Menaxhim Projektesh

Berisha e ngre “shënjestrën”: Duam të bëhemi superfuqi rajonale e TIK

Feb 19 2013
0 Shpërndarje
Berisha e ngre “shënjestrën”: Duam të bëhemi superfuqi rajonale e TIK

Shqipëria dixhitaleKryeministri Berisha i ka rritur më tepër ambiciet e tij për zhvillimin teknologjik të vendit. Gjatë një vizite në Qendrën ProTIK, ai tha se “Shqipëria dixhitale” sot është një realitet, ndërkohë që objektivi i radhës është që vendi të bëhet superfuqi rajonale e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

“Në rast se në vitin 2006 objektivi ynë ishte “Shqipëria dixhitale”, sot objektivi ynë është “Shqipëria – një superfuqi e vogël rajonale e ICT-së”. Ambicioz, por plotësisht i mundshëm. Edhe 7 vjet më parë, kur thamë “Shqipëria dixhitale”, përsëri kishte nënqeshje dhe buzëqeshje në sallë. Edhe tani “Shqipëria – superfuqi e vogël rajonale e ICT-së”, gjithnjë ka nënqeshje dhe buzëqeshje. Unë kam bindjen më të thellë se ky start i fuqishëm në këtë qendër dhe, natyrisht, një kompleks tjetër masash do të bëjnë që Shqipëria në vitet që vijnë të ngjitet në krye të inovacionit, në këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin në tërësi,” tha Berisha.

Gjatë vizitës në qendrën ProTIK, Kryeministri Berisha u takua edhe me një grup fëmijësh, të moshës 10 – 15 vjeç, të cilët vinin në këtë qendër një herë në javë dhe në tre ardhjet e para ata kishin ndërtuar dhe komandonin në disa mënyra një robot. Ai u njoh, gjithashtu, edhe me iniciativën e ndërmarrë nga një grup studentësh për një program për personat me aftësi të kufizuar, si dhe krijimin, nga një grup tjetër studentësh, të një portali për informimin e qytetarëve në kohë reale, për të gjitha ngjarjet që zhvillohen në Tiranë dhe në mbarë vendin.

“U mrekullova gjatë kësaj vizite. Unë gjeta një grup fëmijësh të moshës 10 – 15 vjeç, të cilët vinin këtu një herë në javë dhe në tre ardhjet e para ata kishin ndërtuar dhe komandonin në disa mënyra robotin. Gjeta studentë, të cilët punonin me përkushtim të madh për një program për personat me aftësi të kufizuar. Një ide thellësisht humane, por edhe shumë e dobishme, sepse u mundëson këtyre personave të lexojnë në gjuhën e shenjave, në gjuhën e tyre, literaturë nga më të rëndësishmet për formimin e tyre profesional. Grupe të tjera studentësh po punojnë për një portal, i cili do të informojë shqiptarët në kohë reale për të gjitha ngjarjet dhe evenimentet që zhvillohen, jo vetëm në Tiranë, por në mbarë vendin. Ajo çka ne do të donim shumë është që edhe universitetet, departamentet e tyre, të frymëzohen nga veprimtaria e kësaj qendre. Askund nuk mund të pritet më shumë sesa nga universitetet që të qëndrojnë në krye të inovacionit,” shtoi kryeministri.

Qendra ProTIK, e krijuar si një partneritet publik – privat midis qeverisë shqiptare, qeverisë amerikane, kompanive ndërkombëtare dhe atyre shqiptare, si Microsoft, Cisco dhe Albtelekom, synon të ndihmojë në zhvillimin e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Shqipëri. Qëllimet e saj janë promovimi i inovacionit dhe sipërmarrjes, stimulimi i kërkesës për TIK dhe promovimi i partneriteteve dhe rrjetëzimit profesional. (CIO Albanian)

Tags >

Shqipëri
Lajmet e fundit>