Intervista

Edukimi përmes teknologjisë

Oct 4 2011
0 Shpërndarje
Edukimi përmes teknologjisë

Intervistoi: Çelik Nimani

Duke filluar nga muaji shtator, Kolegji Universitar “Universum” do të fillojë një projekt të ri mësimdhënieje përmes medieve si GoogleDocs, Slideshare, Blogger e WordPress dhe rrjeteve sociale si Facebook e YouTube.

Studentëve të lëndës menaxhmenti ndërkombëtar në programin master të menaxhmentit nuk do t’u ofrohet më asnjë material i shtypur, por në vend të kësaj, përveç mjeteve të përmendura, do të kenë në dispozicion edhe nga një iPad, i cili do t’u shërbejë në aktivitetet e tyre të përditshme. E gjithë lënda do të zhvillohet përmes bashkëveprimit të plotë mediatik me studentët, duke përdorur vetëm rrjetet sociale si Facebook, LinkedIn, Blogs, YouTube apo GoogleDocs. Studentët do të shikojnë video-ligjëratat në kanalin e posaçëm në YouTube, do të debatojnë në Face- book dhe LinkedIn, do t’i marrin materialet për mësim dhe do t’i dorëzojnë punimet e tyre në GoogleDocs, do të shkruajnë esetë dhe mendimet e tyre në Blogs dhe në fund do të bëjnë vlerësimin e lëndës në SurveyMonkey. Ky projekt, i pari i këtij lloji në Kosovë, besohet se do të hapë një debat të ri të ofrimit të edukimit cilësor në Kosovë, duke qenë në hap me trendet më moderne në botë dhe frymëzohet nga praktikat më të mira të shkollave të njohura të biznesit, siç është London Business School apo Wharton School në Pensilvani. CIO Albanian ka realizuar një intervistë me drejtorin ekzekutiv të “Universum”, z. Alejtin Berisha, për të kuptuar më shumë rreth këtij projekti që paraqet një hap të guximshëm dhe përparimtar drejt mësimdhënies të së ardhmes.

CIO: Kur dhe si lindi ideja për një projekt të këtillë?
Berisha: “Universum”, që nga themelimi në vitin 2005, i ka kushtuar një rëndësi jashtëzakonisht të madhe përdorimit të teknologjisë në avancimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Ne edhe më parë, me kolegjin “Aga Xhite”, që ishte themelues i Kolegjit Universitar “Universum”, kemi inkuadruar disa elemente të teknologjisë informative në mësimdhënie… më konkretisht bëhet fjalë për projektin e implementuar në vitin 2006, kur për herë të parë në Kosovë kemi krijuar një platformë “e-learning”, në kuadër të së cilës të gjithë studentët kanë pasur qasje dhe kanë qenë në gjendje të marrin të gjitha ligjëratat online, materialet për lexim, prezantimet në PowerPoint, pastaj kanë pasur edhe linqe të ndryshme të materialeve me interes të veçantë për ta. Përveç kësaj, përmes kësaj platforme studentët kanë qenë në kontakt edhe me njëri-tjetrin duke qenë aktivë në forume. Profesorët gjithashtu kanë bashkëpunuar me ta duke aktivizuar një temë të caktuar qoftë për marketing apo diçka tjetër, në mënyrë që të nxisin debate me studentët. Vlerësimi më pas është bërë edhe duke shikuar aktivitetet e tyre në platformë. Përveç kësaj ne kemi qenë edhe institucioni i parë që kemi futur në funksion për herë të parë tabela interaktive që nga viti 2007, të cilat kanë qenë në shërbim të profesorëve dhe u kanë mundësuar atyre që përmes teknologjisë së ndjeshme në prekje të shkruajnë në tabelë dhe më pas e kanë ruajtur atë material dhe e kanë përcjellë në format elektronik te studentët. Tablat interaktive kanë ofruar edhe funksione të tjera si video-konferenca dhe kësisoj kanë ndikuar në avancimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies brenda institucionit.

CIO: Tani jeni duke punuar në një projekt të ri të mësimdhënies së avancuar me studentët e degës së menaxhmentit në nivelin master. Pse nisi me ta?

Berisha: Shumica e programeve tek ne kanë të bëjnë me biznes dhe menaxhment, por ka edhe programe për shkenca shoqërore, administrim publik, marrëdhënie ndërkombëtare e studime evropiane, por biznesi si fushë është shumë më interaktive. Si e tillë kjo fushë mundëson shumë më tepër aplikimin e metodave më të fun dit teknologjike, pastaj aplikimin e rrjeteve sociale. E nisëm në nivelin master për shkak se e pamë të arsyeshme që për një pilot projekt të kemi studentë të përgatitur në një nivel më të lartë arsimor. Kjo nënkupton se ata janë më të vetëdijshëm në shfrytëzimin e këtyre mjeteve të reja dhe sidokudo kanë kaluar një fazë në zhvillimin e tyre akademik dhe intelektual.

