Internet

Çfarë është SEO?

Oct 18 2011
0 Shpërndarje
Çfarë është SEO?

SEO është term që ndërlidhet me Përshtatjen për Motor Kërkues, një proces që tërheq më shumë lexues në një web faqe nga motorët kërkues. Web faqet mund të editohen në mënyrë që të përmirësojnë dukshmërinë e tyre në motor kërkues, me synimin që të paraqiten në majë të listës së rezultateve kur bëhet fjalë për një term të popullarizuar kërkues. Sa më lart që të jenë në rezultatet e shfaqura për një term, aq më shumë njerëz do të klikojnë në të.

Motorët kërkues si Google apo Bing shërbejnë si indekse të fuqishme të web faqeve. Përdoruesit shfrytëzojnë motorët kërkues për të gjetur web faqe me informacione rreth një teme apo subjekti të caktuar dhe motorët kërkues i kthejnë rezultatet me një listë që renditet në bazë të ngjashmërisë dhe autoritetit të secilës web faqe që ndërlidhet me atë temë apo subjekt që po kërkon përdoruesi. Sa më specifik të jetë një web faqe në lidhje me termin e kërkuar, aq më të mëdha janë gjasat që të paraqitet në majë të rezultateve të kërkimit. Web faqja duhet që gjithashtu të ketë një autoritet të mirë për t’u paraqitur në pjesën më të lartë të listës dhe zakonisht ndodh që shumë web faqe të jenë të lidhura me të në raport me subjektin apo temën e kërkuar.

Google ofron udhërrëfyesin e saj për të demonstruar se si web faqet mund të punojnë me motorët kërkues dhe të sigurohen që përmbajtja indeksohet ashtu si duhet. Procesi SEO bëhet më konkurrues kur shumë web faqe tentojnë të paraqiten në majë të listës së rezultateve për një term të popullarizuar.

SEO mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm për menaxhimin e reputacionit përreth një termi specifik, siç është një emër. Nëse brendi dëshiron të kontrollojë se çfarë informacioni paraqitet kur njerëzit kërkojnë për atë emër, duhet të sigurojë që faqja e vet të paraqitet mbi të tjerat që janë në rezultatet e motorit kërkues. Brendi duhet të shtyjë para gjërat pozitive dhe të largojë ato negative.

Disa faktorë mund të ndikojnë në renditjen e një web faqeje në listat e rezultateve të kërkimit, përfshirë lidhjen dhe autoritetin. Motorë kërkues si Google përdorin algoritëm sekret për të renditur listën e tyre të rezultateve dhe profesionistët e SEO shpenzojnë shumë kohë duke tentuar të kuptojnë se cilët janë këta faktorë dhe si mund t’i shfrytëzojnë më së miri për sistemin e tyre.

Nëse web-i është i mbushur me kritika ndaj një brendi, ato web faqe do të shfaqen kur njerëzit kërkojnë për atë brend. Një strategji për menaxhimin e reputacionit me bazë në SEO do të përfshinte përshtatjen e web faqeve me gjëra pozitive dhe tentimet për t’i renditur këto web faqe mbi ato negativet në rezultatet e kërkimit, duke i fshehur këto të fundit para shfletuesve të zakonshëm.

Për shembull, kur kërkohet “lajme për teknologji” në Google, PCWorld Albanian nuk renditet në majë të listës, edhe pse jemi shumë relevantë me këtë term dhe kemi një autoritet mjaft të mirë në internet. Kjo nënkupton se ne duhet të punojmë më shumë me SEO për të përshtatur web faqen tonë që të shfaqet në majë të listës dhe të konkurrojë me faqet e tjera.

Apo në rastin kur kërkoni për termin “harduer”, sërish jemi mirë në listë por jo aty ku duhet të jemi. NextSEO është një kompani me seli në Prishtinë që merret me SEO, por që shërbimet e saj i ka kryesisht të shtrira për klientë në Gjermani. Ajo gjatë gushtit pati postuar edhe një vend pune për ndërtues linqesh (Link Builder), ku u ofrua një pagë mjaftë e mirë për kandidatin potencial.

Kjo natyrisht ishte në mes të tjerash një shenjë e qartë e rëndësisë së këtij profesioni dhe e përfitimeve të mundshme materiale. Pavarësisht se në anën tjetër disa e cilësojnë si punë më shumë monotone, këshilla për kandidatët që dëshirojnë të veprojnë në këtë karrierë janë të ndërlidhura me avancimin e aftësive të tyre në marketing në internet, shkathtësi të larta për rrjetet sociale si Facebook, Twitter e Linkedin, Përshtatje të Landing Page, Search Engine Optimization, Search Engine Marketing, etj. Natyrisht në internet mund të gjeni artikuj të panumërt në lidhje me atë se ç’është SEO dhe si të avanconi në të, por kjo le të shërbejë më shumë si bazë e saj se ç’është dhe për çfarë shërben.

 

Lajmet e fundit>