Siguri

Gjoba të larta për gjigandët e teknologjisë nëse shkelin ligjet mbi mbrojtjen e të dhënave

Oct 23 2013
0 Shpërndarje
Gjoba të larta për gjigandët e teknologjisë nëse shkelin ligjet mbi mbrojtjen e të dhënave

EU_flagDisa prej kompanive më të fuqishme në ueb si Google, Facebook dhe Yahoo mund të përballen me disa gjoba të larta në qoftë se shkelin ligjet e reja Europiane mbi Mbrojtjen e të Dhënave.

Sipas ligjeve të reja të propozuara, kompanitë që i shkelin ato do të gjobiten me shuma të tilla parash deri në 100 milion Euro ose do të paguajnë 5% të fitimit të tyre.

Ditën e hënë, anëtarët e Parlamentit Europian kanë votuar në favor të një legjislacioni më strikt që do të vendosë pushtetin në duar të përdoruesve. Në qoftë se do të bien dakord atëherë propozimet do të zëvendësojnë direktivën aktuale të Bashkimit Europian mbi Mbrojtjen e të Dhënave, e cila qëndron në fuqi që prej vitit 1995.

Sipas propozimeve të reja, kompanitë do të duhet të mbështesin të drejtën e fshirjes, që do të thotë se në qoftë se iu kërkohet, ato duhet të fshijnë nga sistemi të gjitha të dhënat e një personi të caktuar dhe përveç kësaj janë të detyruara të transmetojnë kërkesën edhe ndaj kompanive të tjera ku këto të dhëna janë riprodhuar.

Ndër masat e tjera të marra përfshihet propozimi rreth aprovimit për përdorimin dhe mbledhjen e të dhënave. Gjithashtu do të rritet kontrolli ndaj transferimit të të dhënave në vendet që nuk i përkasin Bashkimit Europian. E gjithë kjo rrjedh si rezultat i zbulimeve të fundit rreth skandalit të përgjimit nga NSA (National Security Agency) dhe GCHQ (Government Communications Headquarters).

Kjo do të thotë se në qoftë se një shtet jo anëtar në BE i kërkon një kompanie (motori kërkimi ose rrjeti social) informacione personale që përpunohen në Bashkimin Europian, atëherë kompania do të duhet të kërkojë autorizim nga Autoriteti Kombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave para se të kryejë transferimin. Kompania duhet gjithashtu të informojë personin përkatës mbi këtë kërkesë. BE do të përpiqet të arrijë një marrëveshje mbi reformat e propozuara para zgjedhjeve Europiane në vitin 2014. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>