IT Organizate

Industria IT në Kosovë me potencial të jashtëzakonshëm

Feb 2 2011
0 Shpërndarje
Industria IT në Kosovë me potencial të jashtëzakonshëm

Në një shkrim të publikuar në Deutche Welle është shkruar se IT Outsourcing në Evropën Lindore është një biznes që po arrin kulmin e zhvillimit, vlera e të cilit llogaritet të jetë mbi 3.7 miliard euro. Është mëngjes në Appdec në Prishtinë dhe ekipi zhvillues i Betim Drenicës është në vlugun e punës.

Një grup prej 20 anëtarësh qëndrojnë të ngjitur pranë kompjuterëve të tyre duke koduar, ndërsa në anën tjetër, një 24-vjeçar në pozitën e Oficerit Udhëheqës të Zhvillimit vëzhgon grupin e të rinjve të tij, që janë edhe gjenerata më e re profesionale në kuadër të teknologjisë informative të Evropës. “Këtu ne kemi projekte të ndryshme”, thekson Betimi për DW. “Jemi në fund të zhvillimit të një softueri financiar që po e hedhim në treg. Ky softuer është shumë i avancuar dhe anëtarët e ekipit, siç po i shihni, janë duke zhvilluar të pavarur, pa ndonjë lloj ndihme.

Por, siç mund të shihni, krahas këtij monitori një tjetër softuer shumë i ndjeshëm është duke u zhvilluar për kontrollimin e armëve të vogla.” Në fakt, ky projekt për të cilin është shprehur z. Drenica për DW, demonstron se të rinjtë e Kosovës pranë kompanisë Appdec janë duke zhvilluar një sistem që u mundëson autoriteteve ligjore të Kosovës të monitorojnë armët e vogla. Kjo është një përgjegjësi mjaft e madhe për personelin që punon në kuadër të këtij projekti, por ka edhe të tillë që punojnë pa pagesë në këmbim të përfitimit të trajnimit në kuadër të platformave më të fundit zhvilluese.

Outsourcing po shkëlqen

Pavarësisht se llogaritet ende një shtet i ri, Kosova ka një gjeneratë të re njerëzish që janë të etur për t’u futur në një lëvizje të artë që po ndodh në Evropën Qendrore dhe Lindore. IT Outsourcing (Outsourcing – ka të bëjë me transferimin e punëve të brendshme të një biznesi apo organizate te një biznes apo organizatë tjetër) në Kosovë është bërë një biznes i jashtëzakonshëm, ndërsa sipas statistikave në Evropën Lindore ka arritur vlerën mbi 3 miliardë euro në vitin 2009, e madje pritet që kjo vlerë të arrijë në 3.7 miliardë euro gjatë vitit 2010. Këto shifra i ka bërë të ditur në një raport grupi tregtar industrial Central and Eastern Outsourcing Association (CEOA). Ajo që po vërehet në tregjet e Evropës Perëndimore është se kompanitë po synojnë të shkurtojnë kostot dhe vazhdimisht po dërgojnë punë teknologjike drejt Evropës Lindore, apo më mirë le të themi drejt vendeve si Kosova.

Detusche Bank ka një pjesë të softuerit të saj të zhvilluar në Ukrainë, kurse Siemens ka një qendër hulumtimi dhe zhvillimi në Rumani. Këto shtete gjithashtu janë duke përjetuar rritjen më të lartë në IT Outsourcing. Përveç kësaj, sipas raportit, shtetet prej Bullgarisë deri në Sllovaki (duke përjashtuar shtetet Baltike), e kanë shmangur rënien ekonomike pasi numri i IT specialistëve që punojnë për kompani të dedikuara për outsourcing ka arritur në gati 100,000 njerëz. “Është një numër i madh dhe kjo do të thotë se outsourcing dhe shërbimet në Evropën Qendrore dhe Lindore janë duke u zhvilluar shpejt”, është shprehur Andriy Cherevko nga Softserve për DW, një kompani për outsourcing që ka sponsorizuar studimin.

