Business & Management

Berisha premton internet me çmim të lirë për të gjithë

Sep 27 2012
0 Shpërndarje
Berisha premton internet me çmim të lirë për të gjithë

Kryeministri Sali Berisha tha sot gjatë një forumi biznesi se, së shpejti, qeveria shqiptare do të ofrojë shërbim internet për publikun e gjerë me një çmim simbolik.

Sipas tij, çmimet e internetit në Shqipëri janë të larta dhe të papërballueshme për të gjithë. Për këtë arsye, qeveria shqiptare do të përdorë projektin e rrjetit kombëtar broadband për të shpërndarë në të gjithë vendin internet me çmim të lirë.

Por, kryeministri nuk bëri të qartë nëse qëllimi është për të ofruar linja interneti nëpër familje dhe me çfarë infrastrukture do të kryhet kjo, duke qënë se projekti i rrjetit kombëtar broadband nuk parashikon shtrimin e linjave të lidhjes me pakicë.

Sipas kryeministrit, interneti do të shpërndahet nga një ent i paspecifikuar publik. Rreth projektit të rrjetit kombëtar broadband ekziston një mjegull paqartësie, duke qënë se Ministri i Teknologjisë së Informacionit e anulloi tenderin për ndërtimin e këtij rrjeti.

Nuk ka një informacion zyrtar sesi do të procedohet më tej, por sipas disa burimeve rrjeti mund të ndërtohet nga qeveria dhe të menaxhohet nga një shoqëri publike, që mund të jetë Posta Shqiptare. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>