Marketing

IAB: Reklamat mobile dyfishohen, arrijnë 3 miliardë $ në gjysmën e parë të 2013-s

Oct 18 2013
0 Shpërndarje
IAB: Reklamat mobile dyfishohen, arrijnë 3 miliardë $ në gjysmën e parë të 2013-s

mobile_ad-100057748-largeTë ardhurat nga reklamat mobile u dyfishuan në gjysmën e parë të vitit 2013, duke kapur shifrën e 3 miliardë $. Kjo tregon se marketerët kanë filluar ta kuptojnë vlerën e ofrimit të reklamave përmes tabletëve dhe smartfonëve.

Bëhet fjalë në fakt për një rritje me më shumë dyfish (145%) nga 1.2 miliardë $ një vit më parë në të njëjtën periudhë, sipas raportit të publikuar nga Interactive Advertising Bureau (IAB). Analistët ia kanë atribuar këtë rritje një sërë faktorëve, përfshi mundësitë më efiçente që përdoren sot për të matur suksesin e këtyre lloj reklamave.

Ndërkohë, kompanitë nuk i zbulojnë shpenzimet e tyre në këtë fushë, apo edhe të ardhurat që përfitojnë nga reklamat mobile. Gjithsesi, edhe pse bëhet fjalë për një rritje të madhe të reklamave mobile, analistët vlerësojnë se ato përbëjnë ende një shifër të vogël të të gjithë reklamave online, vetëm 15%.

IAB i përkufizon reklamat mobile me “mesazhet tekst, reklamat në internet, spotet audio dhe video në smartfonë, telefonë të thjeshtë dhe tabletë.” Ato shfaqen zakonisht nëpër uebfaqet që kanë një version mobile për përdoruesit, nëpër aplikacionet mobile, shërbimet e tekstit apo nëpër motorët e kërkimit.

Vetëm Google përfshin pothuajse gjysmën e tregut të reklamave në vitin 2013, sipas një sërë firmash analitike, ndërsa Facebook pritet të kapë rreth 15%. Rrjeti social është shprehur se gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, reklamat mobile përbënin 41% të të ardhurave totale nga reklamat, çka vërteton edhe njëherë rritjen e interesit në këtë sektor të marketingut. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>