Mobile

Facebook fillon punën me pjesën e platformave "mobile"

Mar 19 2013
0 Shpërndarje
Facebook fillon punën me pjesën e platformave "mobile"

FacebookNë gjashtë muajt e fundit Facebook-u është shprehur qartë se po mendon me kujdes se si t’i japë prioritet platformave mobile. Ditët e fundit kompania ka deklaruar se ka ardhur koha t’i futet punës.

“Të gjithë po mendojnë për “mobile”, të gjithë mendojnë për Android,” tha Mike Shaver, drejtor i sektorit të inxhinierimit mobile në Facebook. Në muajin gusht kompania u shpreh se po fokusohej tek pjesa mobile për shkak se numri i përdoruesve që e aksesonin faqen përmes celularëve të tyre ishte rritur jashtëzakonisht.

Para se të deklaronte publikisht se po e drejtonte biznesin e vet tek platformat mobile, Facebook-u filloi t’u ofronte të gjithë punonjësve mundësinë për të marrë pjesë në trajnimet intensive që zgjasnin edhe disa javë lidhur me programimin për platformën Android të Google dhe iOS të Apple, tha Shaver. Këto seanca ishin të hapura për të gjithë punonjësit, jo vetëm për programuesit.

Në aspektin e përdoruesve, e gjithë kjo praktikë është pozitive, pasi do të kenë mundësi të përdorin më tepër opsione dhe karakteristika përmes aplikacioneve mobile.

Për më tepër përdorimi i këtyre të fundit do të bëhet më i lehtë. Qëllimi kryesor nga ana e Facebook-ut është që t’i tërheqë për një kohë sa më të gjatë përdoruesit e vet përmes platformave mobile. Kjo do të thotë që ata kanë mundësi të shohin më tepër reklama, që përkthehet në më tepër të ardhura për kompaninë.

Në fund të vitit 2012, dy të tretat e 1 miliardë përdoruesve aktivë të faqes aksesonin pjesërisht apo totalisht Facebook-un përmes platformave mobile, një rritje prej 57% krahasuar me një vit më parë. Te ardhurat nga reklamat në versionet mobile të Facebook-ut përbënin 23% të të gjitha formave reklamuese të kompanisë në tremujorin e fundit të vitit 2012, një rritje prej 14% krahasuar me vetëm tre muaj më parë. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>