Internet

BroadBand për Shqipërinë

Jan 26 2011
0 Shpërndarje
BroadBand për Shqipërinë

UNIFI Communications (UNIFI), lider amerikan në sektorin ndërkombëtar të transmetimit të të dhënave, dhe Alcatel-Lucent, një ofrues i suksesshëm i lidhjeve kabllore nënujore, deklaruan nënshkrimin e fazës së parë të kontratës për ndërtimin e rrjetit Ballkan-Itali (BIN).Alcatel-Lucent do të jetë kompania që do të ofrojë zbatimin e plotë të lidhjes me fibra optike nënujore ndërmjet Tiranës dhe Barit.Rrjeti pritet të jetë funksional rreth fundit të vitit 2011. Sipas marrëveshjes, Alcatel-Lucent duhet të përfundojë shtrimin e fibrës optike që do të lidhë Italinë me qendrën e sapokrijuar në Tiranë për Shkëmbimin e Internetit në Ballkan (Balkans Internet eXchange (BIX).

BIX po krijohet nën kujdesin e UNIFI për të shërbyer si qendra e parë me fibra optike për shkëmbimin e të dhënave mes Shqipërisë dhe qendrave më të mëdha të telekomunikacionit në Europë, ku përfshihet Milano, Frankfurti, Amsterdami dhe Londra.

 

Në konferencën e përbashkët të mbajtur në fillim të muajit nëntor ishin të pranishëm z. Adrian Shatku, President dhe Drejtor Ekzekutiv i UNIFI, z. Enrico Banfi dhe Richard Nilsson nga Alcatel – Lucent, z. Phil Walker nga UNIFI dhe z. Genc Pollo, Ministër i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit.Adrian Shatku, President dhe Drejtor Ekzekutiv i UNIFI, deklaroi: “Ne zgjodhëm Alcatel-Lucent sepse kjo kompani ofron kombinimin më të përkryer cilësi-çmim dhe i përmbush të gjitha kriteret si në eksperiencë, teknologji apo planifikim projekti. Më tej, falë kushteve elastike të kontratës, UNIFI planifikon të bëhet ofruesi i parë në rajon i rrjetit 40 Gb/s, i cili përkthehet në një avantazh të shkëlqyer në treg.”UNIFI do të ofrojë dhe tregtojë shumë lloje shërbimesh të rrjetit, përfshirë përçimin e internetit deri në shpejtësi disa Gigabit dhe të gjitha llojet e shërbimeve të tjera për transmetimin e të dhënave.

UNIFI do të mundësojë lidhjen me fibër të errët ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë me pjesën tjetër të Evropës dhe rrjetet ndërkombëtare. Rrjeti UNIFI do të ndërtohet me fibra optike të cilësisë më të lartë duke përdorur teknologjinë Dense Wavelength Division Multiplexing (Ndarje e Shumëfishtë e Gjatësisë së Valës së Dendur), duke ofruar kështu kapacitet lidhës pa kufi për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit.Philippe Dumont, President i Alcatel-Lucent Submarine Networks SAS, tha: “Ky është një hap domethënës digjital për Shqipërinë. Ky shërbim do të krijojë kushtet për zhvillimin e shërbimeve IP në gjithë rajonin.

Kapaciteti i lartë, shpejtësia deri në 40 Gb dhe fleksibiliteti i ofruar nga kablloja e re, do t’i ndihmojë bizneset dhe do të nxisë investimet në rajon dhe më gjerë.”UNIFI tashmë planifikon të fokusohet në zbatimin e fazës së parë të projektit. Kjo kompani do të vijojë me përmbushjen e kërkesave të tregut rajonal, përfshirë fazat e mëtejshme të BIN për ndërlidhje tokësore mes vendeve fqinje me Shqipërinë, si Greqia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kjo lidhje do të stimulojë rritjen e ndërveprimit me tregje të tjera rajonale siç janë Bullgaria, Turqia etj.

Lajmet e fundit>