IT Organizate

Bizneset e IT paraqesin shqetësime për prokurimet publike

Oct 4 2012
0 Shpërndarje
Bizneset e IT paraqesin shqetësime për prokurimet publike

Shoqata Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit (AITA) organizoi këtë javë një tryezë të rrumbullakët mbi temën e Prokurimeve Publike në Shqipëri.

E cilësuar nga kompanitë e sektorit të Teknologjisë së Informacionit si një temë prioritare, sigurimi i konkurrencës së drejtë është një çështje me rëndësi për gjithë ekonominë shqiptare.

Në tryezë ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë nga Agjencia e Prokurimit Publik, Avokati i Prokurimeve, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Ministri i Teknologjisë së Informacionit dhe 15 subjekte private anëtare të AITA.

Përmes shfaqjes së problematikave me të cilat ndeshen kompanitë anëtare në proceset e prokurimit publik, kompanitë pjesëmarrëse patën mundësinë të përcillnin shqetësimin ekzistues mbi tema si përcaktimi i termave të referencës në tendera, parimet e vendimit për kompanitë fituese dhe monitorimi i dorëzimit të mallit/shërbimit të premtuar, procedurat para dhe pas shpalljes së rezultateve të tenderave, pronësia intelektuale për zgjidhjet e përgatitura, tenderat për mirëmbajtje, tenderat e institucioneve ndërkombëtare dhe tenderat për prokurim të përqendruara, kontratat mes autoriteteve kontraktuese dhe kompanive fituese të tenderave, kriteret për vlerësimin e ofertave.

Një pjesë me rëndësi e tryezës iu kushtua paraqitjes nga ana e përfaqësueseve të APP të risive që sjell projektligji i ri për Prokurimin Publik dhe mënyrën se si problematikat e shprehura nga AITA dhe anëtarët e saj adresohen.

Diskutimi dhe përgjigjet e dhëna nga përfaqësuesit e institucioneve mbi problematikat e shfaqura, nxorën në pah nevojën për diskutime të mëtejshme mbi projektligjin e ri, si dhe mbi temën e përgatitjes së kontratave sa më të drejta, në mes kompanive fituese tenderash dhe autoriteteve kontraktuese.

Në përmbledhjen e zhvilluar në mbyllje të takimit, këto çështje u përcaktuan edhe si detyrat më të afërta për shoqatën http://www.aita-al.org/. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>