Menaxhim Projektesh

Bëjeni biznesin e vogël të duket i madh me shërbimet virtuale

Feb 23 2011
0 Shpërndarje
Bëjeni biznesin e vogël të duket i madh me shërbimet virtuale

Fatmirësisht, ekziston ndihma virtuale. Mos u mashtroni nga termi “virtual”, i cili nuk do të thotë se po punësoni një robot për t’ju mbaruar punët, për shkak se shumica e këtyre shërbimeve virtuale shfrytëzojnë aftësitë e njerëzve realë. Ata banojnë larg, janë njerëz të dedikuar të cilët nuk kërkojnë beneficione që ju nuk mund t’i përballoni. Nëse dëshironi të shkurtoni shpenzimet, atëherë provoni shërbimet virtuale që “mund t’i punësoni” në vend të një punëtori shtesë. Zëvendësoni asistentin tuaj personal ose sekretaren, e cila zakonisht ju kushton rreth 35,000$ në vit (2900$ në muaj), plus beneficionet shtesë.

Punësimi i një asistenti personal të botës virtuale mund t’ju kushtoj pak para, veçanërisht nëse e dini se për cilat punë ju duhet më tepër ndihmë. Nëse udhëtoni shumë dhe argëtoheni, RedButler ofron asistencë dhe shërbime personale (si prenotimi i hoteleve) dhe dallohet për kartën e veçantë të abonimit, e cila ju ofron zbritje në hotele dhe restorante. Abonimi në RedButler fillon prej vetëm 36.95$/muaj për 15 detyra (çdo telefonatë ose prenotim hoteli përbën një detyrë) dhe një kartë abonimi. Nëse kërkoni një asistent personal më të dedikuar, atëherë Habilis dhe AskSunday ofrojnë plane abonimi sipas orëve. Në vend që të faturoheni sipas detyrave, ju mund të abonoheni për orë të caktuara në muaj. Planet e Habilis fillojnë nga 350$ për 40 orë, kurse planet e AskSunday fillojnë nga 150$ për 10 orë. Që të dyja ofrojnë shërbime të asistencës personale, si telefonata, e-mail e prenotime dhe janë në dispozicion 24 orë.

Zëvendësoni avokatin

Edhe pse nuk jua rekomandoj që nevojat tuaja ligjore t’i bazoni te teknologjia, webfaqet ligjore falas janë sot një burim i rëndësishëm. Për shkak se avokatët ju ngarkojnë bazuar në orë, një hulumtim nga ana juaj ose së paku gjetja e një formulari të duhur ligjor mund t’ju kursejë shumë. RocketLawyer ofron qindra dokumente ligjore falas të krijuara nga avokatët –përfshirë marrëveshjet e konfidencialitetit, kontratat e përgjithshme të shërbimeve. LawHelp dhe FindLaw ofrojnë këshilla ligjore nga avokatë, por megjithatë ato nuk duhet të përdoren si zëvendësime të avokatëve. Nëse ju duhet këshillë e veçantë ligjore, LawGuru ofron një shërbim pyetje-dhe-përgjigje me opsione falas dhe me pagesë. Me opsionin falas, pyetja juaj kthehet sipas një vlerësimi të limituar nga avokatët (dhe jo menjëherë) dhe zakonisht në një forum publik. Nëse pyetja është urgjente dhe dëshironi një përgjigje private, ju mund të zgjidhni opsionin me pagesë, ndërmjet 40$ dhe 60$ (do të ngarkoheni vetëm nëse merrni një përgjigje) për shërbim më të shpejtë.

Zëvendësoni llogaritarin

Vendi i parë ku duhet të kërkoni për zëvendësimin e llogaritarit është softueri llogaritës. QuickBooks i Intuit dallohet për faturat e tij dhe gjurmimin e shpenzimeve dhe shitjeve si dhe për raportet e përfitimeve. Versioni Pro i këtij softueri do t’ju kushtojë vetëm 184$. QuickBooks 2011 ofron edhe një shfletues të besueshëm për akses nga smartphone për një tarifë prej 10$ për përdorues.  Peachtree i Sage, që kushton 200$ për versionin Pro, është një tjetër pako llogaritëse që ofron faturim dhe gjurmim faturash, pagesa të shpejta dhe analiza të biznesit. Nëse nuk dëshironi të vareni nga desktopi, atëherë mund të merrni në konsideratë edhe shërbimet llogaritëse online. QuickBooks ofron një version online, kostoja e të cilit varion nga 12.95$/muaj deri në 63.16$/muaj dhe ka shumë veçori të ngjashme me ato të versionit për desktop, duke përfshirë faturimin dhe gjurmimin e shpenzimeve, përkrahjen për pagesa dhe online banking.

