IT Organizate

Hapet PROTIK, qendra e parë për Teknologjinë e Informacionit

Oct 11 2012
0 Shpërndarje
Hapet PROTIK, qendra e parë për Teknologjinë e Informacionit

U inaugurua në Tiranë PROTIK, qendra e parë burimore dhe e trajnimeve për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.

Qendra do të mbështesë zhvillimin dhe përdorimin e Inovacionit dhe Teknologjive të Informacionit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Misioni i PROTIK është të shërbejë si katalizator për zhvillimin e kësaj industrie, duke nxitur inovacionin, sipërmarrjen dhe kërkesën për këto shërbime. Ministri i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo, tha se inaugurimi i ambienteve të qendrës PROTIK, ishte një tjetër hap i rëndësishëm në kuadrin e përgjithshëm të Agjendës Digjitale në Shqipëri.

Qeveria synon që Shqipëria të përfitojë maksimalisht nga teknologjitë e reja, duke u shndërruar kështu në një qendër TIK të mirëfilltë, në rajon por edhe me gjerë, për të nxitur zhvillimin  ekonomik, dhe për të konkurruar më së miri me vendet e tjera, në një treg që nuk rresht së zhvilluari. Jam i besimit se PROTIK do të ndihmojë dhe mbështesë përpjekjet tona në realizimin e këtij objektivi kombëtar,” tha z.Pollo.

Në funksion të përhapjes së informacionit, qendra PROTIK do të vërë theksin tek promovimi i produkteve të reja, forcimi i rrjetit në sektorin e TIK-ut dhe në vënien në dispozicion të burimeve të tjera të çmuara.

Qendra do të angazhohet në veprimtari të tilla si demonstrime të produkteve të reja, prezantime në grup, për të paraqitur produkte dhe ndërmarrje shqiptare, apo edhe konkurse inovative dhe arsimore në fushën e TIK-ut. Për të ndihmuar partneritete dhe për të zgjeruar ndërgjegjësimin, qendra do të organizojë vazhdimisht veprimtari rrjetëzuese , duke përfshirë takime ndërmjet bizneseve, takime të sektorit të TIK-ut dhe veprimtari të tjera informale për nxitjen e kontakteve midis aktorëve dhe grupeve të interesit në këtë fushë.

Qendra do të funksionojë si një organizatë e pavarur, jo fitimprurëse dhe është ngritur me kontributin e përbashkët të qeverisë shqiptare, USAID, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Microsoft Albania, Albtelecom dhe Cisco. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>