Internet

Brazili nuk do ta ketë gati rrjetin 4G gjatë Kupës së Botës

Apr 15 2013
0 Shpërndarje
Brazili nuk do ta ketë gati rrjetin 4G gjatë Kupës së Botës

4GVizitorët që do të shkojnë drejt Brazilit për të parë ndeshjet e Kupës së Botës 2014 në futboll nuk do të kenë mundësi të përdorin rrjetin më të shpejtë të transmetimit të të dhënave, 4G.

Ai përdoret prej disa kohësh tashmë në SHBA dhe Evropë.

Rregullatori i telekomunikacionit në Brazil, Anatel, është shprehur përmes presidentit Jõao Rezende se spektri 700 MHz nuk do të jetë gati për eventin e madh.

Në vend të saj, u shpreh ai, turistët mund të blejnë çipe 4G që funksionojnë në rrjetin 2.5 GHz të Brazilit, ose duhet të mësohen me shërbimet e tjera me shpejtësi më të ulët.

Këto deklarata shoqërohen si herët e tjera me diskutime të mëdha lidhur me organizimin e Kampionatit në Brazil. Qershorin e kaluar Brazili zhvilloi tenderin për dhënien e së drejtës së ushtrimit të rrjetit 4G në spektrin 2.5 GHz, duke iu kërkuar njëkohësisht pronarëve ta kishin gati këtë teknologji në qytetet ku do të zhvillohen ndeshje.

Rregullatorët brazilianë po përpiqen që t’i lëvizin transmetimet televizive nga spektri 700 MHz, duke u lejuar kompanive telefonike që të përdorin më pak bandë, e cila kërkon më pak antena për të njëjtin mbulim, krahasuar me bandën 2.5 GHz.

Ndërkohë, zëdhënësi i FIFA-s Walter de Gregorio, u shpreh për gazetarët se infrastruktura wireless në Brazil ishte ndër shqetësimet më primare në muajt e fundit para fillimit të kampionatit.

“Një nga sfidat më të mëdha që shoh është telekomunikimi. Ne aktualisht po bazohemi tek ato që thonë vetë brazilianët se kur mendojnë që do të jenë gati. Mendoj se ndoshta duhet të rregullojnë njëherë rrjetin 3G. Ose ndoshta do t’iu duhet të bëjnë kalimin nga 2G në 4G,” shtoi ai. (CIO Albanian)

Tags >

internet
Lajmet e fundit>