Kosova, ende papunësi e lartë

IT industria në Kosovë është ende në fazat e hershme, por ka shpresë për zhvillim të mëtutjeshëm falë rritjes së numrit të kompanive të pranishme në këtë treg, rritjes së konkurrencës dhe rritjes së numrit të stafit të profesionalizuar. Gjithashtu nën mbështetjen e mediumeve të dedikuara për teknologji, si PCWorld Albanian dhe së fundi edhe të revistës CIO në shqip, serioziteti i kësaj industrie po rritet edhe më tej. Megjithatë papunësia është ende e lartë, duke tejkaluar shifrën prej 40 për qind, ndërkohë që nuk duhet harruar se shpërndarja më e madhe e internetit është bërë pas përfundimit të luftës me Serbinë. Kosova gjithashtu ka edhe popullsinë më të re në Evropë dhe një pjesë e madhe e tyre janë të edukuar mirë, janë njohës të teknologjisë dhe të etur për të punuar.

Kjo ndihmon të shpjegohet pse Appdec, një kompani me bazë në Prishtinë që zhvillon softuer, nuk ka mungesë talentesh. Një zhvillues i ri mund të arrijë të paguhet deri në 500 euro në muaj, që është një pagë ‘lëmoshë’ nëse krahasohet me standardet e Evropës Perëndimore, ku paga është më e lartë. Për Adem Gashin, një web specialist 25-vjeçar i Appdec, puna nuk është thjesht diçka që të sjell pagë të mirë. Ajo është diçka përmes së cilës ai mund ta ndihmojë shtetin e tij duke mos pasur nevojë që të largohet dhe të kërkojë punë jashtë vendit. “Disi ndihem se jam përzgjedhur të punoj në IT në Kosovë”, theksoi Gashi për DW. “Unë mund të punoj në tele-prezencë, tele-remote dhe gjithashtu mund të bëj outsourcing prej këtu, por nuk do të largohem nga shteti im.”

Kosova ka pozitë strategjike

Pavarësisht se Kosova ka papunësi të lartë dhe infrastrukturë të brishtë, është vetëm disa orë larg qyteteve kryesore të Evropës, si Frankfurti, Parisi, Roma apo Vjena dhe në këtë mënyrë paraqitet si një atraksion kyç për investime në IT. Joan de Boer është njëri prej atyre që e di rëndësinë e kësaj dhe udhëton vazhdimisht nga Amsterdami në Prishtinë, ku ka një firmë për zhvillim të web-it, të quajtur Springs. “Pagat janë të ulëta këtu”, theksoi ai për DW. “Ne në fakt mund të konkurrojmë me Indinë. Dhe të mos harrojmë se është shtet i Evropës. Është shumë afër – është edhe në të njëjtën zonë të orës. Dhe nëse ka një problem, ju mund të vendoseni në një aeroplan në ora 10 të mëngjesit dhe të arrini në një takim pune në Amsterdam.”

Zyrat e Spring janë në Berlin, Amsterdam dhe Paris dhe kontraktojnë punë nga klientët e Evropës Perëndimore, por punët më pas kalojnë te një ekip në Prishtinë. De Boer thekson se zhvilluesit e tij punojnë më mirë sesa homologët e tyre në Evropën Perëndimore, me një zbritje të përgjithshme prej rreth 20 për qind. De Boer shton se kosovarët janë të edukuar mirë dhe kanë universitete të mira, por edhe pse kanë ngecur për shkak të luftës ata janë të jashtëzakonshëm në punën e tyre. Central and Eastern Europe Outsourcing Association e shikon në rritje të mëtutjeshme këtë sektor të IT-së në rajonin tonë, por sipas tyre kompanitë e Evropës Perëndimore po e zënë hapin dhe kjo nënkupton se pagat do të rriten edhe për këta zhvillues të rinj të tregjeve si Kosova.


Lajmet e fundit>