Internet

Google+ nis shumë më mirë se Facebook e Twitter

Aug 8 2011
0 Shpërndarje
Google+ nis shumë më mirë se Facebook e Twitter

Google+ është duke u përhapur me të madhe dhe deri tani akoma pa mbushur dy muaj ka arritur një shpërndarje më të madhe se që kishin arritur Facebook, Twitter e Myspace në të njëjtën periudhë.

Rrjeti më i ri shoqëror i lançuar nga kompania Google posa ka mbushur një muaj të ekzistencës dhe tashmë ka më shumë se 25 milionë vizitorë sipas kompanisë që mat trafikun nëpër internet, Comscore.

Comscore deklaroi që Google ka arritur 25 milionë vizitor pak pasi mbushi një muaj. Për të arritur në këtë pikë, Facebook pati nevojë të pres 35 muaj. Twitter priti 30 muaj, ndërsa Myspace kishte pritur 20 muaj për të arritur shifrën prej 25 milionë përdoruesve.

Megjithatë nga Comscore deklarojnë që nuk janë të sigurt se sa nga këta 25 milionë përdorues janë të rregullt, pasi ka shumë prej tyre që vizitojnë dhe regjistrohen në Google+ sa për kuriozitet dhe akoma nuk janë të gatshëm “të futen në pishinë, por vetëm prekin ujin me gishta”. Gjithashtu vlen të theksohet që Google+ akoma është në fazën testuese dhe përdoruesit mund të regjistrohen vetëm me anë të ftesave. Sido që të jetë, numrat e përdoruesve janë mjaft mbresëlënës deklarojnë nga Comscore.

Sipas Comscore, numri më i madh i vizitorëve është nga SHBA-të me më shumë se 6,440,000 vizitorë nga shtëpia dhe puna (pa numëruar pajisjet mobile). India renditet e dyta me 3,600,000 përdorues të Google+. Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë më shumë se 1 milionë vizitorë.

Nga vizitorët 63% të tyre janë meshkuj që përdorin Google+.

Lajmet e fundit>