Siguri

Instinkti i formatimit dhe siguria e kompjuterit

Apr 29 2011
0 Shpërndarje
Instinkti i formatimit dhe siguria e kompjuterit

Është zhargoni më aktual në vendin tonë, të cilin mund ta hasni nëpër kompani të vogla private apo më mirë të themi te personat të cilët po mundohen të sigurojnë bukën e gojës apo kanë dëshirë të jenë njohës të teknologjisë. A mund të jetë kompjuteri më i sigurt nëse formatohet? A është shndërruar kjo gjë më shumë në një instinkt pa shikuar shkaktarët? A duhet që patjetër të formatojmë kompjuterin edhe nëse nuk funksionon rrjeti apo nëse një aplikacion shumë i vogël nuk është funksional? Nuk e besoj aspak… Formatimi i shpeshtë i kompjuterit është shndërruar në një instinkt të panevojshëm dhe jo të domosdoshëm, që realisht po i prek konsumatorët pa nevojë duke i shtyrë ata që të formatojnë kompjuterin edhe pse ai mund të mirëmbahet dhe të punojë si duhet pa bërë këtë procedurë të shpeshtë. Madje edhe hard disku do të mbijetonte më gjatë po të mos ishte ky instinkt.

Mos prekni aty ku nuk është e nevojshme!

Gjithmonë në kompjuter kini kujdes që të mos hulumtoni në direktoriume ku shkruan WINDOWS (vetëm nëse e dini se çfarë po bëni), pasi çdo fshirje apo edhe çdo zhvendosje e një aplikacioni të Windows-it do të shkaktojë bllokimin e mundshëm të sistemit operativ, qoftë ai Win 98, XP, Vista, apo Win7. Kjo do t’ju kushtojë më shumë se 5 euro e 2 filma gratis, sepse mund të humbisni ato shënime të rëndësishme që keni në kompjuter apo edhe ndonjë program me vlerë, siç janë programet ekonomike.

Kujdes! Fikeni kompjuterin ashtu si duhet

Ndodh që nga përtesa për të bërë fikjen në mënyrë të rregullt, zgjidhja më e shpejtë është nxjerrja e kabllos nga spina e korrentit. (Mos e bëni këtë veprim kurrë!) Ky është njëri nga shkaktarët e dëmtimit të sistemit operativ, gjithashtu sjell edhe dëm harduerik të kompjuterit. Bëni kujdes të  keni UPS përkrah kompjuterit dhe të përdorni hapat e duhur për fikjen e tij, duke evituar formatimin e panevojshëm e të shpeshtë.

Antivirusi: Softuer i domosdoshëm

Çdo kompjuter i lidhur në internet apo edhe pa qenë fare i lidhur, duhet të ketë softuer antivirus. Bota e internetit është e infektuar nga lloje të ndryshme virusesh, të cilat janë të përhapura në shumë pjesë të internetit dhe përcillen në çdo sekondë. Instalimi i antiviruseve ndikon në mbrojtjen dhe jetëgjatësinë e sistemit operativ, por ndikon edhe në mbrojtjen e dokumenteve të rëndësishme si dhe në mbarëvajtjen më të mirë të kompjuterit pasi viruset janë ata të cilët ndikojnë në ngadalësimin e kompjuterit dhe vështirësimin e punës suaj në të.

Pastroni sistemin operativ…

Kompjuteri është i ngjashëm me shtëpinë në të cilën jetojmë, pra, vendi ku përveç të tjerash krijohen edhe mbeturina gjatë punës sonë.

• Pastroni shfletuesin e internetit. Hapni Internet Explorer pastaj – Tools-Internet Options, Clean – Temporary internet files.
• Vizitoni edhe C:Documents and SettingsUserLocal SettingsTemp.

Mos instaloni çdo gjë që ju vjen në dorë

Në internet ka programe të ndryshme: pa pagesë, me pagesë, me afat 30-ditor për testim, etj. Në shumicën e rasteve ka përdorues që i shkarkojnë versionet 30-ditore vetëm për të shikuar se çfarë bëjnë, por ajo që harrojnë ata është se këto programe në mes të tjerash mund edhe të ngadalësojnë sistemin. Formatizimi sërish nuk është zgjidhje e duhur, prandaj para se ta bëni këtë, më mirë është që të shikoni se çfarë ka të instaluar në sistem.

Lajmet e fundit>