Harduer

BlackBerry iu drejtohet konsumatorëve: “Mund të vazhdoni të mbështeteni tek ne”

Oct 15 2013
0 Shpërndarje
BlackBerry iu drejtohet konsumatorëve: “Mund të vazhdoni të mbështeteni tek ne”

BB10-event_610x344Prodhuesi kanadez i smartfonëve i cili ka kaluar disa muaj të vështirë së fundmi, ka publikuar një letër të hapur në përpjekje për të risiguruar konsumatorët dhe partnerët e vet se kompania vazhdon të disponojë një teknologji tërheqëse për përdoruesit dhe se do të vazhdojë të rezistojë në treg. Letra është publikuar në rrjete sociale dhe në 30 gazeta të 9 shteteve të ndryshme.

Në letër shkruhej: “Mund të vazhdoni të mbështeteni te BlackBerry. Kjo është padyshim një periudhë sfiduese për kompaninë dhe ne nuk nënvlerësojmë situatën apo injorojmë sfidat. Ne po përpiqemi të realizojmë ndryshimet e nevojshme për të fuqizuar BlackBerry-in”. Letra do të publikohet të martën në gazeta të tilla si Washington Post dhe The Wall Street Journal, në faqen zyrtare të kompanisë dhe do të dorëzohet direkt ndaj bizneseve konsumatorë të BlackBerry-it.

Kjo letër është shkruar si rezultat i pasigurive që po has BlackBerry për të ardhmen. Kompania ka humbur shumë shpejt një pjesë të rëndësishme të tregut si dhe ka hasur shumë konkurrencë në tregun e bizneseve. Gjithashtu dështoi përpjekja e saj për të ecur në tregun e tabletëve me prodhimin e PlayBook.

Së fundmi, BlackBerry pranoi të privatizohej për shumën 4.7 miliard $, një marrëveshje e drejtuar nga Fairfax Financial Holdings. Megjithatë themeluesi i BlackBerry-it është duke u përpjekur të zotërojë përsëri një pjesë të aksioneve të kompanisë.

BlackBerry ka pranuar në letrën e hapur se kompania po përballet me sfida të vështira, por ajo do të vazhdojë të përkushtohet për të ndihmuar konsumatorët. Në letër argumentohet se kompania së fundmi ka ofruar mjetin më të mirë të produktivitetit me lançimin e sistemit operativ BlackBerry 10 si dhe 4 pajisje të reja. BlackBerry ofron shkallën më të lartë të sigurisë si dhe mjetet më cilësore për menaxhimin e mobilitetit të kompanive dhe institucioneve qeveritare.

Në letër shkruhej gjithashtu: “Është e vërtetë që në treg ka shumë konkurrencë dhe ne e dimë se BlackBerry nuk është për të gjithë. Kjo gjë nuk përbën problem sepse ne e kemi ditur gjithnjë se BlackBerry është ndryshe dhe ju diferencon nga të tjerët. …Ju i besoni BlackBerry-it kur dërgoni mesazhet më të rëndësishme, prandaj na besoni edhe në rastin kur ne ju përcjellim një mesazh: Mund të vazhdoni të mbështeteni tek ne.” Këtu mund të lexoni letrën e plotë. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>