Business & Management

Google kalon për herë të parë vlerën e tregut të Microsoft-it

Oct 5 2012
0 Shpërndarje
Google kalon për herë të parë vlerën e tregut të Microsoft-it

Fillimi i kësaj jave u hap me një lajm surprizues për tregjet financiare, ku Google kaloi vlerën e tregut të Microsoft-it për herë të parë në histori duke u renditur kompania më e vlefshme e fushës së teknologjisë pas Apple, pra si kompania e dytë me vlerën më të madhe.

Aksionet e Microsoft-it ranë me 0.8% në orët e para të tregtimit, ndërkohë që ato të Google u rritën me pothuajse të njëjtën përqindje. Sipas publikimeve zyrtare, vlera e tregut të Google ishte 249 miliardë $ ndërsa ajo e Microsoft 248 miliardë $.

Në fakt, ecuria e aksioneve të Google në bursë ka qenë tepër pozitive në tre muajt e fundit. Që prej mesit të korrikut të këtij viti aksionet kanë pësuar rritje dhe në fillim të shtatorit një aksion kaloi vlerën 700$, duke arritur edhe një rekord të ri prej 747.28$ disa javë më parë.

Që atëherë ka vazhduar të rritet pak nga pak duke u tregtuar këtë javë me 760$. Të gjitha këto shifra financiare janë rezultat i punës së fuqishme të kompanisë Google në disa aspekte kyçe, si p.sh: marketingu, reklamat si dhe zhvillimi i sektorit mobile.

Këto faktorë do ta ndihmojnë kompaninë të pozicionohet mirë edhe në terma afatgjata. Nga ana tjetër, aksionet e Microsoft-it nuk kanë qenë tepër të qëndrueshme si pasojë e pasigurive për sistemin e ri operativ Windows 8.

Google po i afrohet vlerës së tregut të Walmart (250 miliardë $) dhe nëse kalon këtë shifër bëhet kompania e tretë më e vlefshme në SHBA pas Apple dhe Exxon Mobil. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>