Investim

Facebook tani dëshiron të prodhoj smartfon

Jun 5 2012
0 Shpërndarje
Facebook tani dëshiron të prodhoj smartfon

Mund të duket vërtetë e çuditshme për ne shqiptarët, pasi jemi të mësuar me një shumëllojshmëri markash në tregun tonë të vogël, por biznesi global i prodhimit dhe shitjes së smartfonëve konsiderohet tashmë si një garë ekskluzive midis dy gjigandëve, Apple dhe Samsung.

Të gjithë e dimë që kompania e themeluar nga Steve Jobs është sinonim i iPhone-it aq të dashur, por Samsung e ka kaaluar atë kohëvr të fundit, për t’u shndërruar në prodhuesin më të madh të smartfonëve në planetin tonë. Madje këtë javë, gjigandi koreanojugor po prezanton në Europë modelin e vet më të fundit dhe më madhështor të smarftonit Galaxy S3. Ky smartfon ka një ekran të madh, shumë më të madh se ai i iPhone-it dhe vlerësuesit qysh tani kanë rënë dashuri me të. S3 supozohet se do të jetë një konkurrentë edhe më i fortë për iPhone-in, aq sa do ta detyrojë kompaninë kaliforniane që t’ia bëjë “bum” kur të prezantoj iPhone 5 më vonë këtë vit.

Ndërkohë, sipas Nick Bilton, gazetar i “New York Times”, Facebook po flirton me disa ish-inxhinierë të Apple për të prodhuar një smartfon të personalizuar. Kjo është hera e tretë që rrjeti social më i madh në botë përpiqet të verë në zbatim planet për realizimin e këtij produkti. Ama investitorët në aksionet e Facebook duhet t’i druhen goxha seriozitetit, që po tregon kompania e Marc Zuckerberg për t’u hedhur në tregun e smartfonëve këtë herë.

PSE?

Arsyet janë nga më të ndryshmet:

Sipas një punonjësi anonim të Facebook, të cituar nga Bilton, “Mark Zuckerberg është i shqetësuar, sepse i duket se Facebook do të bëhet thjesht një aplikacion në platformat e tjera mobile, në rast se nuk e krijon një smartfon të vetin”. Kjo do të thotë, se Facebook po e bën këtë gjë sepse mendon se është e detyruar ta bëjë, dhe jo sepse dëshiron ta bëjë.

Prodhimi i harduerëve është një biznes jashtëzakonisht i vështirë dhe me pak fitim. Dy kompanitë e vetme, që për momentin po ecin mirë në prodhimin e harduerëve, janë Apple dhe Samsung. Të dy këto kompani prodhojnë dhe shesin harduer prej shumë dekadash. Një mori kompanish tjera, të cilat kanë bërë të njëjtën gjë prej dekadash, aktualisht janë në vështirësi të mëdha. Bëhet fjalë për gjigant si Nokia apo Research In Motion, të cilat po mënjanohen nga tregu. Palm është mënjanuar tashmë.

Biznesi i “platformës” së smartfonëve është prej kohësh i mbizotëruar nga Apple dhe Google (me Android), ndërsa në këtë fushë luftojnë edhe disa konkurrentë tjerë. Edhe Amazon i është futur kësaj gare. Samsung mund t’i “bëjë konkurrencë” Android-it dhe t’i futet së njëjtës lojë. Microsoft po përpiqet me shumë dëshpërim, që t’i japë më tepër rëndësi produktit të tij të fundit mobil të markës “Windows”. RIM ka ende shpresa. E kështu me radhë. Nëse Facebook dëshiron që vërtetë të ndërtoj një platformë mobile krejtësisht të re, atëherë do t’i duhet ta niste me një disavantazh kilometrik prapa udhëheqësve të tregut.

Shpërndarja në fushën e prodhimit të harduer ka një rëndësi kritike dhe Facebook do të haste edhe këtu në një konkurrencë të fortë. Si do të arrijë Facebook që të gjejë hapësira nëpër raftet e gjigantëve të

shpërndarjes? Duke ofruar telefona jashtëzakonisht të lirë? Këtë nuk ta lejon përqindja e ulët e fitimit në këtë lloj biznesi. A do të ndërtoj Facebook një zinxhir të tërë dyqanesh shitjeje? A do të përpiqet të anashkaloj gjigantët e shpërndarjes? Google u përpoq ta bënte këtë më parë. Dhe nuk i’a arriti!

