Investim

HP në Prishtinë: Blini produkte origjinale!

Jan 31 2011
0 Shpërndarje
HP në Prishtinë: Blini produkte origjinale!

“Kur ju blini produkte jo origjinale të HP, faji nuk na takon neve” u shpreh gjatë ditës së sotme Bozo Beric, trajner dhe konsultat i autorizuar nga 4CeCom, në një konferencë të bashkëorganizuar nga  HP dhe Comtrade Computers, në Prishtinë.

Bozo Beric, trajner dhe konsultat i autorizuar nga 4CeCom dhe Elena Andonovska, menaxhere për partnerë dhe shfrytëzues në kanalin komercial të HP, ishin prezantuesit kryesor të konferencës së sotme të organizuar nga ana e HP dhe nën përkrahjen e Comtrade Computers.

Produktet e HP kanë një kualitet të lartë të cilin e kanë dëshmuar vazhdimisht si në nivel të ndërmarrjeve e gjithashtu edhe në nivel të konsumatorëve, por gjatë viteve të fundit kjo kompani është duke u sfiduar nga produktet e falsifikuara, të cilat prezantohen par blerësve si produkte kinse origjinale të HP. “Sot në treg keni produkte prej prodhuesve të ndryshëm që ju paraqiten me oferta kinse të mira, por ato në fakt ju sjellin vetëm telashe dhe asnjë lloj përfitimi pavarësisht se do t’ju duket se kushtojnë më lirë” u shpreh z. Beric në prezantimin e tij jashtëzakonisht kreativ në lidhje me arsyet për blerjen e tonerëve origjinal të Hewlett-Packard.

“Dikush mund të thotë se po kursen me blerjen e një produkti prej ndonjë pale të tretë me markë të besueshme, por keni parasysh se pas kësaj do të paraqiten kostot e vërteta. Me tonerin origjinal të HP ju mund të printoni numër të saktë të faqeve dhe të dini saktë shpenzimet brenda kompanisë apo shtëpisë suaj, e gjithashtu me plot besim po e them se printeri kurrë nuk do të pësojë defekte që paraqiten për shkak të tonerëve prej palëve të treta. Me këta lloj tonerësh prej prodhuesve tjerë mund t’ju paraqitet defekti i mos shpërndarjes së ngjyrës në mënyrën sesi duhet, defekti i mos funksionimit të ngjyrës, defekti i bllokimit të saj, etj” theksoi ai. “Në anën tjetër HP garanton për produktet e saja dhe shkalla e gabimit në to është mjaft e vogël, 2 në 1000 produkte kanë ndonjë defekt, ku për krahasim prodhuesit tjerë nuk mund të garantojnë këtë”.

z. Beric bëri edhe një prezantim të teknologjisë laserike dhe teknologjisë inkjet,duke bërë një krahasim direkt mes ofertave të HP dhe ofertave të konkurrencës, duke dhënë shenja të qarta sesi këto produkte janë më të lira, më efikase dhe më ekonomike. “Sot një printer i HP nuk shpenzon as sa një poç elektrik. Kurse për krahasim keni printerë të tillë që kanë trafo të rrymës me vete e që lëshojnë tinguj jashtëzakonisht të çuditshëm kur filloni me ndonjë proces të printimit. Kjo zhurmë në fakt është zhurma që tregon se ai printerë po fillon me ngrohjen për procesin e printimit, kurse në anën tjetër printeri i HP veçse ka filluar me printim”.  Sipas tij zgjidhjet për konsumatorë individual apo biznesor për printim nga ana e HP janë jashtëzakonisht të mira dhe madje prej më të mirave në treg.

“Një printer si OfficeJet Pro është i mirë në të gjitha aspektet. Madje mund të quhet mbreti i printimit, sepse me teknologjinë e tij Instant-ready për printim me inkjet,ai sjellë printim 50% më të lirë krahasuar me printerët laserik” theksoi Beric. “Por mos harroni që të përdorni elementet origjinale të HP sepse ato përgatiten aq mirë, sa që recepturat e tyre janë në fakt top sekrete. Madje edhe letra është shumë kualitative dhe asnjëherë nuk dëmton printerin apo shkakton bllokimin e tij, dhe gjithashtu sjellë kursim në printim. Kurse në anën tjetër letrat e falsifikuara apo letrat që nuk janë prodhim i HP do t’ju shkaktojnë kokëçarje dhe ajo që juve u mbetet është t’i kapni ato dhe t’ia hidhni për koke shitësit që ua ka ofruar”.

Në anën tjetër Elena Andonovska, bëri një prezantim të shkurtër rreth dukurisë së paraqitjes së produkteve të falsifikuara të HP, duke treguar shenjat të cilat duhet vëzhguar prej konsumatorëve, bizneseve e institucioneve në lidhje me verifikimin e origjinalitetit të produktit që paraqitet si produkt i HP. “Keni parasysh se nuk shet produkte të rimbushura. Të gjitha produktet e HP janë të reja dhe kur ta vendosni një toner në printeri nëse e largoni atë menjëherë prej tij do të vëreni disa gërvishtjet të vogla anësore që tregojnë se ai po përdoret për herë të parë në printerin tuaj. Nëse nuk i vëreni ato atëherë keni të bëni me një toner të rimbushur apo të falsifikuar” theksoi Andonovska. Sipas saj ka shumë faktor tjerë që duhet vëzhguar përkatësisht paketimin, praninë e ndonjë elementi të papastër në tonerin e blerë, prania e etiketave origjinale të HP,kualiteti i lartë i paketimit, etj.

“HP përdor kualitet të lartë në të gjitha produktet e saja, kështu që po që se vëreni se kartoni nuk po ju jep ndjenjën që duhet ta jap atëherë bëhuni gati për një produkt të falsifikuar. Keni parasysh që të kërkoni edhe letrat origjinale rekomanduese të HP për cilindo shitës që po vizitoni. HP në këtë formë autorizon partnerët e saj që të shesin produkte origjinale dhe kohë pas kohe pa paralajmërim i viziton ato për të konfirmuar stokun e tyre” theksoi ajo. Në një deklaratë të shkurtër për PCWorld Albanian ajo nuk konfirmoi e as mohoi praninë e produkteve të falsifikuara në Kosovë, apo zhvillimin e ndonjë hetimi të caktuara nga ana e zyrtarëve të HP. “Nuk mund të jap ndonjë koment zyrtar në këtë aspekt. Kur të përfundojnë hetimet atëherë do të jem në gjendje të flas në këtë drejtim” u shpreh Andonovska.

Të pranishmit në konferencë patën rastin që të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje në lidhje me prezantimin e bërë prej përfaqësuesve të HP-së, dhe një prej pyetjeve më interesante që u bë nga ana e publikut ishte ajo që kishte të bënte me ruajtjen e markës tregtare të HP për të sfiduar praninë e falsifikatorëve në treg. “Po HP ka kontaktuar me zyrtarë të Ministrisë së Kosovës për të regjistruar markën e saj tregtarë në mënyrë që të jetë e mbrojtur ligjërisht në treg” u përgjigj në këtë drejtim Andonovska.

Njëri prej të pranishmëve në konferencë, përmes një loje shpërblyese, pati rastin që të fitojë edhe një printerë HP, dhe padyshim që pas kësaj që dëgjoi sot do ta ketë parasysh më seriozisht mirëmbajtjen e printerit të tij me elemente përcjellëse origjinale të HP.

 

Lajmet e fundit>