Internet

ICANN do t’u japë prioritet domeineve të rinj në bazë të shortit

Oct 22 2012
0 Shpërndarje
ICANN do t’u japë prioritet domeineve të rinj në bazë të shortit

ICANN (Internet Corporation for Assigned Names and Numbers) ka propozuar mbajtjen e një shorti për të përcaktuar cilat aplikime për domeinet e reja do të trajtohen të parat. Për ta bërë këtë short të ligjshëm, organizata shpreson të arrijë të përdorë një pikë të caktuar të ligjit në Kaliforni.

ICANN planifikoi fillimisht të përdorte një garë “Digital Archery” për të përcaktuar se cilat aplikime për gTLD-të (Generic Top Level Domain) e reja do të vlerësoheshin të parat. Këto domeine janë për shembull “.security“, “.beer“, “.download” etj. Ky sistem nevojitet pasi nuk mund të trajtohen njëkohësisht të gjithë 1923 aplikacionet gTLD. ICANN ka deklaruar se mund të merret me vetëm 1000 aplikime në vit.

Metoda e përdorimit të “Digital Archery” u anulua në qershor pasi aplikantët shprehën pakënaqësi dhe ankesa lidhur me rezultatet dhe problemet me vonesat në rrjet. Që prej asaj kohe, ICANN është përpjekur të gjejë një zgjidhje tjetër. Një nga alternativat është pikërisht mbajtja e një shorti , por organizata kaliforniane duhet të veprojë sipas ligjeve vendore, të cilat ndalojnë shortet e palicencuara. ICANN, gjithsesi, mendon se ka gjetur një rrugëdalje nga ky ligj.

ICANN është regjistruar për të marrë licencën e mbajtjes së këtij shorti

“Shorti bën pjesë në rastet e veçanta të ligjit në Kaliforni, sipas së cilit lejohen vetëm disa grupe jo-fitimprurëse (ku përfshihet edhe ICANN) për të mbajtur shorte të tilla. ICANN është regjistruar për të marrë licencën e mbajtjes së këtij shorti dhe presim që ajo të na jepet jo më vonë se fundi i nëntorit”,- shkruante organizata në një dokument të bërë publik para disa ditësh.

Shorti do të ketë një proces manual. Secili aplikant do të duhet të blejë një biletë shorteu, që do të kushtojë 100 $.

Ajo do të jetë e vlefshme për një emër të vetëm domeini. Blerjet mund të bëhen vetëm personalisht, ose nga një person i autorizuar ose nga ICANN.

ICANN planifikon të mbajë shortin midis datave 4 dhe 15 dhjetor dhe do t’i japë çdo aplikanti një numër të caktuar, i cili do të përcaktojë prioritetin e domeinit të kërkuar në të gjithë procesin e vlerësimit të gTLD. Ato numra do të shërbejnë edhe për të vendosur takimet mbi realizimin e testimeve dhe marrëveshjeve.

Gjithsej do të zhvillohen 20 testime dhe 20 kontrata në javë. “Asnjë kontratë nuk do të zbatohet plotësisht deri në mbledhjen e ICANN në Pekin”,- deklaroi organizata. Takimi në Pekin është planifikuar të zhvillohet nga data 7 – 11 prill të vitit që vjen. “Për shkak të rregullave strikte lidhur me këto lloj shortesh, ICANN nuk do të shesë bileta përmes internetit. Ato do t’u jepen personalisht aplikantëve apo përfaqësuesve të tyre”,- shtoi ICANN.

Procesi pritet të fillojë në mesin e vitit që vjen

Ky proces pritet të fillojë në qershor ose korrik të vitit tjetër, pavarësisht se ishte planifikuar në vjeshtë të këtij viti. Jannik Skou, partner në firmën e këshillimit Thomsen Trampedach, u shpreh se vonesa është një periudhë 6 mujore dhe se i gjithë procesi ishte një farsë. Megjithatë, ai preferon shortin më tepër se sa “Digital Archery”.

Sipas tij, çdo metodë tjetër është më e mirë se “Digital Archery”. Gjithsesi, ai shprehet i indinjuar se përse ICANN nuk e mendoi paraprakisht gjithë procesin para fillimit të tij. Në listën e kritikave të tij shtohet edhe favorizimi i domeineve ndërkombëtare. “Për mua mbetet mister se përse IDN-të (Internationalized Domain Name) do të kenë prioritet.

Kjo nuk është e drejtë pasi nuk u deklarua që në fillim. Nëse kompani si Google apo Yahoo do të ishin në dijeni të këtij fakti, atëherë ata do të kishin aplikuar për një gTLD kineze fillimisht, e më pas për pjesën tjetër të domeineve që kërkojnë”,- u shpreh Skou. (CIO Albanian)

Tags >

domain
Lajmet e fundit>