Edhe pse është normale që Facebook të dëshirojë të jetë një platformë mobile, nuk është se ekziston një nevojë jetike që konsumatorët të kenë edhe një telefon të markës “Facebook”. Aktualisht në treg janë me qindra miliona celularë dhe Facebook është i pranishëm tek të gjithë këta si aplikacion ose përmes një shfletuesi.

Aktiviteti i prodhimit të harduerit, i vënë në funksionim me fuqi të plotë, do ta pakësonte në mënyrë radikale përqindjen e fitimit të Facebook. Një prej përparësive të biznesit aktual të Facebook është të qenit jashtëzakonisht fitimprurës. Biznesi i prodhimit të harduerëve do ta bënte aktivitetin e rrjetit social shumë më pak fitimprurës.

Facebook nuk merr absolutisht erë nga prodhimi, shitja ose mbështetja teknike për harduer. Vërtet hiç fare. Po, Facebook mund t’i përdor miliardat e veta për ta blerë RIM-in apo Nokia-n dhe vetëm atëherë do të mësonte diçka mbi harduerët. Por, RIM-i dhe Nokia janë kompani në vështirësi tepër të mëdha financiare, që po shkojnë të sigurta drejt greminës. A do ta imagjinonit ju se sa e vështirë do të ishte për këdo blerja, integrimi në kompaninë mëmë dhe sidomos RIMËKËMBJA e RIM-it apo Nokia-s? (Google do ta vërtetoj këtë me vështirësitë që po ka me Motorola-n).

Dhe ky është vetëm fillimi.

Ndoshta Facebook nuk e ka vërtetë seriozisht prodhimin e një telefoni sipas nevojave bashkëkohore, sepse ndoshta thjeshtë dëshiron që të bëhet partner me dikë si HTC apo Samsung. Megjithatë, edhe në këtë rast, të gjitha sfidat e përmendura më lartë janë po aq reale. Facebook e ka tashmë “sistemin e vet operativ” për pajisjet mobile, të cilin e quan grafiku social.

Pra, në vend që të prodhoj një telefon, gjë që duket një përpjekje vërtetë e dëshpëruar, Facebook duhet të bëhet partner me çdo sistem operativ, shpërndarës dhe prodhues harduerësh, në mënyrë që ta bëjë këtë platformë sociale pjesë të çdo platforme mobile që prodhohet aktualisht në botë. Madje, Facebook duhet të shtrydhë trurin për të shpikur aplikacione të mira për të qenë gjithmonë i kërkuar nga këto sisteme operative. Aktualisht, Apple është numri 1 në botë edhe në këtë fushë dhe vetëm Samsung po arrinë ta konkurrojë me njëfarë dinjiteti. Askush tjetër.

Po, pra, të gjithë duan të jenë Apple. Ama ekziston një dhe vetëm një Apple për momentin.

Për këtë arsye, shanset e Facebook që të shndërrohet në Apple të ri duken edhe më të vogla se shanset e Apple dikur për t’u bërë kaq gjigant sa në ditët e sotme. Vetëm fakti, që Facebook po e qon thjesht nëpër mend për t’ju futur biznesit të harduerëve, është një shenjë tepër e keqe. Nëse Facebook i futet vërtetë këtij lloj biznesi, atëherë kjo do të jetë një shenjë jashtëzakonisht e keqe.

Nëse do të realizohej në një të ardhme, telefoni i Facebook do të vinte shumë shpejt edhe në Shqipëri, por sa diferencë do të bënte midis qindra modeleve nga gjigantët e prodhimit të celularëve, të cilët e kanë konsoliduar sistemin e tyre të prodhimit, shpërndarjes dhe marketingut për dekada me radhë?

Rrezik edhe në vendin tonë do t’i përgjigjeshin minimalisht me indiferencë një produkti të prodhuar nga dikush me të njëjtën përvojë pune si firmat, që prodhojnë ato kopjet e celularëve të famshëm që vijnë nga Kina apo Dubai e që të bien si dhuratë nëpër patatina. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>