Business & Management

Foxconn mohon lajmin që punonjësit ishin në grevë

Oct 11 2012
0 Shpërndarje
Foxconn mohon lajmin që punonjësit ishin në grevë

Prodhuesi elektronik Foxconn insiston se punëtorët e fabrikës kineze që merreshin me prodhimin e iPhone nuk ishin në grevë ditën e premte dhe se puna ka vazhduar pa asnjë pengesë.

Deklarata e Foxconn kundërshton hapur Grupin e të Drejtave të Punëtorëve, sipas të cilit 3000 – 4000 punëtorë në fabrikën në Zhengzhou kishin braktisur punën. Po ashtu, raportohej se edhe prodhimi ishte ndalur.

Gjithsesi, Foxconn u shpreh të shtunën se nuk kishte ndodhur asnjë gjë e tillë dhe se i vetmi problem që kishte ndodhur në fillim të javës ishin disa mosmarrëveshje mes punëtorëve dhe supervizorëve, por këto nuk kanë ndikuar në ecurinë e prodhimit.

Sipas raportimeve të disa mediave, punonjësit ishin në grevë

Në përditësimin e bërë, China Labor Watch shkruante se punëtorët ishin vërtet në grevë ditën e premte, por të shtunën ishin rikthyer në punë.

Po ashtu, grupi deklaroi se java e parë e tetorit ishte festë kombëtare kineze dhe si pasojë ishte pushim, por Foxconn u kishte kërkuar punëtorëve të fabrikës Zhengzhou të vazhdonin punën edhe këtë javë në mënyrë që të arriheshin targetet e prodhimit të iPhone 5.

Ishin punëtorët e kontrollit të cilësisë, ata që lanë punën ditën e premte. China Labor Watch deklaroi se punëtorët ishin të zemëruar me kërkesat tepër të rrepta mbi kontrollin e cilësisë. Si rezultat i kësaj, raportohej se ishte ushtruar edhe dhunë fizike, çka çoi në fillimin e grevës. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>