Individët e vetëpunësuar dhe ata me orar të shkurtër pune duhet të provojnë Outright, i cili është një shërbim llogaritës online falas, që i ndihmon përdoruesit të gjurmojnë faturat dhe pagesat e marra, të përllogarisin taksat dhe të organizojnë formatin W-9. FreshBooks, planet e të cilit variojnë nga ato falas deri në 40$/muaj, është më i përshtatshëm për bizneset e vogla me më shumë se një punonjës. FreshBooks ju mundëson të gjurmoni faturimin dhe shpenzimet, të krijoni dhe menaxhoni inventarin dhe madje jua krijon dhe dërgon faturat përmes e-mailit. Edhe nëse do t’ju duhej të punësonit një llogaritar —si një vëzhgues shtesë para kohës së tatimeve— këto shërbime ia vlejnë të provohen. Në fund të fundit, nëse i keni financat në rregull, kjo do t’i kursejë kohë llogaritarit tuaj, që përkthehet si kursim i parave tuaja.

Zëvendësoni përkrahjen e konsumatorëve

Përkrahja teknike është një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm dhe që i merr shumë kohë një biznesi të vogël. Fatmirësisht, disa vegla online mund ta bëjnë përkrahjen teknike një proces të lehtë dhe pa dhembje. Në vend që të punësoni njerëz shtesë për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe brengave të konsumatorëve, ju mund t’i angazhoni vetë konsumatorët tuaj që ta kryejnë këtë punë. Get Satisfaction ju ofron përfitime nga entuziazmi i njerëzve për të ndihmuar njëri-tjetrin, duke ndërtuar një komunitet për këtë proces. Në Get Satisfaction, çdokush mund të parashtrojë pyetje dhe t’u përgjigjet atyre, por përgjigjet “zyrtare” të kompanisë do të shënjohen në forma të ndryshme. Vendosja e kompanisë suaj në këtë faqe është falas —edhe pse faqja ka disa opsione me pagesë që ofrojnë beneficione shtesë, si përshtatja dhe brendi i komunitetit, Google (GOOG) Analytics dhe statistika të komunitetit si dhe integrim ZenDesk.

ZenDesk është një ndihmë teknike virtuale dhe një vegël organizative për përkrahjen teknike. Në vend që të grumbullojë përkrahjen e konsumatorëve, siç bën Get Satisfaction, ZenDesk ju mundëson të rregulloni problemet e konsumatorëve duke përdorur tiketat. Ju mund ta vendosni ZenDesk në webfaqen e kompanisë suaj, duke u mundësuar konsumatorëve të hapin tiketë kur hasin në ndonjë problem. ZenDesk ju mundëson të menaxhoni, organizoni dhe zgjidhni tiketat e hapura. ZenDesk është shumë transparent dhe u mundëson konsumatorëve të shohin se kush është duke punuar në tiketat e tyre dhe se kur pritet të zgjidhet problemi. ZenDesk gjithashtu mund t’i ndihmojë përdoruesit edhe përmes formave të shënjimit të tiketave, të cilat u mundësojnë konsumatorëve të ndreqin problemet duke u bazuar në sugjerimet e konsumatorëve të tjerë. ZenDesk fillon nga 9$/muaj për tre agjentë shërbimi ndaj konsumatorëve.

Zëvendësoni agjentin tuaj të udhëtimeve

Në këto ditë dhe epokë të problemeve buxhetore të aviokompanive, është befasuese që agjentët tregtarë ende kanë treg të mjaftueshëm. Në vend që t’i telefononi agjentit tuaj lokal për të prenotuar udhëtimin tuaj të radhës, po ju tregojmë disa alternative virtuale. Për prenotim fluturimesh provoni faqe si Kayak, Hipmunk dhe Mobissimo, të cilat kontrollojnë faqet online të prenotimeve (si Travelocity, Orbitz dhe Priceline) dhe webfaqet e linjave ajrore për çmimet më të lira. Nëse nuk jeni të sigurt se sa do t’ju kushtojë udhëtimi, atëherë konsultoni Farecast të Bing; ai mbledh të dhënat e kaluara nga itinerari i selektuar për t’ju treguar se sa duhet t’ju kushtojë udhëtimi duke u bazuar në një periudhë të caktuar të vitit dhe nëse çmimi i biletës do të ulet në ditët e ardhshme.