CIO: Si synohet të realizohet ky pilot projekt?
Berisha: Ne kemi zgjedhur një lëndë në kuadër të programit, përkatësisht lëndën menaxhmenti ndërkombëtar, për të cilën vendosëm që ta organizojmë ligjërimin dhe bashkëveprimin ekskluzivisht përmes rrjeteve sociale. Që në start secilit student do t’i japim nga një iPad, në mënyrë që të mos përdorin fare materiale të shkruara, por të gjitha materialet t’i kenë vetëm në formë elektronike. Ne kemi qasje në shumë biblioteka online dhe përveç kësaj të gjitha prezantimet, njoftimet, literatura shtesë e detyrat, do të dërgohen tek studentët në mënyrë elektronike. Pra, nuk do të ketë fare material të printuar. Tani jemi duke diskutuar fazën e organizimit të provimit final, sepse provimi final, siç është zakoni, është me shkrim. Por edhe provimi final do të jetë një projekt, që do të gjejë ndërlidhje direkte me shfrytëzimin e teknologjisë në përpunimin e tij. Pra, me fjalë të tjera, ideja është që kjo lëndë të fillohet dhe të përfundohet pa shfrytëzuar materiale të shtypura.

CIO: Në çfarë forme do të aplikohet?
Berisha: Këtë herë nuk do të përdorim platformën tonë “e-learning”, por do të përdorim vetëm rrjetet sociale, në mënyrë që studentët të punojnë dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Google Docs do të përdoret për të ngarkuar dokumentet, materialet për lexim, prezantimet dhe gjërat e tjera, të cilat do të shfrytëzohen nga studentët. Do të shfrytëzojmë Facebook Group në formë të mbyllur, në mënyrë që studentët të diskutojnë mes vete aty, të njoftohen për materialet më të fundit që janë ngarkuar në shërbimin tjetër, për ligjëratat më të fundit, etj. YouTube gjithashtu do të gjejë përdorim përmes videove të shumta, të cilat nuk do të jenë vetëm nga mësimdhënësit tanë, por edhe video të tjera të shkurtra që do të gjejnë zbatim mes studentëve. Për shembull, tek menaxhmenti ndërkombëtar, menaxhmenti ndërkulturor është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nëse dëshiron të jesh një menaxher në kontekst ndërkombëtar, atëherë të njohësh kulturën e njerëzve të shteteve të ndryshme me të cilët bën biznes është shumë qenësore. Ne kemi shumë video të cilat shpjegojnë kulturën japoneze të të bërit biznes, ku është shumë me rëndësi si e përshëndet japonezin në takimin e parë, pastaj është shumë me rëndësi nëse bën biznes me gjeorgjianë që të ngresh shpesh dolli, sepse është pjesë e kulturës së tyre, është me rëndësi qasja ndaj kulturës arabe në qëndrim, në përshëndetje, në veshje, pastaj si t’u qasesh amerikanëve, anglezëve e gjermanëve. Pra, për secilën kulturë në vete kërkohet njohuri e theksuar në menaxhment ndërkombëtar. Përvoja e këtyre kulturave është një element shumë i rëndësishëm, prandaj gjatë lëndës do të përdoren shumë video, që janë në YouTube e që janë edhe pjesë e sillabusit tonë. Studentët do të punojnë edhe me Wiki Pages, punimet e tyre të përbashkëta, siç janë prezantimet, esetë e gjëra të tjera, të cilat përmes Wiki’s do të mund të realizohen
më lehtë sepse nuk kërkohet takim fizik mes bashkëpunëtorëve, por çdo gjë është e realizueshme në kontekstin online. Njëri shkruan, futet tjetri shton tekst tjetër, tjetri editon e largon diçka e kështu me radhë. Në anën tjetër, takimet grupore do t’i realizojmë përmes Skype dhe kjo sërish nënkupton që nuk do të ketë nevojë të takimit fizik mes tyre. Edhe profesorë të caktuar do të realizojnë ligjërata grupore përmes Skype. 

