Androidin vetëm në disa pajisje të caktuara.

Kur vjen puna tek kontrolli i sigurisë, si Android ashtu edhe iOS kanë vendosur karakteristika automatike të sigurisë brenda sistemit të tyre. Për shembull, për përdoruesit e kompanive, iOS pyet nëse duhet të lidhen përmes VPN-së, ofron suport të zgjeruar për MDM, enkripton të dhënat brenda aplikacioneve të palëve të treta, ofron autentikimin biometrik etj.

Nga ana tjetër, Android 4.4 (KitKat) ka kontrolle strikte të ndërtuara në Linux kernel, ka rritur suportin për njoftimet e sigurisë që lidhen me certifikatat dixhitale, ka suport për Elliptic Curve Cryptography, ka automatizuar ndihmën për identifikimin e “buffer overflows” etj. Edhe Samsung KNOX ofron një proçes ndezjeje me të sigurt, krijon një mjedis më të sigurt për aplikacionet e kompanive, ka një kernel më të sigurt etj.

Ndryshimi mes pajisjeve Android është se secili prodhues ka API-të e veta dhe ato menaxhohen ndryshe. Kështu që duhen thirrje të ndryshme për të marrë këto API unike, çka do të thotë se do t’ju duhet të punoni me përfaqësues të ndryshëm për t’i bërë këto API të dobishme.

Ajo që ekspertët sugjerojnë nëse do t’i lejoni punonjësit e kompanisë të përdorin pajisjet e tyre personale në pune është teknika “BYOD e menaxhuar” (BYOD – bring your own device, sillni pajisjen tuaj). Disa pajisje mund të kenë akses të plotë për shkak të disa kontrolleve të disponueshme që mund të ekzistojnë, ndërkohë që disa të tjerave duhet t’iu kufizohet aksesi apo të mos iu jepet fare. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>