Siguri

Europa nuk po gjen një kandidat të denjë si Supervizor për Mbrojtjen e të Dhënave

Jan 10 2014
0 Shpërndarje
Europa nuk po gjen një kandidat të denjë si Supervizor për Mbrojtjen e të Dhënave

EU_Flag_SizeDuke filluar që javën e ardhshme Europa mund të mbetet pa shef për mbrojtjen e të dhënave pasi asnjë prej kandidatëve që ka aplikuar për këtë vend pune nuk i përmbush kualifikimet e nevojshme. Mandati i Supervizorit Europian aktual të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPS), Peter Hustinx, përfundon në datën 16 janar.

Ditën e mërkurë ai shkruajti një letër ndaj Komisionit Europian duke shprehur alarmin për lënien e këtij pozicioni vakant. “Kjo pasiguri dhe këto vonesa të mundshme si dhe pasojat e tyre të mundshme kanë të ngjarë që të dëmtojnë efektivitetin dhe autoritetin e EDPS gjatë muajve të ardhshëm.” – tha Peter Hustnix. Ai theksoi gjithashtu se duke qenë se në Parlamentin Europian po diskutohet një ligj i ri mbi privatësinë e të dhënave, Bashkimi Europian është aktualisht në një periudhë kritike për të drejtat bazë të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave prandaj është shumë e rëndësishme që të përzgjidhet një EDPS i fuqishëm.

Shefi i ri do të emërohet sipas një marrëveshje të përbashkët midis Këshillit dhe Parlamentit Europian bazuar në një listë të përpiluar nga Komisioni pas një thirrjeje publike për kandidatët. Pavarësisht se thirrja publike për kandidatët është bërë që vitin e kaluar, një përfaqësues i Komisionit Europian është shprehur se paneli seleksionues arriti në përfundimin se asnjë prej kandidatëve nuk dispononte cilësitë e nevojshme për këtë vend pune.

Kjo gjë ka bërë që të publikohet një njoftim i ri për vendin e punës dhe të rilançohet proçedura e përzgjedhjes. Komisioni shpreson që Hustinx të pranojë të qëndrojë në këtë pozicion derisa të gjendet një zëvendësues i denjë.

Komisioni është në kërkim të kandidatëve me eksperiencë në problemet për mbrojtjen e të dhënave që mund të ketë qenë anëtar i autoritetit mbikqyrës të mbrojtjes së të dhënave në një organizatë të madhe private ose publike. Duhet gjithashtu që kandidati të ketë eksperiencë praktike në implementimin e rregullave të mbrojtjes së të dhënave dhe të jetë i aftë që të veprojë i pavarur. (CIO Albanian)

Tags >

siguri
Lajmet e fundit>