Harduer

Google sjell tabletë të lirë

Apr 20 2012
0 Shpërndarje
Google sjell tabletë të lirë

Sipas Larry Page, CEO-s të Google, kjo kompani do të sjell një valë të re të tabletëve që do të jenë të përshtatshëm për buxhetin e konsumatorëve. Pas suksesit të Kindle Fire, Google sheh hapësirë të madhe në tregun e ulët të tabletëve, derisa në tregun e lartë janë pak tabletë që po sfidojnë iPad-in e Apple.

Tabletët që operojnë në sistemin operativ Android nuk janë aq të popullarizuara sa janë celularët e mençur me këtë sistem operativ, të cilët edhe dominojnë këtë treg. Çmimet fillestare të iPad nisin në 400$, derisa prodhuesit e tabletëve të bazuar në Android nuk kanë arritur të përshtatin produktet e tyre me këtë çmim dhe cilësitë e iPad-it të Apple, me një përjashtim.

Është Kindle Fire nga Amazon, një tabletë 200$ e bazuar në sistemin operativ Android që shumë shpejtë është ngjitur në pozitën e dytë të tregut të tabletëve edhe pse akoma gjendet shumë larg iPad-it. Por, edhe pse bazohet në Android, Amazon ka ndryshuar aq shumë sistemin operativ të Google në Kindle Fire sa që nuk do të shihni asnjë produkt të markës tregtare Google, dyqanin e tyre të aplikacioneve ose shërbimet tjera mediale pasi gjithçka kontrollohet nga Amazon, ngjashëm siç bën Apple me iPad.

Amazon ka shitur më shumë se 3 milionë tabletë Kindle Fire për vetëm disa muaj pas lançimit, dhe këto shifra janë shumë mirë të njohura për Google.

Duke u përgjigjur në pyetjet gjatë prezantimit të rezultateve të kompanisë, Page deklaroi që “Ka pasur shumë sukses në tregun e ultë të tabletëve që operojnë në Android, ndoshta jo në versionin e plotë të Android, por përfundimisht ne besojmë që do të ketë shumë sukses në këtë treg në të ardhmen. Është një fushë ku ne mendojmë se është shumë e rëndësishme dhe jemi të fokusuar në këtë.”

Këto deklarata të Page kanë nisur spekulime të freskëta javën e kaluar kinse kompania do të lançoj tabletin e saj nën 200$ dikur gjatë verës. Tableti do të ketë ekran 7 inçësh, do të operoj në Android 4.0 me procesorin quad-core dhe pa lidhje 3G, vetëm Wi-Fi.

Gjithashtu sipas këtyre raporteve, Google është duke prodhuar tabletin e ri me kompaninë tajvaneze Asustek dhe jo me Motorola, kompani të cilën e ka blerë së fundmi. Megjithatë prodhimi i një tablete të fuqishme nuk është i lirë. Kostoja e kësaj tablete 7 inçësh vlerësohet të jetë diku rreth 250$ gjë që ka ndikuar në shtyrjen e daljes në treg të këtij tableti për verë duke pritur rënien e kostove për të konkurruar çmimin 200$ të Kindle Fire./cio.al/

Lajmet e fundit>