Intervista

Intervistë me Burim Kastrati

Feb 23 2011
0 Shpërndarje
Intervistë me Burim Kastrati

CIO: Kush është ITBM Group?

Kastrati: IDG është një kompani me famë botërore, që e ka dëshmuar veten në shumë sfera të sektorit të Teknologjisë Informative në botë. Duke vëzhguar për së afërmi punën e saj dhe natyrisht zhvillimin e teknologjisë në tregjet tona, e pamë të arsyeshme të krijojmë një kompani partnere, e cila do të ishte e specializuar për botime dhe për organizimin e eventeve të një niveli të papërjetuar nga tregu ynë deri më sot. Në qershor të vitit 2008,

ITBM Group nis misionin e vet në një rrugë të pashkelur prej asnjë kompanie deri atëherë, madje merr guximin ta bëjë në dy tregje në të njëjtën kohë, në Kosovë dhe Shqipëri. Me misionin e saj për të mbështetur në një nivel më të lartë zhvillimin e sektorit të Teknologjisë Informative në rajon, IT Bussiness & Media Group që prej asaj kohe edhe sot vazhdon të jetë urë lidhëse e lexuesve, klientëve, bizneseve, profesionistëve e liderëve të kompanive të sektorit të teknologjisë dhe telekomunikacionit duke sjellë një nivel të ri të qasjes ndaj tregut edhe për klientët edhe për kon sumatorët falë eksperiencës së marrë nga IDG dhe bashkëpunimit të ngushtë me të.

CIO: Ju përmendet mbështetjen e zhvillimit të tregut të Teknologjisë Informative në Kosovë dhe në Shqipëri, por në çfarë forme e filloi këtë mision ITBM Group dhe në çfarë forme po vazhdon ta bëjë?

Kastrati: E para gjë që duhet të përmend është PC World Albanian (www.pcworld.al), që realisht është produkti i parë i zhvilluar paralelisht me themelimin e kompanisë. Falë përkushtimit të madh të punonjësve të kompanisë, kjo revistë arriti të nxjerrë në Kosovë dhe Shqipëri numrin e saj të parë në qershor të vitit 2008. Realisht ishte një periudhë shumë e vështirë sepse po paraqisnim në treg diçka për të cilën lexuesit kishin dëgjuar se ekzistonte vetëm në Amerikë, por ia dolëm mbanë dhe sot kjo revistë mujore është në numrin e 30-të. Kjo revistë sjell risi, këshilla, analiza, opinione, intervista e shumë gjëra të tjera për lexuesin shqipfolës prej tregjeve të ndryshme botërore dhe atyre vendore sepse ky është edhe misioni i saj. Pra, ndjekja e trendeve dhe ngjarjeve teknologjike që ndodhin edhe në rajonin tonë. Këtë gjë ky medium e bën edhe në formatin e vet online dhe numri i vizitorëve vazhdon të rritet çdo ditë e më shumë. Pas stabilizimit të kompanisë, ne vazhduam misionin. Vendosëm të publikonim një katalog që do të përfshinte kompanitë që veprojnë në tregun e Teknologjisë Informative. Në vitin 2009, krijuam një katalog që quhej Balkan IT Partner (www.balkanitpartner.com) dhe që është produkti i dytë i krijuar nga ITBM Group.

Në katalog u përfshinë mbi 50 kompani nga sektori i TIK-ut në rajonin tonë. Sot jemi duke punuar për botimin e një katalogu për 100 kompanitë më të mira të vitit 2010 dhe jemi duke punuar me përkushtim të madh që brenda muajit mars ta kemi gati për treg. Misionin tonë e zhvilluam më pas në një nivel edhe më të lartë. CIO quhet produkti i radhës nga ITBM Group. Kjo revistë e shpërblyer me çmime të shumta anembanë botës dhe që është markë e IDG-së, erdhi në tregjet tona përmes kompanisë sonë me synimin e vetëm që edhe ata që e krijojnë teknologjinë, të kenë vendin e merituar. CIO, që sot boton numrin e tretë, ka rëndësi të madhe për tregun për faktin se kompanive që veprojnë në Kosovë dhe Shqipëri u jep mundësinë direkte që të prezantojnë produktet e tyre, të komunikojnë, të reklamojnë dhe të bëjnë shumë gjëra të tjera sepse CIO i dedikohet tregut të këtij niveli.

ITBM Group sjell në ballinën e CIO çdo muaj një lider që ka treguar performancë të lartë në kompaninë e tij, ndërsa së shpejti do të ndërtojë edhe një juri profesioniste për vlerësimin e performancës së IT liderëve në vitin paraprak: CIO lideri i vitit 2010, Udhëheqësi më i mirë i vitit 2010, etj. Ka edhe shumë produkte të tjera, si, GameWorld, OpenWorld, Oferta Pune, etj., të cilat janë zhvilluar paralel me kompaninë dhe po vazhdojnë të zhvillohen edhe sot. Komuniteti që përfaqësohet përmes Gameworld dhe Openworld është një komunitet shumë fisnik dhe shumë i rëndësishëm për shoqërinë tonë sepse përmes tyre ITBM Group po tenton të zhvillojë edhe ngjarje të nivelit më të lartë, siç është organizimi i garave në sporte elektronike, organizimi i ligave profesionale, organizimi i eventeve, etj.