Kayak gjithashtu mund t’ju ndihmojë të gjeni itinerare alternative për një varg aeroportesh dhe datash të caktuara. Gjithashtu, mos harroni të kontrolloni edhe faqet individuale të linjave ajrore për zbritje dhe oferta speciale. SeatGuru i TripAdvisor ju ofron detajet e ulëseve të qindra aeroplanëve. Sa i përket prenotimit të hoteleve, ky është një proces i ngjashëm me ato të linjave ajrore. Faqet e kërkimit do t’ju ndihmojnë të gjeni çmimet e përgjithshme, por megjithatë kontrolloni edhe faqet individuale të hoteleve sepse ato shpeshherë kanë zbritje dhe oferta speciale. Nëse dyshoni në kualitetin e hotelit, atëherë shikoni përshtypjet e klientëve të hoteleve të caktuara në TripAdvisor dhe TravelPost.

Zëvendësoni..

Ndoshta nuk ju duhet llogaritari virtual, avokati apo agjenti i udhëtimit, por ju duhet “diçka tjetër” virtuale. Nëse nuk mund të gjeni punën e saktë që ju duhet, mos u frikësoni: një numër webfaqesh për punët e kërkuara do t’ju ndihmojnë të gjeni punonjësit e aftë për çdo profesion që mund të mendoni. Ekzistojnë dy lloje faqesh për punët e kërkuara: ato faqe që ofrojnë “punët e pakualifikuara” dhe zakonisht përfshijnë detyrat e lehta si gjetja e e-mail adresave ose postimet nëpër forumet online; dhe ato që ofrojnë punë të kualifikuara, si zhvillimi dhe marketingu web. Nëse kërkoni dikë që t’ju postojë mesazhet tuaja të shkurtra në forume, atëherë provoni CrowdFlower, ShortTask ose Mechanical Turk të Amazon. Këto webfaqe ju ndihmojnë në detyrat e thjeshta që kërkojnë prekjen njerëzore (kudo dhe që variojnë nga disa entë deri në disa dollarë).

Dobësitë e faqeve për punë të shkurtra janë sepse puna për të cilën jeni duke shpenzuar para është e pakualifikuar— e mirë për të postuar përshtypjet, por e keqe për gjërat e tjera. Për ndihmë me përkrahjen teknike për biznesin tuaj vizitoni një prodhues të rregullimeve dhe testime bazike. Një numër shërbimesh për përkrahje nga larg tashmë janë gati për t’ju ndihmuar nëpërmjet softuerit për akses nga larg; lista si OnForce radhisin për ju përkrahjen teknike profesionale nga e gjithë Amerika Veriore. Nëse dëshironi të stolisni marketingun, dizajnin e webfaqes dhe prezencën e medias sociale të kompanisë suaj, atëherë kërkoni ndihmë nga faqja Acumen Works, e cila ofron shërbime nga distanca për punë të tilla.

Një kërkim për “ndihmës virtual për media sociale” mund t’ju çojë në drejtimin e duhur. Nëse dëshironi që një punë e caktuar të kryhet mirë, atëherë duhet të provoni Elance, një faqe e mrekullueshme për gjetjen e kontraktorëve të pavarur online. Elance ofron kontraktorë për një mori punësh, duke përfshirë dizajnin dhe programimin web, shkrimin, marketingun dhe konsultat. Ai është një model i “cloud njerëzor” të punonjësve të aftë. Postimi i një pune është shumë i thjeshtë— llogaritë e punëdhënësve tarifohen me një ngarkesë prej 10$ dhe Elance merr një përqindje prej 6.75 dhe 8.75 për çdo projekt të kryer.

Një paralajmërim para se të merrni telefonin dhe të largoni nga puna të gjithë punonjësit tuaj dhe të virtualizoni kompaninë: disa punë bëhen më mirë nga qeniet njerëzore. Asistentët personalë, për shembull, janë të rëndësishëm jo vetëm sepse do të kryejnë punët e lehta për të cilat nuk keni kohë, por për shkak se e dinë çfarë duhet të bërë pa mbikëqyrjen tuaj konstante. Po ashtu, organizimi dhe shërbimet e asistentëve virtualë kërkojnë kohë dhe mund, kështu që nëse jeni person i zënë, është më mirë t’i mbani asistentët tuaj personalë në vend që ta ngarkoni veten me të gjitha punët e organizatës.

Lajmet e fundit>