Internet

“Eutelsat” do të çojë internetin në zonat rurale të Shqipërisë

Oct 4 2012
0 Shpërndarje
“Eutelsat” do të çojë internetin në zonat rurale të Shqipërisë

Shoqëria “Eutelsat Communications” ka bërë me dije përmes një deklarate zyrtare se është përzgjedhur nga Qeveria Shqiptare, përmes Shërbimit Postar Shqiptar, si operatori që do sigurojë lidhjen e 850 zyrave postare, shkollave dhe zyrave të qeverisjes vendore nëpër zonat rurale.

Ndërkohë që qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë njoftim dhe nuk e ka parë të udhës ta informojë publikun shqiptar lidhur me këtë çështje, lajmi është pasqyruar në disa media evropiane, veçanërisht ato me profil teknologjik.

Aksesi për zyrat e shkollat shqiptare do të garantohet nga “Skylogic“, një nga degët e “Eutelsat”. Në një deklaratë për shtyp, drejtori i ekzekutiv i “Skylogic”, Jean-François Fenech, tha se përdoruesit shqiptarë do të përfitojnë menjëherë nga ky shërbim.

“Shërbimet tona satelitore për bandën e gjerë, të siguruara përmes KA-SAT parashikojnë garantimin e aksesit te shërbimet broadband për të gjithë përdoruesit nëpër Evropë e në rajonin e Mesdheut.

Dhe ky akses në bandën e gjerë është i mundur sot, jo nesër, as pasnesër. Jemi shumë të kënaqur që gjendemi të përfshirë në këtë nismë kaq të rëndësishme për t’u ofruar shërbimet tona qytetarëve shqiptarë”, – tha Fenech.

Si rezultat i këtij projekti, shumë shpejt do të kemi më shumë se 1 mijë pika që do të ofrojnë internet falas nëpër gjithë territorin shqiptar. “Eutelsat Communications” është një shoqëri që ka në zotërim 29 satelitë që mbulojnë gjithë Evropën, Lindjen e Mesme, Afrikën dhe pjesë të rëndësishme të Azisë dhe Kontinentit amerikan. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>