Business & Management

IDC: Rritja e të ardhurave nga tregu i softuerëve të ndërmarrjeve, shenjë e rimëkëmbjes ekonomike

Oct 31 2013
0 Shpërndarje
IDC: Rritja e të ardhurave nga tregu i softuerëve të ndërmarrjeve, shenjë e rimëkëmbjes ekonomike

IDC_2007Sipas firmës kërkimore IDC, tregu global i softuerëve të ndërmarrjeve ka pësuar një rritje prej 5.5% nga viti në vit, duke arritur kështu në vlerën 179 miliard $ gjatë gjysmës së parë të vitit 2013.

Ky rezultat është edhe tregues i përpjekjes së kompanive për tu përballur me trazirat ekonomike në Europë. IDC ka deklaruar se të ardhurat globale të softuerëve shënuan një rritje prej 5.1% gjatë së njejtës periudhë në vitin 2012. Deri në përfundim të këtij viti pritet që norma e rritjes të arrijë deri në 5.7%.

Henri Morris, zv.President i IDC-së është shprehur: “Kompanitë po e shohin përpunimin e informacionit gjithnjë e më tepër si oportunitet për sigurimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, prandaj është e arsyeshme që softuerët e menaxhimit, aksesimit dhe shpërndarjes së informacionit (të strukturuar ose jo të strukturuar) vazhdojnë të përbëjnë prioritet për të konkurruar në treg.”

IDC e ndan tregun e softuerëve në 3 segmente të ndryshme: aplikacionet, zhvillimi dhe implementimi i aplikacioneve dhe infrastruktura e sistemeve. Në gjysmën e parë të këtij viti, aplikacionet pësuan një rritje të shitjeve prej 5.8%. Ky zhvillim është nxitur nga rritja prej 28.3% e shitjes së aplikacioneve të rrjeteve sociale.

Ndërkohë të ardhurat nga zhvillimi i aplikacioneve dhe implementimi i produkteve pësuan një rritje më të vogël prej 5.1%. Shitjet e softuereve të infrastrukturës së sistemeve pësuan një rritje të përgjithshme prej 5.1%, por nënkategoria e softuereve të sistemeve ka pasur një përmirësim prej 8% si rezultat i ndikimit të faktorëve të tillë si lançimi i Windows 8.

Në qoftë se shohim ecurinë e të ardhurave sipas vendeve të ndryshme mund të themi se Amerika Latine ka qenë vendi që ka pësuar rritjen më të shpejtë të të ardhurave nga softuerët me një përmirësim prej 8.6% dhe pasohet nga SHBA me 7.9%.

Në Europën perëndimore rritja ka qenë 5.1%, ndërsa në pjesën e Azisë pranë Paqësorit është vënë re një rritje e të ardhurave nga softuerët prej 6.6% në qoftë se përjashtojmë Japoninë pasi zhvlerësimi i monedhës së këtij vendi (yen) shkaktoi një rënie të të ardhurave nga softuerët prej 9.2% (vlerë e llogaritur në dollarë amerikanë). (CIO Albanian)

Tags >

IDC
Lajmet e fundit>