Mobile

Hiqet rregullimi, Albtelecom do t’i përcaktojë vetë tarifat

Aug 30 2012
0 Shpërndarje
Hiqet rregullimi, Albtelecom do t’i përcaktojë vetë tarifat

Tarifat e shërbimeve të Albtelecom së shpejti do të liberalizohen. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, ka marrë paraprakisht vendimin për të hequr rregullimin e tarifave me pakicë.

Vendimi pritet të miratohet në vjeshtë, pasi të ketë përfunduar konsultimi publik i analizës së tregut të telefonisë fikse.

Në këtë analizë, AKEP, ndonëse konfirmon statusin e operatorit me fuqi të ndjeshme, gjykon se rregullimi i tarifave është i nevojshëm vetëm në nivel shumice, pra në interkoneksionin e Albtelecom me operatorët e tjerë.

Për sa i takon tarifave për përdoruesit, AKEP gjykon se rregullimi nuk është më i nevojshëm, për shkak të rritjes së rolit të operatorëve alternativë në shërbimet e telefonisë fikse.

Sipas AKEP, gjatë viteve të fundit pjesa e tregut të Albtelecom, të paktën sipas numrit të pajtimtarëve, ka rënë ndjeshëm dhe në fund të vitit 2011 ishte 76%.

Vitin e kaluar, Albtelecom ka pësuar rënie të numrit të abonentëve me 7%, ndërsa operatorët alternativë e kanë rritur numrin e abonentëve me 49%. Megjithatë, duhet thënë se pjesa e Albtelecom ngelet mjaft e lartë në trafikun e thirrjeve telefonike dalëse, me 94% të totalit.

AKEP gjithashtu gjykon se një element i rëndësishëm është ulja e ndjeshme e tarifave nga operatorët celularë, çka në vetvete do të japë një efekt rregullues edhe në tarifat e telefonisë fikse. Vendimi për të hequr rregullimin nënkupton se tashmë Albtelecom mund t’i përcaktojë lirisht tarifat e thirrjeve dhe vlerën e pajtimit mujor.

Dy vjet më parë, AKEP miratoi një rregullim të tarifave me pakicë të Albtelecom, që parashikonte rritje të vlerës së pajtimit mujor dhe të tarifave për thirrjet lokale, por ulje të tarifave për thirrjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Por, ndonëse jo zyrtarisht, vendimi hasi në kundërshtime nga qeveria, sidomos për tarifën e pajtimit mujor, që sipas AKEP ishte në kosto dhe duhej të rritej.

Për këtë arsye, zbatimi i vendimit në këtë pjesë u pezullua dhe pajtimi mujor nuk u rrit përtej 530 lekëve në muaj.

Tashmë, duket se AKEP ka vendosur të heqë dorë përfundimisht nga ndërhyrjet dhe t’i besojë vetërregullimit të tregut nga konkurrenca e shtuar. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>