Intervista

ICT dhe Metedologjitë përkatese mundësojnë konkurrencë nga distanca

Nov 14 2011
0 Shpërndarje
ICT dhe Metedologjitë përkatese mundësojnë konkurrencë nga distanca

Intervistoi: Helena Bode

Gazmend Selmani është themelues i kompanisë PBC. Kompani, e cila operon në treg përgjatë 8 viteve, që prej 2003.  Si themelues dhe vizionar i kompanisë z. Selmani ka arritur që subjektin të cilin ai e drejton, ta pozicionojë si një ndër subjektet më të suksesshme në tregun e Republikës së Kosovës. Ai tashmë, me lehtësi e drejton kompaninë përkundër dinamikës së theksueshme në profilin ku operon. Përvojën dhe konceptet e tij prej ndërmarrësi të suksesshëm, CIO angazhohet t’i ndajë me lexuesit e revistës me qëllim të përfitimit nga palët e interesit dhe më gjerë.

CIO: Si lindi ideja për të themeluar PBC-në? A jeni themeluesi i vetëm i saj?
Selmani: Përderisa jemi pjesë e shoqërisë në të cilën jetojmë është e nevojshme të kontribuojmë dhe t’i shërbejmë asaj, duke qenë sa më efektiv, më te vlefshëm, më të përgjegjshëm, më të përkushtuar dhe më të pranueshëm. Të gjitha këto ndikuan në lindjen e idesë sime, për krijimin e PBC-së, ku themelues të saj jemi së bashku me vëllanë.

CIO: Cilat janë vështirësitë që keni hasur për themelin e kompanisë në Kosovë?
Selmani: Themelimi i kompanisë nuk është i vështirë në rrafshin administrativ, por menaxhimi i saj është tejet kompleks dhe i vështirë, posaçërisht në vendet, të cilat gjenden në tranzicion dhe në profilet me dinamikë të lartë. 
Meqë, ne jemi të profilizuar në tregun dhe shërbimet e Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, dihet botërisht dinamika e punës dhe zhvillimit të saj. 
Më duhet të theksoj se: rezultati i suksesit kërkon një derdhje të madhe të energjisë dhe potencialit profesional.

CIO: Cilat janë komponentët që përbëjnë suksesin tuaj në tërësi?
Selmani: Siç e theksova pak më parë, një ndër hallkat e këtij zinxhiri është derdhja e energjisë dhe potencialit profesional, por ndërkohë kjo duhet të ndërlidhet dhe të bashkëpunojë në nivel të kënaqshëm edhe me komponentët e tjerë përbërës të qëllimit.
Në të kundërtën, suksesi i ekspozohet rreziqeve të cilat cenojnë qëndrueshmërinë, rrjedhimisht dështimi është i paevitueshëm.

CIO: Atëherë , në çfarë niveli është bërë kjo ndërlidhje në kompaninë tuaj?
Selmani:
Qëndrueshmëria financiare dhe zgjerimi i vazhdueshëm i kapitalit të kompanisë është konsekuencë e nivelit të lartë të ndërlidhjes së këtyre elementeve.

CIO: Si arrihet profesionalizmi tek kompania juaj?
Selmani: Arritja e profesionalizmit i përket së kaluarës në kompaninë të cilën e drejtoj. Dua të theksoj se: qeverisja efikase dhe profitabile është e pamundur të realizohet pa resurse njerëzore dhe profesionale. Unë kam pasur fatin të zgjedh, respektivisht të ndërtoj një ekip shumë profesional dhe maksimalisht të përkushtuar për vënien në jetë të planit të biznesit dhe vizionit të kompanisë. Një ekip i arsimuar si në: Ph.D të Shkencave Kompjuterike, M.Sc të Shkencave Kompjuterike, BS në Shkenca Kompjuterike, BS dhe M.Sc në Menaxhim, të çertifikuar nga Microsoft, Hewlett Packard, Cisco, Canon, VMware, Symantec etj. besnikë ndaj parimeve menaxheriale e ekzekutive, standardeve operacionale dhe rregullores së punës.

CIO: Cilat janë relacionet tuaja si kompani me prodhuesit, të cilët i përmendët pak më lart?
Selmani: Si rezultat i potencialit tonë profesional dhe ekonomik, kompania jonë gëzon statuset, si: HP Gold Partner, Microsoft Certified Partner, Cisco Certified Partner, Canon Certified Partner, VMware Certified, Symantec Certified etj. Theksimet paraprake dhe relacionet me prodhuesit mbesin shtyllat kryesore të realizimit të vizionit të kompanisë, që ka të bëjë me zgjerimin e ndikimit ekonomik dhe social, me theks të vlerës, kreacionit dhe inovacionit në industrinë e teknologjisë informative dhe komunikimit.

CIO: Cila është arsyeja që ju theksoni zgjerimin e ndikimit ekonomik dhe social?
Selmani: E theksoj për vetë faktin se, deri tani PBC ka marrëdhënie ekonomike me një numër të madh entitetesh të klientelës “Korporatë”.
Duke filluar nga Presidenca e Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Gjyqësori, Korporatat dhe ndërmarrjet publike. Por një rëndësi të madhe kanë edhe organizatat ndërkombëtare, të cilat operojnë në Republikën e Kosovës, pa lënë mbrapa edhe klientelën si: “Biznes i Vogël dhe i Mesëm” dhe klientelën “Shtëpi”. E gjithë kjo ka krijuar ndikim ekonomik shumëdimensional. Ndërkohë, zgjerimi i ndikimit të tillë është i orientuar drejt tregjeve ndërkombëtare si: tregu gjerman folës dhe tregu Kroat.

