Internet

Facebook nuk do të mbyllet më 15 Mars 2011

Jan 27 2011
0 Shpërndarje
Facebook nuk do të mbyllet më 15 Mars 2011

Thashethemet shpërthyen pa kontroll kur në një raport nga “Weekley World News” thuhej se rrjeti i popullarizuar shoqëror Facebook do të ndalej së funksionuari sepse Mark Zuckerberg nuk po arrinte dot ta kontrollonte dhe po përjetonte stres të madh në menaxhimin e kompanisë së tij.

E madje raporti shkoi deri aty sa tha që këtë e ka thënë Zuckerberg në një konferencë për media në Kaliforni. Por vetëm paramendoni një gjë: Weekley World News, që merret me parodi, ka pasur edhe dy lajme të tjera jashtëzakonisht të çuditshme në faqen e saj; “Jashtëtokësorët do të sulmojnë Tokën në vitin 2011” dhe diçka edhe më çuditshëm në lidhje me Mike Tyson.

Kjo i bën dyshimet edhe më të mëdha se këtu thjesht dikush po tenton të tërheqë trafik drejt web faqes së vet dhe po sajon gjëra që realisht as që ekzistojnë.Por këto nuk e ndalën panikun e përdoruesve të Facebook, të cilët madje krijuan grupe si “Kundër fikjes së Facebook më 15 mars”, që doli me sloganin “No Facebook, No Party”. Në Twitter, përdoruesit shpërthyen me cicërima rreth asaj se çfarë do të ndodhë me fotografitë e tyre – për të mos përmendur jetët e tyre sociale.

“Nëse Facebook do të mbyllet, nuk do të jem në gjendje të mbaj mend ditëlindjen e askujt”, shkroi njëri. Të tjerë krijuan edhe plane alternative duke shprehur mundësinë e kalimit në MySpace, Twitter apo në ndonjë shërbim të ri. Në fakt disa të tjerë bënë shaka me përdoruesit e Facebook duke aluduar se vetë reagimi i shumë përdoruesve të këtij rrjeti social rreth mbylljes së tij tregon se duhet të mbyllet. Por pavarësisht raporteve qesharake, reagimeve të çuditshme apo gjërave të tjera të ngjashme, Facebook as që ka ndër mend të mbyllet.

Ai pritet të paraqesë financat e veta publike në mënyrë që të bëhet kompani publike më vonë gjatë këtij viti. Para disa javësh, një ekip pranë Goldman Sachs e vlerësoi atë me një shumë prej mbi 50 miliardë dollarësh. Nëse do të ketë këtë si çmim fillestar të një IPO-je, atëherë do të jetë çmimi më i lartë fillestar i ofruar në historinë e industrisë teknologjike .

Lajmet e fundit>