Investim

“Eagle Mobile” në hapat e fundit për lançimin e 3G

Jan 23 2013
0 Shpërndarje
“Eagle Mobile” në hapat e fundit për lançimin e 3G

eagle mobileOperatori i tretë 3G, “Eagle Mobile”, pritet të nisë së shpejti ofrimin e shërbimit me këtë teknologji. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, e ka dhënë zyrtarisht licencën në muajin dhjetor, ndërsa operatori është në hapat e fundit për t’i bërë shërbimet 3G aktive.

Sipas informacioneve nga “Eagle Mobile”, shoqëria është duke kryer testimet e fundit teknike, para ofrimit të shërbimit për publikun. Madje, nga testet e zhvilluara në zona të veçanta të Tiranës është arritur në shpejtësi transmetimi deri në 40 Mbps, nga rreth 42 Mbps që është shpejtësia më e lartë e arritur në kushte laboratori për këtë teknologji.

Pas marrjes së licencës, “Eagle Mobile” parashikonte ta niste ofrimin e shërbimit në mesin e muajit janar, megjithatë duket se shtrirja e rrjetit dhe testimet teknike do të kërkojnë edhe disa javë.

Ofertat për licencën e tretë 3G u hapën në muajin tetor dhe “Eagle Mobile” ishte e vetmja që paraqiti një ofertë të vlefshme, prej 4 milionë e 355 euro.

Operatori tjetër, “Plus Communication” paraqiti ofertën simbolike prej 1 euro, që nuk u vlerësua si e vlefshme. Shtimi i operatorëve 3G pritet ta bëjë tregun më konkurrues dhe të ulë çmimet internetit me brez të gjerë përmes rrjeteve celulare.

Interneti 3G aktualisht ofrohet nga dy operatorë, “Vodafone Albania” dhe “AMC”. Sipas të dhënave më të fundit nga AKEP, shërbimet 3G kanë rreth 270 mijë përdorues nëpërmjet telefonit celular dhe 37 mijë përdorues me USB Modem. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>