Slider

Inteligjenca artificiale tejkalon doktorët në diagnostikim dhe trajtim

Feb 15 2013
0 Shpërndarje
Inteligjenca artificiale tejkalon doktorët në diagnostikim dhe trajtim

AIAplikimi i teknologjive të ngjashme me ato të njohjes së zërit dhe dedektimit të mashtrimeve me karta krediti, tek trajtimet mjeksore jo vetëm që mund të reduktojë kostot por nga ana tjetër edhe të përmirësojë rezultatet e trajtimit të pacientëve me rreth 50%.

Këto janë përfundimet e një kërkimi të ri nga Universiteti i Indianës, i cili tregon se si mund të përdoret inteligjenca artificiale për të kuptuar dhe parashikuar rezultatet e trajtimeve mjeksore.

Duke përdorur të dhënat e pacientëve në algoritmet që mësohen nga kompjuterat, mund të reduktohen në mënyrë drastike kostot dhe cilësia e shëndetësise përmes modeleve të simulimit.

Modelet kompjuterike simulojnë një sërë rrugësh të mundshme trajtimi dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë sa herë që shtohen informacione të reja lidhur me pacientin apo më gjerë. Pra, me pak fjalë, një sistem i tillë “mund të mendojë si një mjek,” shprehet universiteti.

Gjatë kërkimit, u përdorën informacione mbi 6700 pacientë. 60% – 70% e tyre kishin diagnoza depresioni por edhe çrregullime kronike si diabet, hipertension apo sëmundje kardiovaskulare. Të gjitha këto u përdorën në simulime.

Duke përdorur të dhëna reale, kërkuesit krahasuan performancën e doktorëve dhe rezultatet e pacientëve me modelet e vendimmarrjes së kompjuterave.

U vu re se modelet e inteligjencës artificiale kishin një rritje pozitive në rezultatet e pacientëve me 30 % – 35 %. Ndërkohë që kostoja e diagnostikimit dhe trajtimit të pacientit ishte 189 $ krahasuar me kostot e zakonshme prej rreth 497 $.

Kërkuesit përdorin modele matematike të njohura si “Proçeset e Markovit” si dhe “Rrjetet e Vendimmarrjes Dinamike” për të realizuar këto teste.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që vihen në pah avantazhet e inteligjencës artificiale në fushën e mjeksisë.

Vitin e kaluar, IBM deklaroi se superkompjuteri i tyre Watson, do të përdorej në vlerësimin e provave në studimin e kancerit dhe do t’u ofronte mjekëve trajtime për të, duke lehtësuar ndjeshëm proçesin e vendimmarrjes.

Superkompjuteri Watson ishte i pari që iu ofrua ‘Cedars-Sinai’s Samuel Oschin Comprehensive Cancer Institute’ në Los Anxheles. Po atë vit, Watson iu ofrua mjekëve të ‘Memorial Sloan-Kettering Cancer Center’ për të diagnostikuar dhe trajtuar pacientët me kancer. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>