Business & Management

Blerjet online, dy kompani shqiptare si “PayPal”

Sep 5 2012
0 Shpërndarje
Blerjet online, dy kompani shqiptare si “PayPal”

Shtrirja e përdorimit të internetit ka bërë që edhe në Shqipëri të nisë biznesi i pagesave në distancë, përmes internetit dhe telefonit celular.

Banka e Shqipërisë ka licencuar tashmë dy kompanitë e para të pagesave në distancë, përkatësisht “EasyPay” dhe “MPay”.

Operatori i parë, “EasyPay”, është operativ në treg që nga viti i kaluar.

Koncepti është mjaft i ngjashëm më “PayPal”, ku klienti rimbush një llogari online përmes llogarisë bankare dhe prej andej mund të kryejë transaksione blerjesh në distancë.

Kjo platformë ka marrëveshje me dy operatorë të rëndësishëm të telekomunikacioneve, “Digitalb” dhe “Plus Communication”, kompani ku pronari i “EasyPay” është aksioner”. Përmes “EasyPay” mund të kryhen rimbushje automatike të kartave të shërbimit të këtyre dy operatorëve.

Klientët e “EasyPay” munden gjithashtu të kryejnë blerje online në dyqanet e “Fastech”, “DyqanTaxi”, “123.al” dhe “GoTech” pa asnjë tarifë ekstra.

Një nismë e ngjashme është e “MPay”, kompani e zotëruar nga sipërmarrësi francez Ludovic Laventure.

Kjo kompani pritet që të jetë aktive pas muajit Qershor, duke ofruar shërbime pagesash drejtpërsëdrejti nga telefoni celular. Në jetën e vrullshme të ditëve të sotme, koha po bëhet një aset gjithnjë e më i çmuar.

Për këtë arsye, edhe shqiptarët kanë nisur të shfrytëzojnë instrumentet e pagesave në distancë dhe avantazhet e blerjeve online.

Sipas Bankës së Shqipërisë, deri në fund të 6-mujorit të parë, shqiptarët zotëronin mbi 43 mijë karta krediti të lëshuara nga bankat vendase. Këtij numri i duhen shtuar edhe një sasi e madhe kartash debiti që mund të përdoren për blerje online, por për to nuk ka statistika të sakta.

Sidoqoftë, është fakt se numri i Shqiptarëve që zotërojnë mundësitë logjistike për të realizuar blerje në distancë është rritur. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>