Menaxhim Projektesh

Berisha synon digjitalizimin e shërbimeve administrative

Jan 26 2011
0 Shpërndarje
Berisha synon digjitalizimin e shërbimeve administrative

Administrata e Shqipërisë pritet që shumë shpejt të ofrojë shërbimin e dokumenteve online, të cilat kryesisht do të jenë ato të zyrave të Gjendjes Civile.

“Kemi hedhur bazat e ONE Stop Shop për të gjitha shërbimet që kanë nevojë qytetarët shqiptarë, për të gjitha dokumentet. Ne po punojmë për data bazë kombëtare dhe këto do të jenë sportelet në Ungrej, në Frashër, në Dukagjin apo kudo që të ndodhen qytetarët, të cilët nuk do të bëjnë më dhjetëra apo ndonjëherë dhe qindra kilometra rrugë për të marrë një shkresë me një vulë”, është shprehur gjatë mesi të muajit dhjetor kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Ai tha se çdo dokument do të tërhiqet në kompjuterin e postës së vet, duke fituar jo vetëm kohë, por edhe duke shmangur korrupsionin. Deklarata e kryeministrit u bë në inaugurimin e projektit “Internet falas në çdo skaj të Shqipërisë”, projekt i cili do të ofrojë për qytetarët në mbarë Shqipërinë nëpërmjet internetit shërbime të reja në zyrat e Postës Shqiptare, duke lehtësuar ndjeshëm komunikimin mes njerëzve. Berisha u shpreh se inaugurimi i projektit të internetit në çdo zyrë poste, në të katër anët e Shqipërisë, është një ngjarje e madhe në historinë e përpjekjes së qeverisë për ‘Shqipërinë dixhitale”. Duke theksuar se interesi më madhor është shërbime më të mira dhe më të lira për qytetarët shqiptarë, Berisha  garantoi se qeveria do të mbështesë çdo përpjekje për të ecur në këtë moto.

“Komunikimi është bërë sot një nevojë absolutisht nga më jetiket për njeriun modern. Është shndërruar në njërën prej nevojave më kryesore të qenies njerëzore. Pikërisht për këtë arsye, qeveria në vitin 2005 shpalli “Shqipërinë dixhitale” ndër objektivat më madhore të saj dhe e shpalli në një kohë kur realisht ky motiv tingëllonte qesharak. Tingëllonte i tillë për burokratët sepse në vitin 2005 shkalla e depërtimit të internetit në këtë vend ishte gjithsej 4.8%. Por nuk ishte kjo një pengesë për të shpallur me guxim një alternativë, e cila do të bëhej transformuese në këtë vend”, u shpreh kryeministri, i cili shtoi se pas 5 vitesh shkalla e depërtimit të internetit në shoqërinë shqiptare ka arritur në rreth 50%.

Lajmet e fundit>