Internet

Facebook humb më shumë se 10 miliardë dollarë?!

May 22 2012
0 Shpërndarje
Facebook humb më shumë se 10 miliardë dollarë?!

Për muaj të tërë është folur për daljen “spektakolare” të Facebook në bursën botërore, por vetëm dy ditë pasi doli në treg, Facebook humbi me shumë se 10 miliardë dollarë dhe Zuckerberg më shumë se 2 miliardë dollarë. Para daljes së Facebook-ut, në bursë  është spekulluar për vlerën e saj në treg dhe çfarë çmimi do të arrijnë aksionet e këtij rrjeti social, duke patur edhe nga ata të cilët shpreheshin se do të mbërrijnë deri në 100 dollarë për aksion.

Dita e parë e daljes në bursë e kësaj kompanie, kur bankierët parandaluan çmimin e aksioneve që të mos binte nën çmimin fillestar prej 38 dollarë, ishte një tregues se tani për tani nuk do të ketë asgjë nga rritja e shpejtë dhe mund të thuhet joreale e çmimit të aksioneve të Facebook. Kjo u vërejt gjatë ditës së djeshme,  kur filloi tregtia me aksionet e kësaj kompanie. Prej ditës së premte,  çmimi i aksioneve pasi pati një rritje të përkohshme, ra përsëri në çmimin fillestar. Të hënën, kjo rënie e aksioneve vazhdoi deri në vlerën 11% dhe në fund të ditës çmimi për aksion ra në vetëm 34.03 dollarë, që do të thotë 25% në krahasim me çmimin më të lartë (45 dollarë) që mbërriti të premten.

Kjo rënie e madhe e çmimit të aksioneve bëri që vlera e tregut të Facebook të bjerë, kështu që dje kjo kompani humbi më shumë se 10 miliardë dollarë, kurse vet Zuckerberg humbi rreth dy miliardë dollarë.
Një ndër arsyet e paqëndrueshmërisë së Facebook-ut në bursë është, siç u lajmërua sot në Reuters, se analisti Scott Devitt nga Morgan Stanley pak para daljes së Facebook në bursë i zvogëloi pritjet financiare për këtë kompani. Ky ishte një hap i pazakonshëm, duke i shokuar disa investitorë.

Analisti Doug Kass nga Seabreeze Partners Management thotë se problemi nuk është te Facebook, por në përgjithësi në treg, i cili ndodhet mes problemeve të mëdha për shkak të situatës me Eurozonën dhe Greqinë. Por pyetja që bëhet është sa  qëndron e vërteta, sepse p.sh., në të njëjtën kohë aksionet e Apple u rritën për gati 6%. Disa analistë të tjerë, fajin e shohin te bankierët, kështu që Michael Pachter nga Wedbush Security thotë se bankierëve nga Morgan Stanley u është dashur të rekomandojnë lëshimin e më pak aksioneve, sepse sasia e aksioneve me të cilat ka mundur të fillohet u rrit për 25%, kurse çmimi fillestar i aksioneve ishte 38 dollarë, derisa në fillim flitej se do të ishte më pak se 30 dollarë.

Tom Taulli, autori i librit “High Profit IPO Strategies” shprehet se kjo mund të jetë një shenjë se po i afrohemi kulmit të mediumeve sociale (që do të thotë nuk ka më rritje) dhe se duhet të kthehemi nga tregjet e tjera, si p.sh. të industrisë së telefonave celularë. Pyetja është se çfarë mund të presim në të ardhmen (afatshkurtër dhe afatgjatë) nga Facebook dhe (jo)suksesit të tij në burse dhe a paguhet për momentin që  të investohet në aksionet e kësaj kompanie? Le të shpresojmë që me kohë gjërat do të kthehen dhe çmimi do të fillojë të rritet, ose ndoshta është më mirë që të investohet në tregje dhe kompanitë e tjera, sepse investimi në kompaninë e Zuckerber-ut, pavarësisht se ka gati një miliardë përdorues, për momentin është i rrezikshëm. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>