Aplikacione

Google shton mbrojtje shkarkimi në Chrome, arnon 15 vrima

Jun 8 2011
0 Shpërndarje
Google shton mbrojtje shkarkimi në Chrome, arnon 15 vrima

altGoogle të martën freskoi shfletuesin Chrome në versionin e 12, duke shtuar një mjet të ri që paralajmëron përdoruesit kur ata shkarkojnë dosje nga uebfaqe të rrezikshme në internet.

Kompania gjithashtu arnoi 15 vrima në shfletues dhe pagoi gati 10,000$ për hulumtuesit e jashtëm që i raportuan vrimat skuadrës së sigurisë.

Veti e re në Chrome 12 është vendosja e flamurëve në dosjet e dyshimta të marra nga uebi. Chrome tani shfaq një alarm kur përdoruesi shkarkon disa lloje të dosjeve nga faqet që janë në listën e zezë të shfletimit (Safe Browsing API), listë që mirëmbahet nga Google.

Mesazhi që shfaqet përmban këtë tekst: “Kjo dosje është malinje. Jeni i sigurt që dëshironi të vazhdoni? (This file is malicious. Are you sure you want to continue?)”

Nëse dëshirojnë, përdoruesit mund të injorojnë paralajmërimin dhe të ruajnë dosjen në diskun e tyre.

“Ky paralajmërim do të shfaqet për çfarëdo URL që përkon listën e uebfaqeve malinje të publikuara nga Safe Browsing API,” deklaroi Google në prill kur u shfaq për herë të parë kjo veti në Chrome.

Shfletimi i sigurt (Safe Browsing) tashmë identifikon faqet e pasigurta apo të dyshimta, pastaj i vendos ato në listën e zezë. Chrome, Firefox, Safari, të gjithë i dërgojnë përdoruesit në Safe Browsing, para se të hapin faqet e rrezikshme që ata dëshirojnë t’i vizitojnë.

Por, me zgjerimin e përdorimit të Safe Browsing që të sinjalizojë përdoruesit jo vetëm për faqet malinje, por edhe për shkarkimet që marrin nga to, Google po ndjek hapat e Microsoft.

Internet Explorer 9 (IE9), që u lançua në mesin e muajit mars, përdor diçka që Microsoft e quan “SmartScreen Application Reputation” që të rendit probabilitetin që shkarkimi të jetë softuer i ligjshëm. Dosjet që nuk shfaqen në renditjen legale aktivizojnë paralajmërimin për përdoruesin nëse dëshiron t’i shkarkojë dhe ti lançojë ato.

Veglat e reja brenda IE9 dhe Chrome janë përshëndetur nga hulumtuesit e sigurisë sepse hakerët nuk fokusohen vetëm në vendosjen e malware në makinat e përdoruesve. Shpesh ata janë në gjendje të mashtrojnë përdoruesit që të bëjnë punën e hakerëve pa lodhur ata.

Softueri antivirus i rrejshëm, i quajtur “scareware,” është shembulli më i mirë. Faqet malinje i bëjnë vizitorët të besojmë që PC-të e tyre janë të infektuara, dhe pastaj u japin një softuer të pavlerë që kinse duhej të pastroj kompjuterin e tyre.

Disa përdorues të Mac për herë të parë janë ballafaquar me scareware muajin e kaluar kur një bandë që kishte punuar në sulmin e Windows filloi një kampanjë të shes softuer antivirusi të rrejshëm për përdoruesit e Mac.

Përmirësimet e tjera në Chrome 12 përfshijnë përkrahje shtesë për grafikën 3-D në Windows Vista, Windows 7 dhe Snow Leopard të Mac.

Gjithashtu përkrahin aranzhimet e reja të Adobe Flash që lejon përdoruesit të vendosin nëse dëshirojnë që faqet të përcjellin ata me anë të Flash cookies, që njihet edhe si “Local Stored Objects” (LOB).

Përdoruesit tani mund ti fshijnë Flash cookies kur ata të pastrojnë të dhënat e shfletuesit duke zgjedhur opcionin në panelin e preferencave në Chrome.

IE9 dhe Firefox tashmë përkrahin ndryshimet e Flash në fshirjen e LOB në versionin 10.3, por përdoruesit e Safarit duhet të presin për këtë deri muajin e ardhshëm kur Safari 5.1 do të publikohet me Mac OS X 10.7, i njohur edhe si Lion.

Freskimi i të martës gjithashtu rregullon edhe 15 probleme tjera në Chrome. Gjashtë prej tyre ishin cilësuar si “shumë” të rrezikshme, gjashtë të tjera si “mesatare” dhe 3 të tjera si “pak” të rrezikshme.

Kompania shpërbleu pesë hulumtues me 9,870$, nga të cilat 4,633$ i shkuan kontribuuesit Sergey Glazunov, i cili është bërë një raportues i rregullt, pasi në janar mori edhe një shpërblim tjetër për gjetjen e vrimës që u konsiderua si “kritike” nga Google.

Chrome 12 mund të shkarkohet për Windows, Mac OS X dhe Linux nga uebfaqja e Google. Përdoruesit që tashmë kanë të instaluar shfletuesin nuk duhet të brengosen për këtë pasi ai do të freskohet në mënyrë automatike.

Lajmet e fundit>