Uncategorized

Edhe “Plus" detyrohet të ulë tarifat me shumicë

Jun 26 2012
0 Shpërndarje
Edhe “Plus" detyrohet të ulë tarifat me shumicë

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ka vendosur të shpallë edhe “Plus Communication” si operator me fuqi të ndjeshme në treg (OFNT). Kjo nënkupton që edhe kompania e katërt e telefonisë celulare në Shqipëri do të jetë subjekt i rregullimit të tarifave të terminimit (tarifave me shumicë).

Deri më sot, “Plus” nuk ishte shpallur OFNT në tregun e terminimit të thirrjeve në rrjetin e vet (tarifa që operatori tjetër paguan për thirrjen drejt rrjetit “Plus”), me argumentin e të qënit operator i ri në treg. Kjo ka mundësuar që “Plus” të ketë tarifa terminimi shumë më të larta se operatorët e tjerë të telefonisë mobile. Aktualisht, tarifa e terminimit në “Plus” është 18.9 lekë për minutë, ndërkohë që terminimi në rrjetin “Eagle Mobile” kushton 8.85 lekë për minutë dhe termnimi në rrjetet “AMC” dhe “Vodafone Albania” kushtojnë 7.57 lekë për minutë.

Vendimi i AKEP për të përfshirë edhe “Plus” në rregullimin e tarifave pritet të marrë fuqi ligjore brenda muajit shtator, muaj kur parashihet edhe ulja e radhës e tarifave të terminimit, për të orientuar tarifat me shumicë drejt kostos. Sipas vendimit të AKEP të marrë para një viti, më 1 shtator tarifa e termnimit në rrjetin “Eagle Mobile” do të ulet në 6.52 lekë për minutë, ndërsa në rrjetet “AMC” dhe “Vodafone Albania” do të ulet në 6.1 lekë për minutë. Por “Plus” do të preket nga rregullimi i tarifave vetëm vitin e ardhshëm, kur tarifa e terminimit në rrjetin e saj do të bjerë në 12.92 lekë për minutë.

AKEP ka parashikuar që ulja e tarifave me shumicë të thirrjeve celulare të bjerë, në mënyrë të përshkallëzuar, deri në nivelin 4.57 lekë për minutë. Për “AMC”, “Vodafone” dhe “Eagle Mobile” kjo tarifë do të hyjë në fuqi me 1 shtator 2013, ndërsa për “Plus” ky nivel do të arrihet me 1 shtator 2015. Ulja e tarifave të terminimit ju krijon operatorëve celularë më shumë hapësirë për të konkurruar duke ulur tarifat edhe për thirrjet ndërmjet rrjeteve. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>