Mobile

Google Play në vend të Android Market

Mar 9 2012
0 Shpërndarje
Google Play në vend të Android Market

Përshëndetuni me Android Market, pasi tani e tutje, Google Play do të jetë vendi i ri për të marrë aplikacionet për Android, bashkë me këngë, libra dhe filma.

Android Market, Google Music, dhe Google eBookstore të gjitha tani ju drejtojnë tek play.google.com. Në ditët e ardhshme, aplikacioni Android Market për celularë të mençur dhe tabletë do të shndërrohet në Google Play Store, sipas njoftimit të publikuar në bllogun e kompanisë.

Në fakt ky ndryshim më shumë prek brendin dhe paraqitjen se sa funksionalitetin e Android Market. Listimet për aplikacione, filma, muzikë dhe libra duken pothuajse si më parë, por vetëm domeni dhe logoja janë më ndryshe. Linqet në aplikacionet individuale ju ridrejtojnë tek faqet e tyre respektive në domenin e ri, kështu që ndryshimi s’do të shkaktojë humbjen e linqeve të vjetra.

Për Google, brendi i ri është i kuptueshëm. Dëshiron të luftojë me iTunes-in e Apple, dhe dalëngadalë po mbush raftet e dyqanit të saj online me muzikë, libra dhe filma, të cilat deri tani i ka reklamuar si pjesë të Android Market. Tani kjo ka më shumë kuptim pasi shumica e produkteve që ofrohen janë në dispozicion edhe për PC ose Mac.

Me shërbimin Google Play, Google po mundohet të përmbledh të gjitha përmbajtjet në një vend që do të mund të qasen nga pajisjet Android ose çfarëdo ueb-shfletues desktopi. Teknologjia Cloud është një pjesë e madhe e strategjisë, pasi përmbajtjet e blera në të mënyrë automatike do të jenë në dispozicion për të gjitha pajisjet e përdoruesit pa pasur nevojë të sinkronizojë ato. Kjo është drejtpërdrejt një përgjigje ndaj iCloud të Apple, me ndryshim që në PC, Google përdor ueb-shfletuesin në vend të aplikacionit.

Lajmet e fundit>