CIO: A do të ketë kosto shtesë për projektin?
Berisha: I tërë programi, përveç kostos së pajisjes iPad, nuk do të na kushtojë diçka tjetër shtesë. Ne do të shfrytëzojmë të gjitha rrjetet sociale dhe shërbimet që janë pa pagesë. Studentët gjithashtu do të hapin nga një profil të tyre përmes Webli, që do të jetë proces i ndërlidhur me një blog. Çdo student do të ketë blogun e vet, në mënyrë që të jetë aktiv, të shkruajë e të kuptojë kulturën e blogimit. Pra, ky projekt prek shumë disiplina në vetvete dhe shumë shërbime të ndryshme.

Këtë vit për herë të parë do të synojmë të realizojmë studimet në distancë. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qendrën e studimeve në distancë të Universitetit Simon Fraser në Kanada. Ata na kanë ndihmuar në themelimin e kësaj platforme përmes së cilës mund të ofrohen studimet, pastaj në zhvillimin e materialeve, etj. Pra, nga ky vit studentët e Kosovës do të kenë mundësi të studiojnë online dhe nuk kanë nevojë që të jenë të pranishëm në ligjërata dhe ushtrime. Për shkak se kjo është edhe një risi në Kosovë, ne kemi paraparë edhe organizimin e trajnimeve se si do të realizohet ky proces studimi. Pra, studentët komunikojnë online me Skype, i shikojnë ligjëratat me video online, i marrin materialet e nevojshme për studim online dhe vetëm provimin përfundimtar e realizojnë duke qenë fizikisht të pranishëm në ambientet e fakultetit.

CIO: Pse keni vendosur të punoni me një projekt të këtillë?
Berisha: Nëse vëzhgojmë sot situatën në treg, shumica e të rinjve, por edhe ata të moshës së mesme, shfrytëzojnë Facebook-un dhe me një mesatare prej rreth 4 orësh qëndrimi në ditë në kuadër të këtij rrjeti social. Ne kemi menduar se duhet të lëvizim aty ku janë studentët, aty ku ata kalojnë kohën më të madhe të tyre. Nëse veprojmë kështu, studenti e ka më të lehtë t’i shohë paralajmërimet për postimet më të fundit në grupin e menaxhmentit ndërkombëtar në Facebook, më pas ai lidhet dhe diskuton me kolegun që ka postuar dhe kështu motivohet më shumë dhe është më i informuar. Ne mendojmë se edukimi sot është shumë më i ndërlidhur me shoqërinë dhe rrjetet shoqërore janë pjesë shumë e rëndësishme, vitale e shoqërisë në të cilën jetojmë. Këto janë elemente që do ta afrojnë edhe më tepër akademinë me shoqërinë. Pra, do të tregohet që akademia nuk është një institucion krejtësisht i mbyllur, por është vetë shoqëria dhe jeta. Në këtë mënyrë, ne mendojmë se do të kontribuojmë edhe për zhvillimin e shkathtësive dhe të vetë mendimit kritik të studentëve. Pa teknologji sot është i pamundur funksionimi në cilindo sistem.

CIO: A ka tentuar ndonjë universitet tjetër botëror diçka të ngjashme?
Berisha: Në nivel botëror ka pasur aplikime të suksesshme të këtij projekti, më saktësisht në SHBA, ku janë disa universitete me të cilat kemi raporte shumë të mira. Ideja jonë në fakt ka ardhur nga një profesor i quajtur Charles Wankel, i cili është ekspert i përdorimit të rrjeteve sociale në mësimdhënie dhe mësimnxënie dhe në bashkëpunim akademik. Unë kam qenë pjesë e projektit të Charles për shkrimin e një libri “Menaxhmenti përmes bashkëpunimit”, ku jemi 981 autorë nga e gjitha bota dhe punojmë e shkruajmë së bashku një libër duke shfrytëzuar Wiki’s, ku të gjithë kontribuojmë me raste studimore nga vendet prej të cilave vijmë. Charles ka shkruar rreth 9 libra për shfrytëzimin e rrjeteve sociale në edukim, në menaxhim, në biznes e në shumë aspekte të tjera.

Warton School në Pensilvani, e cila konsiderohet si shkolla më e mirë e biznesit në botë, e ka testuar këtë projekt vitin e kaluar dhe ka qenë jashtëzakonisht e kënaqur. Tani janë duke punuar me Google Plus për të avancuar edhe më tutje mësimdhënien në institucionin e tyre.

