Internet

Errësohet Wikipedia dhe uebfaqe tjera

Jan 18 2012
0 Shpërndarje
Errësohet Wikipedia dhe uebfaqe tjera

Në protestë kundër miratimit të aktit SOPA (Stop Online Piracy Act) që do të mund të ndjek penalisht uebfaqet që posedojnë linqe malinje, një numër i konsiderueshëm i uebfaqeve ka ndalur veprimtarinë e tyre që nga mesnata sipas kohës lindore amerikane. 

Padyshim që Wikipedia është uebfaqja më e madhe që ka përkrahur këtë protestë, por pritet edhe një numër i uebfaqeve tjera me më ndikim në SHBA t’i bashkëngjiten kësaj iniciative të Wikipedias.

Wikipedia ka ndalur vetëm versionin amerikan të faqes derisa versionet tjera janë në dispozicion për përdoruesit. Edhe craigslist ka ndalur operimet në tregun amerikan për një ditë. “Imagjinojeni botën pa craigslist, Google, [faqja juaj e preferuar]…” shkruante në mesazhin e kësaj kompanie postuar në uebfaqen e tyre derisa Wikipedia pos mesazhit “imagjinojeni një botë pa dituri të lirë” ofron edhe mundësinë për të shpërndarë përkrahjen tuaj për këtë iniciativë në rrjetet shoqërore si Facebook, Twitter, e Google+.

Megjithatë disa nga uebfaqet tjera të mëdha nuk kanë mbyllur shërbimet e tyre, por megjithatë deklarojnë se përkrahin këtë iniciativë. Google ka errësuar logon dhe ka postuar mesazhin “Thoni Kongresit: Ju lutemi mos e censuroni uebin,” duke vendosur lidhjet për peticionet kundër akteve SOPA dhe PIPA (Protect IP AcT). “Mos mbyllja e shërbimeve nuk barazohet me kundërshtimin e kësaj nisme,” ka cicëruar CEO i Twitter, Dick Costolo duke lënë të kuptohet që edhe ata kundërshtojnë këto akte edhe pse nuk kanë mbyllur shërbimin.

Akti i parë, SOPA është miratuar nga dhoma e përfaqësuesve të SHBA-ve, derisa PIPA nga senati i SHBA-ve. Këto akte kanë për qëllim të përforcojnë mbrojtjen kundër keqpërdorimit të të drejtave autoriale dhe pronës intelektuale, por disa ekspertë thonë se këto do ti “zënë frymën” shprehjes së lirë. Këto akte ndryshojnë nga DMCA pasi kjo e fundit angazhohej vetëm në largimin e përmbajtjeve të paautorizuara në internet. SOPA dhe PIPA do të mund të drejtohen kundër platformave në përgjithësi, uebfaqeve që kanë përmbajtje të paautorizuara. Me këto akte qeveria mund të detyroj kompanitë e bazuara në SHBA, si ofruesit e shërbimeve të internetit, kompanitë e kartelave kreditore, dhe reklamuesit online, të ndalojnë bashkëpunim me ato faqe. Gjithashtu me këto akte qeveria e SHBA-ve do të mund të vihej në ndjekje të uebfaqeve të huaja “malinje” si The Pirate Bay.

Të shtunën disa këshilltarë të presidentit Obama kanë kundërshtuar një akt që “do të dëmtonte në masë fatale internetin e lirë dhe të hapur” duke shtuar se çështja e piraterisë së uebfaqeve të huaja është një problem serioz që kërkon një legjislaturë më të zgjeruar.

Në anën tjetër organizata që kanë një sasi të madhe të të drejtave autoriale si MPAA (Motion Picture Association of America) dhe përfaqësues biznesor si Dhoma Tregtare e SHBA-ve, përkrahin këto akte duke argumentuar që inovacionet dhe punët në industritë që do të mbrohen nga këto akte do të rriten në të ardhmen. Uebfaqet nga jashtë SHBA-ve, sipas këtyr organizatave, janë një parajsë e sigurte për përfitime nga përmbajtjet e tyre.

Sipas disa raporteve të një agjencie të Dhomës Tregtare të SHBA-ve, sektorët e lidhur me pronat intelektuale punësojnë mbi 19 milionë njerëz në SHBA dhe gjenerojnë 7.7 trilionë të dalura bruto.

Lajmet e fundit>