Investim

Facebook aplikon për IPO

Feb 2 2012
0 Shpërndarje
Facebook aplikon për IPO

Facebook është duke u përgatitur të kaloj në kompani publike, me aksionet që mund të shiten dhe të blihen në bursë. Në këtë drejtim ajo po ndihmohet nga konsulentët e njohur financiar, Morgan  Stanley, J.P. Morgan, Goldman Sachs dhe tri firma tjera të cilat janë duke rregulluar dokumentet e duhura për këtë veprim, derisa dokumentet fillestare tashmë janë dorëzuar në Komisionin e Sigurimeve dhe Shkëmbimeve të SHBA-ve.

Ky është njëri ndër proceset më të përfolura në dekadën e fundit në tregun e bursave, pasi kompania pritet të josh rreth 5 miliardë dollarë investime.

Për momentin nuk është dhënë ndonjë datë zyrtare për daljen në publik të aksioneve, por janë publikuar shifrat e para të kompanisë.

Në vitin 2011 kompania kishte pasur të ardhura prej 3.7 miliardë dollarë, në krahasim me 2 miliardë dollarë në vitin 2010. Të ardhurat neto ishin 1 miliardë më 2011, derisa një vit më parë 606 milionë dollarë. Në vitin 2009 kompania kishte pasur të ardhura prej 777 milionë dollarë derisa të ardhurat neto ishin 229 milionë dollarë.

Kompania ishte themeluar në vitin 2004, derisa në vitin 2008 kishte kaluar shifrën prej 100 milionë përdoruesve, e tani ka 845 milionë sosh. Mesatarja e përdoruesve ditorë sillet në 483 milionë përdorues aktiv në dhjetor të vitit të kaluar, derisa një vit më parë kjo shifër ishte 327 milionë përdorues.

Themeluesi i kompanisë, Mark Zuckerberg kishte përfituar 1.5 milionë dollarë në vitin 2011, derisa COO e kompanisë, Sheryl Sandberg kishte pasur një pagë bazë prej 296 mijë dollarë, që me bonuse dhe stoqe të garantuara ishte ngjitur në 30.9 milionë dollarë vetëm në vitin e kaluar.

Interesante ishte letra për aplikim për IPO. Aty Zuckerberg deklaronte që ai nuk kishte krijuar Facebook-un të jetë një kompani, por një shërbim që lidh njerëzit.

“Shumë njerëz të mëdhenj qëllim primar kanë të ndërtojnë diçka dhe ajo të jetë pjesë e gjërave të mëdha, por ata gjithashtu dëshirojnë të bëjnë para. Në procesin e ndërtimit të një skuadre dhe gjithashtu një komunitetit zhvilluesish, tregu të reklamave, dhe bazës së investitorëve, unë kam zhvilluar një mirënjohje të veçantë se si ndërtimi i një kompani të fortë me një makinë të fortë ekonomike dhe rritje të fortë mund të jetë mënyra më e mirë për të radhitur shumë njerëz në zgjedhjen e problemeve.

Thjeshtë: ne nuk ndërtojmë shërbime për të bërë para; ne bëjmë para për të ofruar shërbime më të mira,” thuhet ndër të tjera në letrën për aplikim që Marc Zuckerberg ka dërguar Komisionit për Sigurime dhe Shkëmbime.

Lajmet e fundit>