Investim

Duart e arta të gjysheve qëndisin “Startup Weekend”-in e parë shqiptar

Jun 17 2012
0 Shpërndarje
Duart e arta të gjysheve qëndisin “Startup Weekend”-in e parë shqiptar

Ideja fituese e 54 orëve të kushtuara shpirtit të lirë të ideve dhe sipërmarrjes do të mbledhë, promovojë dhe shesë online prodhimet artizanale të gjysheve dhe grave shqiptare për të gjithë të interesuarit, vendas e të huaj.

Gjyshja zë pa dyshim një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e çdo fëmije, të riu apo edhe të rrituri jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Në përfytyrimin kolektiv, ajo shfaqet përherë e dashur, plot ëmbëlsi dhe me dëshirë të madhe për të punuar në çdo mënyrë e me çdo mjet. E pikërisht këtë karakteristikë tipike të gjysheve, e kanë ndërmend edhe anëtarët e grupit fitues të konkursit “Startup Weekend”, të mbajtur para disa javësh në Tiranë. Duket si e çuditshme të lidhësh duart e arta të gjysheve apo edhe grave shqiptare me teknologjinë e informacionit, marketingun dhe natyrisht biznesin, por pikërisht për këtë arsye “Grandmothers Employment” rezultoi si ideja më e pëlqyer dhe më e votuar nga juria përzgjedhëse gjatë fiks 54 orëve të kushtuara tërësisht shpirtit dhe talentit sipërmarrës të studentëve dhe profesionistëve të rinj shqiptarë.

Ide studentësh me shumë mbështetje profesionistësh

Të njohur kryesisht gjatë fundjavës së kushtuar tërësisht shpirtit të lirë të sipërmarrjes, inovacionit teknologjik dhe ideve me potencial për zhvillim dhe sukses në fushën e biznesit, katër djem dhe një vajzë u bashkuan për të formuar grupin fitues me emrin “Grandmothers Employment”. Dorian Hoxha, student në Universitetin Europian të Tiranës në degën Informatikë Ekonomike, pati idenë fillestare të frymëzuar nga gjyshet: punimet artizanale të dala nga duart e gjysheve dhe grave mund të konsiderohen fare mirë produkte tregtare, prandaj ato mund të nxirren në shitje për të gjithë dashamirësit e punimeve artizanale me dorë. “Ideja erdhi krejt papritur. Unë po dëgjoja idetë e tjera, por nuk po përqendrohesha dot, sepse diçka tjetër po më ngacmonte. Ideja nisi më duket nga keqshqiptimi i një fjale nga dikush, që po thoshte idenë e tij”, pranon me sinqeritet djaloshi.

Ideja e tij u vlerësua menjëherë nga Fabjan Lashi, ekspert i IT-së që angazhohet me projekte të organizatave të huaja në Tiranë, i cili i’u bashkua Dorianit në procesin e konkurrimit. “Njerëzit rrallë herë e nisin idenë për ta çuar deri tek zhvillimi i produktit komercial. Formalizimi ishte dhe mbetet akoma i vështirë”, thekson Fabjani, i mbështetur në përvojën e tij me sipërmarrjen në Shqipëri. Grupit të tyre i’u bashkuan më pas edhe Arianita Toçi, studente e UET-së në të njëjtën degë me Dorianin, si edhe Erjon Curraj, menaxher i ICT-së në UET, e Lorenc Gjoni, konsulent për krijim biznesesh. Në këtë mënyrë, grupi fitues i “Startup Weekend”-it të parë shqiptar paraqet një ndërthurje tepër interesante midis të rinjëve dhe profesionistëve me përvojë. Të gjithë këta i’u bashkuan idesë së gjysheve, sepse u ngacmuan nga origjinaliteti dhe thjeshtësia e kësaj iniciative.

Gjyshet “online”, biznes dhe promovim traditash

Me idenë për të krijuar dhe vënë në funksion një startup, që përmes internetit të hedhë prodhimet e duarve të gjysheve dhe grave shqiptare jo vetëm në tregun kombëtar, por sidomos në atë global, grupi i krijuar gjatë “Startup Weekend”-it hodhi edhe bazat e bashkëpunimit të ardhshëm midis anëtarëve të rinj të tij. Me anë të mbështetjes që do të jepet nga të gjithë sponsorët e aktivitetit, të rinjtë e këtij grupi

do të kenë mundësi jo vetëm të hedhin bazat për zhvillimin në praktikë të idesë së tyre, por edhe që të mendojnë për zgjerimin me sukses të aktivitetit. Në qendër të këtij mikro-kozmosi do të jenë natyrisht gjyshet dhe gratë shqiptare dhe gjithçka që do të lindë nga duart e tyre, por grupi i të rinjve është i vetëdijshëm se nuk mjafton vetëm imazhi apo simbolika për të patur sukses në tregun shqiptar dhe sidomos atë botëror. Plani i tyre është për të vënë së shpejti në funksionim një version të konsoliduar në Ueb të këtij portali, në mënyrë që reklamimi të fillojë të japë efekte në vjeshtë të këtij viti.

Sipas grupit fitues, “produktet artizanale, që ne po përpiqemi t’i komercializojmë online janë dhe mund të prodhohen me autenticitet të lartë nga një numër i madh individësh, nga shtëpia, pa qenë nevoja për përdorimin e makinerive industriale, dhe pa u lidhur me çështjet e logjistikës”. Nëpërmjet “Grandmothers Employment” synohet edhe promovimi i vlerave tradicionale e folklorike të popullit shqiptar në një kohë që, sipas tyre, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më lehtësisht e arritshme, prandaj përherë e më shumë të huaj po e njohin vendin tonë. Bashkë me njohjen e elementeve tjera tërheqëse, si pejsazhet e mrekullueshme, lehtësitë për lëvizje anekënd e shumë të tjera që karakterizojnë vendin, sipas grupit fitues, zbulimi i aftësive të artizanateve shqiptare, me bazë të fortë historiko-etnografike e bën këtë ide biznesi tepër interesante dhe kurioze. “Fundi i këtij viti do të na gjejë të impenjuar, duke dërguar dhuratat me postë për festat e fundvitit”, është premtimi që bëjnë Doriani, Fabjani, Erjoni, Lorenci dhe Arianita.

Ashtu si edhe të gjithë mbështetësit vendas e të huaj të “Startup Weekend”-it të parë shqiptar, “PCWorld.al” dhe “CIO.al” do të kenë kënaqësinë të promovojnë edhe në shkrime të tjera në të ardhmen jo thjesht idenë e këtyre të rinjve të talentuar apo të grupeve tjera fituese, sepse nuk bëhet fjalë thjesht për shitblerje apo marketing. Në misionin tonë informues e promovues do të përpiqemi t’i japim më shumë hov vetë shpirtit të sipërmarrjes, konkurrencës së ideve novatore dhe risive në teknologjinë e informacionit, të cilat ashtu si edhe në të gjithë botën gjenerohen përditë nga shqiptarët, me shqiptarët, dhe për shqiptarët. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>