Internet

Google+ tashmë një fantazmë?

May 18 2012
0 Shpërndarje
Google+ tashmë një fantazmë?

Rrjeti shoqëror i Google tanimë ka më shumë se 100 milionë përdorues, por hulumtimet e fundit dëshmojnë që posa të regjistrohemi humbim interesimin për këtë rrjet shoqëror. Ka ndodhur kjo me juve?

Sipas kompanisë për matje biznesore, RJMetrics, një postim në Google+ ka mesatarisht më pak se një +1, më pak se një koment, dhe rishpërndahet më pak se një herë. Kjo do të thotë që informatat e postimit nuk vërehen nga të tjerët, një arsye kryesore pse përdoruesit nuk kthehen ose kthehen shumë rrallë.

Sipas RJMetrics një përdorues poston në Google+ çdo 12 ditë dhe 30% e të gjithë përdoruesve të cilët kanë postuar një herë nuk janë kthyer të postojnë kurrë më. Edhe nëse numri i postimeve kalon shifrën prej pesë sosh, akoma ekziston mundësia që 15% e përdoruesve nuk do të postojnë kurrë postimin e gjashtë.

Kjo e ka kthyer Google+ në një “rrjet shoqëror fantazmash”. Google+ tani cilësohet si një vend i kotë ku për dallim nga rrjetet shoqërore komunikimi ndërmjet përdoruesve është pothuajse në minimum. Ne kthehemi në Facebook pasi miqtë tanë postojnë njoftime, fotografi, dhe komentojnë në postimet e fotografitë tona. Në Google+ nuk ndodh kjo, dhe nëse dikush nuk komenton apo pëlqen statuset e fotografitë tona, atëherë edhe neve na humb motivimi për të bërë këtë. Në fakt shumica e miqve në Google+ janë persona të panjohur për përdoruesit në krahasim me Facebook ku më shumë miq janë persona të njohur dhe të afërt me ne.

Kjo apati e përdoruesve të Google+ është arsye kryesore pse ky rrjet shoqëror po vazhdon të dështoj. Tani detyra kryesore e Google është të gjej ndonjë mënyrë për të shpëtuar para se të jetë shumë vonë. /CIO.al/

Lajmet e fundit>