Internet

Google+ në rritje

Apr 10 2012
0 Shpërndarje
Google+ në rritje

Rrjeti shoqëror rival i Facebook, Google+ siç duket ka nisur të përforcoj veten. Google+ tani ka kaluar shifrën prej 100 milionë përdoruesve, por këta përdorues po kalojnë më pak kohë në këtë rrjet shoqëror se sa kalonin më parë.

Disa vëzhgues mendojnë që kjo nuk është diçka impresive, derisa disa tjerë vënë në pah që dallimi ndërmjet Google+ dhe Facebook është i madh dhe ndryshon edhe qasja se si përdoruesit përdorin këto shërbime.

Në një letër për publikun, CEO i Google, Larry Page kishte përmendur shifrat e reja të përdoruesve, duke shtuar që ky rrjet shoqëror tani është i lidhur me mbi 120 shërbime tjera përfshirë Search, YouTube dhe Android.

Vetëm një muaj më parë, kompania për analiza të tregut, ComScore raportoi shifrat të cilat tregonin se në muajin janar të këtij viti, përdoruesit e Google+ shpenzonin më pak se 3 minuta në faqe, një ulje prej muajit dhjetor.

Megjithatë ka shenja që Google+ është në ngritje, edhe pse nëse krahasohet me Facebook për shifra është shumë poshtë. Firma Experian Hitwise raportoi që vizitat e Google+ në SHBA tejkaluan shifrën prej 61 milionë në muajin mars, një ngritje prej 27% në krahasim me muajin shkurt. E njëjta kompani kishte raportuar se Facebook kishte pasur 7 miliardë vizita në muajin mars në SHBA, një numër gjigant në krahasim me Google+. Në fakt vizitat e Facebook ishin për 1.3 miliardë më pak se në korrik të vitit të kaluar, një rënie prej 15%, edhe pse ato shifra nuk përmbanin vizitat mobile.

Experian Hitwise gjithashtu deklaron që shifrat e vizitave të Google+ po rriten vetëm në SHBA, përkundër bindjes fillestare që kjo kompani ka më shumë vizitorë jashtë SHBA-ve. Google+ më shumë po ngjan me Twitter ku përdoruesit janë më të gatshëm të lidhen me persona të panjohur, ndryshe nga Facebook ku përdoruesit zakonisht lidhen vetëm me ata që i njohin. Kjo i jep një përparësi të vogël Google+ për faktin se mund të gjeni më pak informata personale si për shembull notat e fëmijëve të një personi që keni në rrethin tuaj.

Vlen të theksohet edhe që shifrat për vizitat dhe rritjen e Google+ shpesh nuk përfshijnë vizitat nga pajisjet mobile ose trafikun që vjen nga shtylla njoftuese e Google+. Kjo do të thotë që edhe pa shkuar në Google+ ju mund të shihni se kush ka dhënë +1 në postimet tuaja, ka komentuar në to, ose ju ka vendosur në rrethet e tij.

Në përgjithësi është një lojë e ndërlikuar shifrash që është vështirë të kuptohet.

Lajmet e fundit>