CIO: A keni krijuar marrëdhënie ekonomike me këto tregje, e nëse po cilat janë relacionet ekonomike me to?
Selmani: Sigurisht që po. Tani jemi në fazën e zyrtarizimit të relacioneve ekonomike me këto tregje. Ndër këto relacione, mund të përmend si lançimin e kornizës sonë komerciale në këto tregje dhe zyrtarizimin e eskluzivitetit të disa prodhuesve për tregun e Republikës së Kosovës.

CIO: Një ndër pikat më të rëndësishme të kompanisë, është sigurisht edhe korniza e saj komerciale. A mund të na tregoni cilët janë përbërësit e saj?
Selmani:
Korniza komerciale përbëhet prej 7 (shtatë) divizioneve, si: COMPUTING, CODING, LICENSING, CONSULTING, INTEGRATING, TRACKING dhe SUPPORTING. Për tí sqaruar më tepër këto divizione, më duhet të theksoj se secili divizion përbëhet prej 3 (tre) sektorë dhe i shërbejnë 3 (tre) departamenteve të kompanisë. Më gjerësisht, departamentit të shitjes dhe marketingut, departamentit të implementimit dhe zhvillimit, departamentit të përkrahjes dhe mirëmbajtjes, në mënyrë direkte dhe departamentit të financave dhe administratës në mënyrë indirekte.

CIO: Atëherë, korniza komerciale e kompanisë tregon mirë organizimin e saj. Sa sfiduese ka qenë kjo për ju?
Selmani:
Në mënyrë absolute, në një kompani ka shumë rëndësi mirë organizimi i saj. Procesi i korporatizimit të ndërmarrjes, pavarësimi i proceseve të punës dhe mbështjellja e tyre me bazën e përgjegjësisë dhe performancës kanë qenë mjaft sfiduese dhe të kushtueshme.

CIO: Përmendët tregjet ndërkombëtare. Sa mund të jeni konkurrent në ato tregje, kur dihet që zhvillimet teknologjike vijnë nga tregjet ndërkombëtare?
Selmani: Teknologjia Informative është një fushë, e cila në sistemet komplekse operon nga shërbimet e centralizuara.  Zbatimi i këtyre shërbimeve mundësohet edhe nga metodologjia “Cloud”. Metodologji kjo që eviton nevojën e prezencës fizike kudo. Dhe nëpërmjet kësaj metodologjie, ne mund të jemi prezent dhe shume konkurrent në shumicën e shteteve të botes. Si plotësim, zhvillimet e metodologjive vijnë nga tregjet ndërkombëtare, ndërsa solucionet për dixhitalizimin dhe automatizimin e proceseve krijohen nga ndërmarrje të ndryshme. Ndërmarrja jonë zhvillon solucione dhe i zbaton ato për palë të treta.

CIO: A mund tí zbatoni këto solucione ed
he në tregun e Kosovës nëpërmjet metodologjisë “Cloud”?
Selmani: Natyrisht që po, por “Cloud” ose HW PaaS dhe SW PaaS është një zgjidhje, që në terma të gjatë kohorë është më e kushtueshme financiarisht, ndërsa një ndër parimet tona menaxheriale dhe ekzekutive është reduktimi i investimeve të klientit dhe optimizimi i sistemit.  E këtë e realizojmë nëpërmjet metodologjive tjera apo metodologjisë që njihet si “Virtual Infrastructure”


CIO: Do dëshiroja, që gjatë kësaj interviste të mos flasim vetëm për kompaninë në tërësinë e saj, por edhe për ju si individ. Si e ndjeni veten
si udhëheqës i PBC-së dhe sa kohë ju merr gjatë një dite, angazhimi që ju keni në kompani?
Selmani: Kryesimi i një kompanie të suksesshme natyrisht të bën të ndjehesh shumë mirë, por edhe përgjegjës për ruajtjen e vijës dhe ngritjes së suksesit. Meqenëse kompania, të cilën drejtoj është një kompani e madhe dhe me shumë procese paralele, përkushtimi kohor është i gjatë. Fleksibiliteti dhe mbështetja ime ndaj menaxherëve të departamenteve, divizioneve apo edhe sektorëve është e lartë, si rrjedhojë ka një kosto në kohë, përkundër takimeve të rregullta. Të gjitha këto më bëjnë që të angazhohem dhe të përkushtohem rreth 10 (dhjetë) orë në ditë.

CIO: Cilat janë karakteristikat qe i duhen një drejtuesi, për te çuar një kompani drejt suksesit?
Selmani:
Një drejtues i mirë dhe i suksesshëm duhet të ketë shumë karakteristika, për të drejtuar një kompani drejt suksesit. Ndër to, unë do të veçoja: parimet njerëzore, profesionalitetin, vigjilencën ndaj çështjeve që e rrethojnë dhe konkretizimin e objektivave në nivel të ndërmarrjes që drejton.

CIO:  A ka ndonjë sekret për tu bërë lider? Nëse po, cili është ky?
Selmani:
Mendoj se lider nuk mund të bëhesh nëse s’ke lindur si i tillë. Liderët mund të pasurohen me metodologjitë e praktikës. Ndërsa, si menaxherë mund të avancohen të gjithë ata, që kanë gatishmëri të akumulojnë profesionalizmin e fushëveprimit të tyre dhe format moderne të komunikimit me masën, përkatësisht vartësit.

CIO: z. Selmani ju faleminderit për kohën që na kushtuat dhe ju urojmë punë të mbarë!
Selmani:
Faleminderit për përzgjedhjen! Ju përgëzoj për punën profesionale!

Lajmet e fundit>