Menaxhim Projektesh

e-Shëndetësia Domosdoshmëri apo nevojë?

Jan 26 2011
0 Shpërndarje
e-Shëndetësia Domosdoshmëri apo nevojë?

Anembanë botës, kostot e kujdesit shëndetësor janë drejt shpërthimit dhe arsyeja kryesore për këtë është se medikamentet dhe teknologjitë e përparuara janë duke kontribuar në drejtim të rritjes së jetëgjatësisë. Për të qenë në gjendje për ta financuar këtë efekt pozitiv të jetëgjatësisë më të madhe duhet që sistemet ekzistuese shëndetësore të bëhen më efikase.

Njëra prej këtyre është edhe vënia në funksion e kartelave shëndetësore elektronike ose formimi i e-Shëndetësisë.Sistemet e besueshme, të sigurta, efikase dhe të lidhura përmes IT Shëndetësisë janë të domosdoshme për reduktimin e kostos, duke shkurtuar faturat e rënda të administratës që zakonisht janë të lidhura me programet e kujdesit shëndetësor publik. Ato janë gjithashtu të rëndësishme për parandalimin e mashtrimit; një nga problemet më të mëdha në balancimin e buxhetit të sigurimeve shoqërore.

Përveç të tjerash, vendosja e një sistemi shëndetësor elektronik mundëson riorganizimin e sistemit të procesit të recetave të shkruara nga mjeku, përmirëson cilësinë e kujdesit të dhënë dhe thjeshtëson të dhënat e menaxhimit të kujdesit shëndetësor në mënyrë elektronike, përmes një procesi të koordinuar të shërbimit shëndetësor.Kartelat Smart, me nivelin e lartë të të dhënave dhe të sigurisë të transmetimit, me kapacitetin e madh të memories, opsioneve elastike të programimit dhe ndërfaqes së standardizuar ofrojnë mundësinë ideale për t’u përdorur në sistemet e kujdesit shëndetësor.

Ato ndihmojnë në zvogëlimin e mashtrimit, modernizimin e administratës, përmirësimin e komunikimit dhe rritjen e cilësisë së trajtimit.Komisioni Europian është njëri prej përkrahësve më të mëdhenj të këtyre kartelave dhe ka shpallur se numri i kartelave në qarkullim ka arritur në mbi 180 milionë. Në anën tjetër, duhet theksuar se numri i europianëve që mbajnë kartelë është rritur nga viti në vit, që prej aktivizimit të programit në vitin 2004.Nëse marrim si shembull një shtet si Sllovenia, atëherë le të përmendim planin e tyre strategjik për e-Shëndetësi, i përgatitur në vitin 2010, përmes të cilit ata synojnë me ambicie të larta përmirësimin e shëndetësisë të ndërlidhur me sistemet sociale të informacionit në nivel kombëtar, ku në mes të tjerash kanë krijuar edhe e-shërbime që mundësojnë sigurimin dhe informata transparente, të cilat do të jenë në dispozicion për të gjitha palët në një mënyrë të sigurt dhe efikase.

Futja e kartelës së kujdesit shëndetësor elektronik do të bëjë të mundur modernizimin rrënjësor të kartelsistemit të kujdesit shëndetësor në institucionet shëndetësore. Kartela, e cila do të kishte përkrahjen e të gjithë mjekëve, dentistëve, farmacistëve, klinikave dhe kompanive të sigurimit shëndetësor, do të mundësonte formimin e një rrjeti të ndërlidhur dhe krijimin e një bazë të fuqishme për IT sistemet dhe proceset e tyre të brendshme.

Lajmet e fundit>