CIO: A bashkëpunoni me ndonjë universitet tjetër në lidhje me implementimin e këtij projekti?
Berisha: Ne jemi pjesë e një projekti me 24 universitete prej 18 shtetesh të botës, përfshirë SHBA-të, Zelandën e Re, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Sllovakinë, Ganën, Kosovën, Japoninë, Korenë e Jugut, etj. Ne zhvillojmë lëndën e biznesit ndërkombëtar të gjithë së bashku. Ne kemi zhvilluar një sillabus të përbashkët që gjen zbatim në të gjitha këto shtete e universitete. Pastaj studentët tanë ndahen në grupe prej gjashtë personash, të cilët duhet të jenë prej shteteve të ndryshme dhe kanë detyrë të bëjnë një biznes-plan ndërkombëtar. Në kuadër të këtij projekti kemi mbështetjen e gjigantëve si Aldi, BBP, Google, HSBC, Toyota, Walt Disney e McDonalds, madje kjo e fundit po kërkon të hapë një degë të re në Evropën Lindore. Studentët më pas kanë detyrë të caktojnë vendndodhjen dhe ta arsyetojnë atë. Vasyl Taras, profesor në Universitetin e Karolinës Veriore, ka zhvilluar gjithë këtë projekt dhe të gjitha dokumentet.

CIO: Çfarë synohet përmes këtij projekti?
Berisha: Përmes këtij projekti ne arrijmë dy nga objektivat tona strategjike, që janë shfrytëzimi i ICT-së në mësimdhënie e mësimnxënie dhe së dyti ndërkombëtarizimin e institucionit tonë, që sipas strategjisë sonë janë dy prej pikave kryesore. Kjo nënkupton se edhe studentët do të kenë qasje më globale, duke takuar miq të rinj dhe duke shikuar nga afër se si punojnë ata, si mësojnë, si mendojnë. Në anën tjetër, besoj se këto lidhje që do të krijohen dhe pjesëmarrja në këtë projekt sfidues do t’u hyjë në punë edhe për punësim, duke qenë se do të kenë mundësi të thonë se kanë punuar në një biznes plan për Google, BP apo McDonalds. Ideja është që edhe studentët të fillojnë projekte të tjera të përbashkëta apo ¬të nisin edhe biznes të përbashkët në ndonjë vend të caktuar. Para 15 vitesh ka qenë e pamundur të imagjinohej një bashkëpunim i tillë në tërë këto shtete për një lëndë të vetme, por teknologjia e sotme e mundëson këtë.

Me këtë projekt ne synojmë të rrisim interesimin e vetë studentëve dhe t’i motivojmë të punojnë më shumë, meqenëse janë duke vepruar në një fushë të re që nuk e ka sprovuar ende askush në rajon. Së treti, do të ndikojë në rritjen e njohurive tek studentët për përdorimin e teknologjisë. Se katërti, do të rritet përgjegjshmëria e studentëve sepse ata duke qenë pjesë e projektit do të kuptojnë se po ruajnë mjedisin, pasi po përdorin më pak letër. Së pesti, do të ngrihet besueshmëria e tyre dhe vizibiliteti ndërkombëtar, duke iu mundësuar të punojnë me studentë nga e gjithë bota dhe të arrijnë rezultate, si krijimi i bizneseve të përbashkëta.

CIO: A do të mbetet i zbatueshëm vetëm për këtë vit ky projekt apo do të synohet edhe diçka më shumë?
Berisha: Këtë vit projekti do të gjejë zbatim në një klasë prej 30 studentësh, por presim që brenda tre vitesh i tërë institucioni ta apl
ikojë diçka të këtillë. E tërë bota është duke u zhvilluar dhe ne duhet ta kapim atë zhvillim, edhe pse në këtë projekt jemi një hap para, duke qenë në krah të qëllimit tonë për të qenë institucion “avantgarde” në aplikimin e metodologjive të reja në mësimdhënie e mësimnxënie, të cilat nuk janë të ngurta por shumë dinamike.

CIO: A do të nxisë debat të ri mbi edukimin në Kosovë?
Berisha: Sigurisht që po. Disa do të tentojnë të zënë hapin e disa do të shikojnë si po rrjedhin gjërat. Ne kemi moton “ndërmarrës, inovativ dhe i përgjegjshëm”. Ndërmarrës sepse ne kemi qenë të parët që kemi krijuar këtë ndërmarrje të re dhe kemi futur një metodologji krejtësisht të re dhe të paprovuar në Kosovë. Inovativ sepse në vetvete projekti është një inovacion. Dhe të përgjegjshëm për shkak se përmes mospërdorimit të letrës ne jemi të përgjegjshëm ndaj mjedisit dhe ndaj shoqërisë, duke i pajisur studentët me njohuritë, dijet dhe shkathtësitë e shekullit. Jemi të përgjegjshëm edhe ndaj ekonomisë duke krijuar një fuqi punëtore të aftë, e cila do të mund të bartë mbi supet e veta përgjegjësinë për avancimin e ekonomisë së Kosovës.

Lajmet e fundit>