Investim

HP porosit konsumatorët kosovarë që të blejnë produkte origjinale

Feb 24 2011
0 Shpërndarje
HP porosit konsumatorët kosovarë që të blejnë produkte origjinale

Kur ju blini produkte jo origjinale të HP-së, faji nuk është i yni”, deklaroi Bozo Beric, trajnues dhe konsultat i autorizuar nga 4CeCom, në një konferencë të bashkorganizuar nga HP dhe Comtrade Computers në Prishtinë. Bozo Beric, trajnues dhe konsultat i autorizuar nga 4CeCom, dhe Elena Andonovska, menaxhere për partnerë dhe shfrytëzues në kanalin komercial të HP-së, ishin prezantuesit kryesorë të konferencës së organizuar nga HP nën përkrahjen e Comtrade Computers në fund të muajit janar të këtij viti.

Produktet e HP-së janë të një kualiteti të lartë, që është dëshmuar vazhdimisht si në nivel ndërmarrjesh edhe në nivel konsumatorësh, por vitet e fundit kjo kompani është duke u sfiduar nga produktet e falsifikuara, të cilat u prezantohen blerësve si produkte kinse origjinale të HP-së. “Sot në treg keni produkte nga prodhues të ndryshëm, të cilët ju paraqiten juve me oferta kinse të mira, por në fakt ju sjellin vetëm telashe dhe asnjë lloj përfitimi pavarësisht se ju duket se kushtojnë më lirë”, u shpreh z. Beric në prezantimin e tij jashtëzakonisht kreativ në lidhje me arsyet për blerjen e tonerëve origjinalë të Hewlett-Packard.

“Dikush mund të thotë se po kursen me blerjen e një produkti prej ndonjë pale të tretë me markë të besueshme, por kini parasysh se pas kësaj do të shfaqen kostot e vërteta. Me tonerin origjinal të HP-së ju mund të printoni një numër të paracaktuar faqesh dhe t’i dini saktësisht shpenzimet në kompani apo shtëpi. Me plot besim e them se printeri kurrë nuk do të pësojë ato defekte që ndodhin për shkak të tonerëve të palëve të treta. Me tonerët e prodhuesve të tjerë mund t’ju ndodhë defekti i mosshpërndarjes së ngjyrës në mënyrën e duhur, defekti i mosfunksionimit të ngjyrës, i bllokimit të saj, etj.”, theksoi ai. “Në anën tjetër, HP garanton për produktet e veta dhe shkalla e gabimit në to është mjaft e vogël, 2 në 1000 produkte kanë ndonjë defekt, kurse prodhuesit e tjerë nuk mund ta garantojnë këtë.” Z. Beric bëri edhe një prezantim të teknologjisë laserike dhe teknologjisë inkjet, duke bërë një krahasim direkt mes ofertave të HP-së dhe të konkurrencës dhe dha shenja të qarta se si këto produkte janë më të lira, më efikase dhe më ekonomike.

“Sot një printer i HP-së nuk shpenzon as sa një poç elektrik. Por ka printerë të tjerë që kanë transformator rryme me vete dhe që lëshojnë tinguj jashtëzakonisht të çuditshëm kur filloni ndonjë proces printimi. Kjo zhurmë në fakt është zhurma që tregon se ai printer po fillon ngrohjen për procesin e printimit, kurse printeri i HP-së ndërkohë ka nisur të printojë”. Sipas tij, zgjidhjet e printimit për konsumatorë individualë apo biznese nga ana e HP-së janë jashtëzakonisht të mira, madje prej më të mirave në treg. “Një printer si OfficeJet Pro është i mirë në të gjitha aspektet, madje mund të quhet mbreti i printimit sepse me teknologjinë e tij Instant-ready për printim me ikjet ai sjell printim 50% më të lirë krahasuar me printerët laserikë”, theksoi Beric. “Por mos harroni të përdorni elementet origjinale të HP-së sepse ato përgatiten aq mirë, saqë formulat e tyre janë në fakt top sekrete. Edhe letra është shumë cilësore dhe asnjëherë nuk e dëmton printerin apo shkakton bllokimin e tij, duke sjellë kursim në printim. Në anën tjetër, letrat e falsifikuara apo ato që nuk janë prodhim i HP-së do t’ju shkaktojnë kokëçarje dhe ju mbetet vetëm t’i merrni dhe t’ia hidhni në fytyrë shitësit që jua ka ofruar.” Elena Andonovska bëri një prezantim të shkurtër të dukurisë së paraqitjes së produkteve të falsifikuara të HP-së, duke treguar shenjat që duhen vëzhguar prej konsumatorëve, bizneseve e institucioneve në lidhje me verifikimin e origjinalitetit të produktit që paraqitet si produkt i HP-së.

“Kini parasysh se HP nuk shet produkte të rimbushura. Të gjitha produktet e HP-së janë të reja dhe kur vendosni një toner në printer, nëse e largoni atë menjëherë prej tij, do të vëreni disa gërvishtje të vogla anësore, që tregojnë se ai po përdoret për herë të parë në printerin tuaj. Nëse nuk i vëreni ato, atëherë keni të bëni me një toner të rimbushur apo të falsifikuar”, theksoi Andonovska. Sipas saj, ka shumë faktorë të tjerë që duhen vëzhguar, si paketimi, prania e ndonjë elementi të papastër në tonerin e blerë, prania e etiketave origjinale të HP-së, kualiteti i lartë i paketimit, etj. “HP përdor kualitet të lartë në të gjitha produktet e saj, kështu që po vutë re se kartoni nuk po ju jep ndjenjën që duhet të japë, atëherë bëhuni gati për një produkt të falsifikuar. Kujdesuni që të kërkoni edhe letrat origjinale rekomanduese të HP-së për cilindo shitës që vizitoni. HP i autorizon partnerët e saj që të shesin produkte origjinale dhe kohë pas kohe i viziton pa paralajmërim ata për të konfirmuar stokun e tyre”, shtoi ajo.

Në një deklaratë të shkurtër për PCWorld Albanian ajo nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi praninë e produkteve të falsifi kuara në Kosovë apo zhvillimin e ndonjë hetimi të caktuar nga ana e zyrtarëve të HP-së. “Nuk mund të jap ndonjë koment zyrtar në këtë aspekt. Kur të përfundojnë hetimet, atëherë do të jem në gjendje të flas në këtë drejtim”, u shpreh Andonovska. Të pranishmit në konferencë patën rastin të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje në lidhje me prezantimin e bërë prej përfaqësuesve të HP-së. Njëra prej pyetjeve më interesante që u bë nga ana e publikut ishte ajo që kishte të bënte me ruajtjen e markës tregtare të HP-së për të sfiduar praninë e falsifikatorëve në treg. “HP ka kontaktuar me zyrtarët e qeverisë së Kosovës për të regjistruar markën e saj tregtare në mënyrë që të jetë e mbrojtur ligjërisht në treg”, u përgjigj në këtë drejtim Andonovska. Njëri prej të pranishmëve në konferencë, përmes një loje shpërblyese, pati rastin të fitojë edhe një printer HP. Pa dyshim që pas kësaj që dëgjoi, do ta ketë parasysh më seriozisht mirëmbajtjen e printerit të tij me elemente përcjellëse origjinale të HP-së.

Lajmet e fundit>