CIO: Nga ajo që u tha, duket se ITBM Group ka një sërë produktesh që duhen menaxhuar në të njëjtën kohë. A paraqet kjo sfidë për ju si drejtor i kompanisë?

Kastrati: Çdo gjë që punohet me përkushtim është sfidë në vetvete. ITBM Group e nisi misionin e saj me qëllimin e vetëm që të përballojë çdo sfidë dhe po e dëshmon këtë. Sot ne po tentojmë të avancojmë më tutje produktet ekzistuese dhe të hedhim në treg edhe një numër më të madh produktesh të tjera. Gjatë këtij viti ne do të kemi një fokusim të veçantë ndaj Shqipërisë, ku do të lançojmë produkte të reja dhe në anën tjetër do të ecim paralelisht me të njëjtat produkte edhe në tregun e Kosovës. Kemi klientë dhe nivel të lartë bashkëpunimi me kompani si Vodafone e InfoSoft, gjithashtu kemi relacione shumë të mira edhe me Shoqatën e Teknologjisë dhe të Informacionit “AITA” në Tiranë, në të njëjtin nivel të mirë i kemi relacionet edhe me Shoqatën për Teknologji të Informimit dhe Telekomunikacionit në Prishtinë, STIKK.

Po ashtu jemi duke biseduar me partnerët tanë në Shkup për botimin dhe të drejtën për të botuar dy revistat tona, përkatësisht PCWorld Albanian dhe CIO, edhe në gjuhën maqedonase. Për të arritur të gjitha këto pa dyshim se duhet një bashkëpunim i mirë me të gjithë klientët dhe partnerët që kemi, e natyrisht edhe me klientët e partnerët potencialë që veprojnë në këtë sektor.

CIO: Cilat janë projektet e kompanisë që ju drejtoni karshi investimeve dhe informimit të opinionit me më të rejat e Teknologjisë Informative?

Kastrati: Dinamika që po përcjell tregun e Teknologjisë Informative po përcjell edhe ITBM-në. Përveç produkteve aktuale, ne vazhdimisht do të dalim me produkte të reja që natyrisht kanë si synim ndjekjen e dinamikës së shpejtë të zhvillimit. Me këtë rast duhet theksuar themelimi i Departamentit të Hulumtimeve për Sektorin e Teknologjisë dhe Informacionit, i cili ka përfunduar hulumtimin e parë për Teknologjinë Informative në Industrinë Financiare në Kosovë, një raport hulumtues ku zbulohen mjaft të dhëna të panjohura në lidhje me gjendjen dhe shpenzimet për Teknologjinë Informative dhe të Komunikimit në sektorin financiar. Gjithashtu jemi duke punuar edhe me disa organizata të tjera që merren me hulumtime për t’i bashkërenduar veprimet tona dhe për të qenë sa me gjithëpërfshirës. Këtu natyrisht duhet theksuar fillimi i bashkëpunimit me Odën Ekonomike Amerikane, MDA, Institutin GAP, etj.

CIO: Në treg jeni paraqitur si të parët për të ofruar një përkrahje të këtillë me produkte të shumta. A jeni edhe sot të vetmuar apo ka konkurrencë?

Kastrati: Produkte si CIO dhe PCWorld Albanian janë marka të regjistruar prej IDG dhe janë me licencë të këtij mediumi dhe si të tilla ato kanë përmbajtje të mbrojtur me ligj dhe të drejta autoriale të rezervuara për botim vetëm në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo vlen si në formatin online ashtu edhe të shtypur. Sa i përket konkurrencës, realisht mendoj se askush nuk mund t’i bëjë ballë një mediumi të licencuar prej IDG, këtë e dëshmojnë edhe produktet e saj në nivele botërore, që nënkupton se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kosovën.

Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ketë konkurrencë, pasi ne kemi nevojë për diçka të tillë, duke pasur parasysh se kjo ndikon që të jemi edhe më të përkushtuar në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve më të mira ndaj konsumatorëve dhe klientëve tanë. Tregu ynë ka nevojë për media dhe produkte të këtij niveli dhe rrjedhimisht nuk e keqpërdorim mospraninë e konkurrencës, përkundrazi, po tentojmë që edhe më tej të zhvillojmë dhe avancojmë më tej raportet me çdo institucion, organizatë, ndërmarrje apo biznes të sektorit të Teknologjisë Informative.

Lajmet e fundit>