Mobile

“Celulari” na kushton mesatarisht 57 euro në vit

Jul 13 2012
0 Shpërndarje
“Celulari” na kushton mesatarisht 57 euro në vit

Telefoni celular është bërë padyshim një instrument nga i cili gjithnjë e më shumë shqiptarë kanë varësi. Statistikat zyrtare tregojnë për një përdorim në rritje vit pas viti.

Por, megjithatë shqiptarët shpenzojnë relativisht pak për telefonin celular. Sipas një studimi krahasues të CIO Albanian, krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, përfshirë edhe ato vende që i janë bashkuar BE-së në vitet e fundit, shqiptarët shpenzojnë pak për shërbimet e telefonisë mobile.

Kështu, për vitin 2011 çdo abonent i telefonisë celulare shpenzoi mesatarisht 57 euro. Ndërkohë, shpenzimi mesatar vjetor i një përdoruesi të telefonisë celulare në Bashkimin Europian është 221 euro.

Shpenzimet më të larta për shërbimet celulare i kanë përdoruesit francezë, me 389 euro në vit. Vendet me standard jetese më të përafërt me Shqipërinë, Rumania dhe Bullgaria, qëndrojnë më lart për sa i takon shpenzimeve vjetore për komunikimin mobil. Një përdorues rumun shpenzon mesatarisht 61 euro në vit, ndërsa një bullgar 77 euro. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>