Business & Management

Bizneset të luftojnë korrupsionin përmes teknologjisë informative

Oct 25 2012
0 Shpërndarje
Bizneset të luftojnë korrupsionin përmes teknologjisë informative

Korrupsioni në Kosovë, është pengesa kryesore për sundim të ligjit, zhvillim ekonomik si dhe funksionim demokratik të institucioneve publike në këtë shtet. Efektet e korrupsionit janë gjithëpërfshirëse dhe ndjehen në të gjitha fushat dhe sektorët e qeverisjes në vend. Sipas barometrit të perceptimit të korrupsionit për vitin 2011, të realizuar nga organizata Transparency International, perceptimi për korrupsionin në Kosovë është shumë i lartë. Në një shkallë nga 0 – 10, ku 0 do të thotë që vendi perceptohet si shumë i korruptuar dhe 10 që një vend është perceptuar si shumë i pastër, Kosova ka vlerësimin 2.9, që nënkupton se vendi shihet nga qytetarët si tejet i korruptuar.

Fakti më shqetësues nga e gjithë kjo është se korrupsioni po perceptohet si e vërtet e rëndomtë, fakt ky që së bashku me frikën, pesimizmin dhe pasivitetin na shpie në atë gjendjen ku integriteti, etika dhe barazia shërbejnë vetëm si retorikë e mirë. Kosova gjendet sot në një pikë delikate, në një moment kritik ku ose do të pranohet korrupsioni e korruptimi si fenomen normal i politikanëve, zyrtarëve e vetë shoqërisë ose do të reagohet fort ndaj tij.

Fshehja e dëshmive korruptive po bëhet edhe më e vështirë duke patur parasysh se avancimi i teknologjisë dixhitale ka arritur nivelin ti sfidojë limitet e komunikimit dhe kufizimet në të dhëna, duke ofruar mundësi inkurajuese për angazhim dhe aktivizim më të shpejtë, më praktik dhe më të sigurt. Megjithatë nëse bizneset janë pjesë problematike e korrupsionit, ato janë po ashtu edhe pjesë e zgjidhjes së problemit.

Ajo që mundëson një progres kundër korrupsionit janë ekspertët e biznesit modern dhe aktiv, të shkathët dhe vizionarë, që nuk shohin dritë në përfitime afatshkurtra, por besojnë që e vetmja mënyrë për të avancuar ekonominë dhe kulturën e biznesit është duke i thënë jo korrupsionit, duke u rezistuar ryshfeteve dhe duke insistuar në reforma.

Shfrytëzimi i përparësive që mundëson teknologjia informative mund të merret si një pikënisje e dobishme e kësaj reforme. Dixhitalizimi i të dhënave publike në ditët e sotme është një mënyrë e rekomanduar dhe e detyrueshme për komunikim të mirëfilltë dhe transparent me publikun e gjerë.

Së fundmi Instituti Demokratik i Kosovës ka prezantuar portalin “Tenderi im” përmes së cilit synon inkurajimin e njerëzve në përgjithësi si dhe bizneseve në veçanti të raportojnë shkeljet, parregullsitë dhe pakënaqësitë në prokurimin publik. Duhet të ceket se parandalimi përmes këtij mediumi është shumë lehtësues kur marrim parasysh që ndarja e eksperiencës së publikut në këtë fushë bëhet në mënyrë anonime, duke ditur që kjo qasje ndihmon luftimin e faktorit kyç – frikës.

Me rezistimin e frikës, jemi në gjendje të zbulojmë informacione e po ashtu edhe njerëzit e tjerë të asociohen me eksperiencën tonë dhe të inkurajohen për të bërë të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë iniciohen një numër i madh i fushatave vetë dijësuese me zero tolerancë për praktika korruptive, duke shpresuar edhe për një koalicion të bizneseve kundër korrupsionit.

Duke pasur një ambient të pastër biznesi, jo diskriminues dhe konkurrues do të tërheq vëmendjen e investitorëve dhe po ashtu do të shërbejë edhe si një themel i një baze të fortë për të mësuar rininë në

përgjithësi e sidomos njerëzit e rinj të biznesit që të kenë zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero tolerancë ndaj mosndëshkimit dhe angazhim të plotë të vendimmarrjeve ligjore. (CIO Albanian)

Tags >

biznes
Lajmet e fundit>